Kthehu lart

Presidenti që ndan e përçan

Presidenti që ndan e përçan Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Gjatë gjithë kohës si president, Hashim Thaçi është shquar për ndarje e përçarje, e jo për rol unifikues, siç e parasheh Kushtetuta. Ai po vepron njësoj edhe tash, me idenë e vet për ndarjen e Kosovës, një ide që nuk po tumiret as brenda, as jashtë vendit, pavarësisht përpjekjeve të tij për të manipuluar se ka mbështetje

Hashim Thaçi po i bën përpjekjet e fundit në Neë York për të gjetur mbështetës për idenë e tij të “korrigjimit të kufijve” me Serbinë, që në fakt është përpjekje për shkëmbim territoresh, respektivisht ndarje të Kosovës. Presidenti ka zgjedhur të udhëtojë në SHBA, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me një agjendë të ndarë nga ajo e kryeministrit, duke nxjerrë në pah mospajtimet dhe ndarjen që ekziston në institucionet e vendit dhe në shoqëri rreth idesë së tij.

Me idenë për lëvizjen e kufijve, Thaçi ka ndarë jo vetëm opinionin brenda dhe jashtë vendit, por edhe qendrat vendimmarrëse që i janë kundërvënë atij. Madje, edhe përkrahës të deridjeshëm të idesë së shkëmbimit të territoreve, si Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë të SHBA-së, tash mendojnë më ndryshe. Sipas tij, ideja për shkëmbim të territoreve ose ndryshim të kufijve është moralisht problematike, nëse jo edhe propozim ofendues, mirëpo nëse kjo ide merr mbështetjen e të gjithëve në Kosovë dhe Serbi, rajonit mund t’i sjellë finalizimin e kufijve pas rënies së Jugosllavisë. Ai konsideron se, shkëmbimi i territoreve, përderisa gjen mbështetje në Kosovë dhe Serbi, mirëpo jo vetëm ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, por ndërmjet dy parlamenteve dhe opinionit publik, është një propozim i cili duhet të shkojë përpara, në kuptimin që do të provojë të finalizojë kufijtë dhe politikën në Ballkan, si pasojë e rënies së Jugosllavisë.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Thaçi nuk ka marrë mbështetje në Kosovë për idenë e tij, pavarësisht se po mbështetet në të dhëna fiktive, duke thënë se e ka mbështetjen e shumicës dërmuese të kosovarëve. Madje, ai me arrogancë po përpiqet ta imponojë idenë e tij, duke i kritikuar të gjithë ata që qenkan kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, siç po përpiqet ta shtrembërojë të vërtetën.

* * *

Që nga ardhja në krye të vendit, Hashim Thaçi asnjëherë nuk ia ka dalë ta unifikojë skenën politike dhe shoqërinë në përgjithësi. Ai u zgjodh president mes mospajtimesh e protestash, ndërkohë që tash dy vjet e gjysmë me veprimet e veta më tepër e ka përçarë, sesa që ka provuar ta bashkojë politikën dhe shoqërinë.

Një ndër rolet dhe përgjegjësitë e presidentit sipas kushtetutës është unifikimi i popullit, por Thaçi më tepër është sjellë si kryetar i PDK-së, sesa që ka provuar t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese.

Kështu po vepron edhe muajt e fundit, kur me çdo kusht po përpiqet ta imponojë idenë e tij të “korrigjimit të kufijve” me Serbinë, pa e pasur mbështetjen në radhë të parë të Kuvendit dhe në një atmosferë absolutisht kundërthënëse ndër qytetarët dhe opinionin publik. Madje, për t’iu shmangur Kuvendit sa i përket arritjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, çfarë mund të jetë ajo me Serbinë, ai i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese interpretim të nenit përkatës, që do t’ia linte duart e lira të vendosë siç dëshiron ai. Në vend se të provojë për të arritur pajtim, ai ka zgjedhur të kritikojë e sulmojë të gjithë ata që janë kundër idesë së tij të rrezikshme. Por, ai nuk ia ka dalë as t’i mbrojë si duhet pretendimet e tij. As fëmijët e vegjël nuk besojnë se Kosovës mund t’i bashkohet Lugina e Preshevës, pa dhënë asgjë në këmbim. Kësaj nuk i beson as vetë Thaçi, por vazhdon ta shesë si zgjidhje, duke manipuluar kështu edhe me ndjenjat e qytetarëve të Luginës.

* * *

Një ndër arsyet që presidenti Thaçi po e përmend se pse duhet pranuar ideja e tij, është se Kosova paska stagnuar dhe qenka në gjendje të keqe. Paramendojeni, këto fjalë i thotë njeriu i cili është përgjegjësi kryesor pse vendi është kështu si është. Pa e brejtur fare ndërgjegjja që vendin e ka sjellë në situatë të tillë, ai tash po propozon një zgjidhje tjetër - po e prezanton një ide tjetër të pastudiuar mirë, të papërkrahur madje as nga njerëz të ish-partisë së tij. Në vend që ta marrë përgjegjësinë pse e ka sjellë vendin në këtë gjendje, përderisa gjatë gjithë kohës thoshte se po lëvizte në rrugën e duhur, ai tash po kërkon që të amnistohet për bëmat e tij dhe t’i jepet mbështetje për aventurën e radhës - mbështetje që duket se do të vazhdojë të mungojë.

Për shkëmbim territoresh mund të bisedohet, por vetëm pasi që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur dhe të dyja shtetet të ulen të barabarta në tavolinën e bisedimeve. Deri atëherë, aventurat si kjo e Thaçit mbeten të rrezikshme dhe vetëm ndajnë e përçajnë.

    Data: 24 Shtator 2018 17:12
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera