Rrëfeni e dëgjoni

Kur të gjithë iu gëzuan paqes, ishin gratë që kishin një rrëfim tjetër!

Sibel Halimi

Ky rrëfim, nuk u dëgjua kurrë. U dashtë të kalojnë dy decenie, të zaptohet gjithçka e të fuqizohet ideja se vendin e çliruan ata (burrat/veteranët). Se ishin ata që sollën paqen.

E, tash kur mijëra gra ndryhen ndër vete, trauma e tmerri bashkëjetojnë me to.

Ato zgjohen me imazhin e atij që në jetën e tyre përgjithmonë do të jetë i panjohur. I njohur do të jetë vetëm krimi, i cili tashmë është shndërruar në përpjekje jetësore të secilës.

T'i jepet emri atij. Ndërmjet hezitimit e shpërfilljes, janë ato që përpëlitjes po përpiqen t'i japin formë e adresë.

Sot, shoqëria kosovare duhet të jetë zëri e ato jehona. Sepse historia e tyre nuk është trill, ato nuk po ruajnë gojëdhëna, përpos dhimbje reale nga një situatë e njëmendtë. Pa mëdyshje! Mëdyshja duhet të ekzistojë në veten tonë, përtej së cilës s'po arrijmë të shohim.

Së paku për një çast të imagjinojmë të jemi në lëkurën e tyre. Këto gra kanë nevojë të dëgjohen, jo të mëshirohen. Shumë prej tyre kanë frikë ta dëgjojnë veten, sepse shumë pak besojnë që ne mund të ndryshojmë, t'i japim secilës një trohë vend, t'i japim secilës mundësi ta njohë lirinë.

Vendet si Kosova, e njohin veç gishtin si udhërrëfyes, për t'i bërë ato joekzistente. Por, janë këto gra të cilat kur ne mbledhemi në sheshe, ato struken diku ndër vete, duke tentu ta jetojnë veç të tashmen. E ardhmja është veç projeksion...!

Secilën grua që kam taku, ia kam dëgju një ëndërr.

Njëra ka dashtë të jetë mësuese, tjetra këngëtare.

Një tjetër ëndërronte të ishte piktore, teksa shoqja e saj, kimiste.

Njërën e kishin martuar 14 vjeçe. Ishte bërë viktimë e hijeshisë së saj, shkaku i së cilës ishte shtyrë të lidhte kurorë.

Gratë në Kosovë çdo ditë kanë diçka me tregu! Por,  ky vend duhet njëherë e përgjithmonë të denjojë t'i dëgjojë rrëfimet e tyre. Ky vend duhet ta kuptojë se trimërinë e burrave e ka dogmatizuar historia. Ajo ka dogmatizuar mendjen. Historia kosovare njeh vetëm heronj me pushkë.

Përvjetorë e varrime luftëtarësh që do të bëhen kurrë s'do të ndihen të qeta, pa i dëgju rrëfimet e këtyre grave!

Dëgjoni, mos i ekzaminoni, sepse ato nuk janë veterane lufte, ato s'kanë përmendore, emrat e tyre s'janë në tabela rrugësh e shkollash...

Ato nuk e kanë thyer këtë apo atë kufi, ato s'kanë nam as nishan!

Ama, kanë me kallxu diçka. Ato jetojnë me ua ndi rrëfimet. Çdo ditë është vonë, por përpiquni së paku, sepse rrëfimet vazhdojnë...Rrëfimi i tyre jemi NE!

Të tjera

Lajmet e fundit