Kthehu lart

Shansi i humbur i LDK’së

Shansi i humbur i LDK’së Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të mos jetë jetë pjesë e dialogut për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. Edhe pse ka ndërruar qasje pas letrës së Donald Trumpit, duke thënë se do t’i ndihmojë procesit si opozitë, ky është një shans i humbur për partinë, e cila priste zgjedhje të reja për t’u bërë pjesë e procesit

Pavarësisht kalkulimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbetur jashtë procesit të dialogut final me Serbinë. Tashmë kur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump është bërë e qartë se ky është momenti për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, LDK duket të jetë zënë e papërgatitur për të vendosur se si të veprojë.

Sa herë ishin bërë përpjekje që të krijohet një platformë për bisedime dhe një ekip negociator, zyrtarë të LDK’së thoshin se së pari duhet shkuar në zgjedhje dhe më pas institucionet e reja të marrin përgjegjësinë për dialogun. LDK e Lëvizja Vetëvendosje nuk kishin lëvizuar nga qëndrimet e veta, ndërkohë që Partia Socialdemokrate (PSD) u bë pjesë e ekipit negociator, duke iu votuar në Kuvend rezoluta e saj.

Është hera e parë që LDK nuk është pjesë e një procesi të rëndësishëm, edhe pse është partia më e vjetër në vend dhe, aktualisht, partia më e madhe opozitare në Kuvend. Duke e kushtëzuar pjesëmarrjen në proces me zgjedhje të reja, LDK tashmë ka mbetur jashtë, ndonëse të mërkurën lideri i saj shfaqi shenja reflektimi, kur deklaroi se partia e tij do ta ndihmojë procesin. Kjo qasje nuk përkrahet nga të gjithë brenda LDK’së, ndër të cilët ka edhe të atillë që thonë se mund të shqyrtohet pozicioni i partisë po që se ndodh një rishqyrtim i gjithë procesit dhe pranohet propozimi i partisë për mënyrën e zhvillimit të dialogut. Por, gjasat që të ndodh një gjë e tillë janë të vogla. Fuqitë e mëdha, në krye me SHBA’të, duket ta kenë ndarë mendjen që konfliktit Kosovë-Serbi t’i japin fund brenda gjashtë muajsh.

* * *

LDK dhe lideri i saj, Isa Mustafa, në vazhdimësi kanë qenë të informuar nga presidenti Hashim Thaçi për gjithë rrjedhën e procesit, respektivisht idenë e tij për korrigjim kufijsh që e ka promovuar muajt e fundit.

Thaçi e ka informuar liderin e LDK’së për zhvillimet, por nuk ia ka plotësuar dëshirën që ta çojë vendin në zgjedhje. Ndërkohë, PSD shfrytëzoi momentin për t’u faktorizuar dhe e nxori jashtë loje LDK’në.

Duke e kritikuar e sulmuar, e pastaj duke bashkëqeveruisur me të - ky ka qenë ndër vite raporti PDK-LDK. Para gati tre vjetësh, edhe duke e zgjedhur Thaçin president.

LDK ka kalkuluar vazhdimisht elektoralisht, ashtu sikurse edhe muajt e fundit, kur zyrtarë të saj publikisht deklaronin se nuk i besonin Thaçit. Madje, arsyetoheshin se ai ishte OK atëherë kur e votuan, porse jo edhe tash. Por, në fakt, koketimi ndërmjet LDK’së e Thaçit nuk është ndërprerë asnjëherë.

Me shuarjen e shpresës se mund të ketë zgjedhje para se të arrihet marrëveshja me Serbinë, LDK nuk është në pozitë të mirë. Letra e Trumpit për Thaçin dhe mesazhet e tij për skenën politike kanë lëvizur gjërat brenda partisë dhe LDK është në kërkim të një zgjidhjeje e cila do t’i siguronte rol të rëndësishëm në proces, por në të njëtën kohë nuk do ta dëmtonte politikisht. Është vështirë e besueshme se do të mund ta arrijë këtë, ndonëse në kalkulime jo rrallë ka arritur sukses.

* * *

Presidenti amerikan ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë në letrën e tij. “Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë. Unë iu nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”, i ka shkruar ai Thaçit.

Skena politike kosovare ende nuk i ka dhënë përgjigje këtyre kërkesave, edhe pse nuk ka shumë kohë për t’u menduar. Dikush mund ta interpretojë letrën edhe si sinjal se procesi për arritjen e marrëveshjes ka avancuar, gjë që e bën të domosdoshme një koncensus politik sa më shpejt që është e mundur.

SHBA’të po kërkojnë marrëveshje që prodhon e siguron stabilitet demokratik. Po kërkojnë unitet të spektrit politik kosovar. Tash për tash nuk ka pajtim rreth kërkesës që Thaçi të jetë njeriu kyç në dialog, ashtu siç nuk ka pajtim as rreth mundësisë për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Partitë politike, në mesin e të cilave edhe LDK’ja e kanë pasur mundësinë për të arritur koncensusin e nevojshëm. Nëse kanë menduar se është më mirë që gjithçka t’ia lënë në përgjegjësi Thaçit, atëherë duket të mos i kenë bërë mirë llogaritë.

Kur është në pyetje Thaçi, LDK zakonisht turbullohet. Por, SHBA’të po kërkojnë unitet e qartësi në proces. LDK e ka humbur shansin për ta marrë vendin që i takon. Mbetet të shihet çfarë mund të humbasë tjetër. Loja sapo ka filluar.

    Data: 20 Dhjetor 2018 11:02
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera