Kthehu lart

Siguria kombëtare përballë kërcënimeve armiqësore

Siguria kombëtare përballë kërcënimeve armiqësore Autori: Burim Ramadani GazetaExpress

Përmbyllja e Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, në këtë fazë konsolidimi shtetëror, është agjenda më e duhur që po ndodh në Kosovë.

Një agjendë e plotë armiqësore ndaj sigurisë kombëtare dhe aktivitete të panumërta kundër Kosovës.

Kështu mund të përmblidhet në një fjali qasja e kërcënimeve të jashtme armiqësore ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës. Për korrektësi, kërcënimet e jashtme nuk janë të vetmet ndaj Kosovës, sigurisht, por ato mund të trajtohen në analiza tjera!

Kërcënimet dhe sfidat ndaj sigurisë kombëtare janë reale. Përpjekjet që po bëjmë për përballje me to janë serioze dhe kredibile.  

Mbi 10 vjet të ekzistimit të shtetit të Kosovës, agjenda armiqësore e jashtme ka arritur të funksionalizojë aktivitete dëmtuese edhe brenda Kosovës. Kryesisht, përmes ndërhyrjes direkte nga grupet formale dhe joformale politike apo edhe të krimit të organizuar. Për më tutje, obstruksioni dhe sabotazhi ndaj proceseve politike demokratike brenda Kosovës është thelluar me kornizë të qartë armiqësore.

Polarizimi i shoqërisë, thellimi i ndarjeve ndër-etnike, ri-fokusimi tek ndjenjat nacionaliste dhe manipulimi me rininë e cenueshme minoritare, zhvillimi i jetës së ndarë komunitare, sikurse edhe ringjallja e ambicieve territoriale janë edhe rezultat i aktiviteteve direkte armiqësore. Rolin kryesor të këtyre kërcënimeve të sigurisë kombëtare e luan Serbia dhe Rusia.

Në aspektin e jashtëm, Kosova është përballur me një propagandë të vazhdueshme dhe konsistente të narrativit rus dhe serb.

Shtrembërimi i të vërtetës së jashtme e të brendshme të Kosovës, portretizimi i Kosovës si ‘enklavë kriminale’, si ‘territor serb i invaduar nga SHBA dhe NATO’, si ‘territor me status të pazgjidhur’, si ‘precedent për raste tjera’, si ‘intervenim jolegal e jolegjitim i NATO-s’ apo edhe etiketime tjera propagandistike kanë ndërtuar një narrativ tejet dëmtues.

E vërteta dhe ekzistenca e Kosovës ka filluar të sulmohet përmes kërcënimeve hibride armiqësore, në nivelin e këtillë të paprecedent, që prej javëve të para pas vendimit/opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sigurisht, ky ka qenë momenti i kthesës apo, më mirë të thuhet, është dashur të paraqes momentin final të kthesës për njohjen globale të shtetësisë së Kosovës. Por, në ato javë Kosova pati humbur të menduarit strategjik.

Tashmë, gati një dekadë më vonë nga opinioni i GjND-së, Kosova po përpëlitet të ndërtojë, garantojë dhe promovojë sigurinë kombëtare.

Këtu, nuk ka asnjë dilemë se prezenca ndërkombëtare ushtarake është një dimension i padiskutueshëm i fuqisë së Kosovës.

Sidoqoftë, përmbyllja e Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, në këtë fazë konsolidimi shtetëror, është agjenda më e duhur që po ndodh në Kosovë. Edhe tranzicioni i FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës, që përmbyllet si vendimmarrje gjatë vitit 2018, është veprimi strategjik më i nevojshëm për Kosovën. Pavarësisht se përmbushja e kapaciteteve të plota operacionale në mandatin e ri për FSK-së do të kërkojë kohë, ekzistimi ligjor e kushtetues i kornizës së sigurisë kombëtare është fuqi kombëtare.

Më pastaj, orientimisht në periudhën e parë të vitit të ardhshëm, politikat e sigurisë kombëtare, që do të definohen me Strategjinë e re të Sigurisë së Kosovës, e plotësojnë pamjen e plotë të një shteti të konsoliduar, serioz dhe të pjekur, me ambicie të orfimit dhe garantimit të sigurisë së të gjitha dimensioneve (sigurisë së fortë dhe sigurisë së butë). Sepse, qartësisht kërcënimet ndaj sigurisë kombëtarë të Kosovës janë edhe të natyrave tjera, që nuk kanë të bëjnë me kërcënimet e jashtme armiqësore. Tek e fundit, një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme në politikat e sigurisë kombëtare meriton të trajtojnë kërcënimet dhe sfidat e sigurisë së butë, apo sigurisë humane në përgjithësi.

Funksionalizimi, avancimi, modernizimi dhe koordinimi i institucioneve në përgjithësi, sektorit të sigurisë e të mbrojtjes, ekonomisë që ka domosdoshmëri zhvillimi, politikës së jashtme, si dhe konsensusit nacional për të shmangur polarizimin e mëtejshëm shoqëror, paraqesin rrugën përpara të promovimit dhe garantimit të sigurisë kombëtare.

    Data: 15 Nentor 2018 14:40
    Autori: Burim Ramadani

    Të tjera