Kthehu lart

Popull i zgjedhur?!

Popull i zgjedhur?! Autori: Gideon Ley GazetaExpress

​Nuk ka nevojë të elaborohet shumë mbi pikëpyetjet morale të Izraelit si një pushtues. Çdo izraelit me një fije ndërgjegjeje e di se një komb pushtues nuk mund të jetë një popull i zgjedhur

Do të doja të takoja përfaqësuesit e asaj shumice absolute, përcaktuese, arrogante dhe patronizuese që rezulton nga sondazhi i fundit i Haaretz dhe t’i pyes: Me gjithë mend e keni? Si ju shkon ndërmend një gjë e tillë? Për kë e keni fjalën? A jeni ju, shumica absolute, kaq të sigurtë se ne (hebrejtë) jemi – të zgjedhur, më të mirë, se ne jemi kampionët, koka dhe shpatullat mbi trupin e të gjithëve?

Si dolët në këtë përfundim? Do të doja të të pyesja e dashur shumicë: mbi ç’bazë jeni të bindur se ne jemi populli i zgjedhur, se ne dimë cdo gjë më mirë sesa kombet e tjera; se ne meritojmë më shumë sesa të tjerët; se ajo që vlen për ata nuk vlen për ne, sepse ne jemi superiorë?

Ja si u përgjigj shumica e izraelitëve në sondazhin e dialogut  publikuar javën e kaluar nga Haaretz: Ne jemi një popull i zgjedhur. Një shumicë, 56% , janë të sigurtë për këtë. Të dhënat rriten në 79%, një shumicë absolute, mes atyre që vetëidentifikohen si të krahut të djathtë. Në një vend ku 76% e njerëzve besojnë në Zot, apo në fuqi të tjera sipërore, ndoshta një gjë e tillë është e kuptueshme. Por ndërsa besimi në Zot është një çështje private, besimi i të qenit një popull i zgjedhur zbulon konturet e një politike që shpjegon shumëçka rrethe veprimeve të Izraelit.

Le të kalojmë nga teologjia te patologjia. Hebrejtë e Izraelit që mendojnë se i përkasin një populli të zgjedhur dhe përzgjedhur kanë një detyrim ndaj vetes dhe të tjerëve. Është e lehtë të deklarosh se Zoti ekziston ose jo. Askush nuk pret prova, por kur shumica e një kombi është e bindur se është superiore ndaj të gjitha kombeve të tjera, disa prova janë të domosdoshme. Në rastin e Izraelit, është e thjeshtë të provosh se kemi të bëjmë me një shkëputje nga realiteti, një deluzion i rrezikshëm. Në çdo ngjarje, një popull që është i bindur se është i zgjedhur përbën rrezik për veten dhe ata që e rrethojnë.

Hebrejtë janë në të vërtetë specialë, me një histori të përgjakur dhe të lavdishme. Hebrejtë e Izraelit kanë po ashtu me çfarë të krenohen. Pork ur ata thonë se janë popull i zgjedhur, kjo zbulon psikozën e tyre. Është e dyshimtë nëse ndonjë komb e mendon këtë gjë për veten. Edhe hebrejtë e Izraelit nuk kanë arsye ta mendojnë veten të zgjedhur. Në ç’mënyrë janë ata të zgjedhur? Në cilat gjëra janë ata më të mirë? Dhe çfarë duhet të mendojë një suedez, francez, amerikan, britanik apo arab për këtë arrogancë të padurueshme?

Nuk ka nevojë të elaborohet shumë mbi pikëpyetjet morale të Izraelit si një pushtues. Çdo izraelit me një fije ndërgjegjeje  e di se një komb pushtues nuk mund të jetë një popull i zgjedhur. Nuk vjen gjë e keqe as edhe nga pak përultësi kur vjen puna te disa karakteristika të njerëzve në Izrael, përpara se të vetëkurorëzohemi një fener mes kombeve. Unë rekomandoj p.sh të lexohet analiza gjithëpërfshirëse dhe tmerruese e Dan Ben-David, publikuar në Haaretz mbi sistemin arsimor në vendin tonë, e cila nuk u shoqërua me reagimin e duhur. Gjysma e fëmijëve në Izrael marrin një arsimim si ai në Botën e Tretë.

Na duhet edhe pak modesti për ne si qytetarë të një shteti që renditet në vendin e 87-ë në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2018, poshtë Togos dhe Bregut të Fildishtë. Edhe vendi i 32-ë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International në vitin 2017, nuk është diçka për t’u festuar. Kujdesi shëndetësor është edhe kjo një fushë ku vetëvlerësimi i Izraelit duhet të përkulet: vendi renditet i 28-i në shpenzimet për kujdesin shëndetësor, nga 36 që janë vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe i 30-i për numrin e shtretërve në spitale.
Sjellja e turistëve izraelitë nuk u përshtatet përherë kërkesave të një populli të zgjedhur. Ndoshta Izraeli renditet në krye në një indeks për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe ndoshta ky është çelësi për të kuptuar ndjesinë e epërsisë.

Përkëdhelja me vetëglorifikim është kthyer në tipar të spikatur të karakterit kombëtar izraelit. Thjesht lexoni të përditshmen “Izrael Hayom” apo dëgjoni kryeministrin. Sa të dashur që jemi nga mëngjesi në darkë!

E djathta e shpërndan këtë gënjeshtër për qëllimet e veta. Populizmi lajkatues nuk po lulëzon vetëm në Izrael, por vetëm këtu pabarazia mes ëndrrës dhe realitetit është kaq e madhe. Një popull i zgjedhur? Sikur të ishte më në fund si të gjithë kombet e tjerë!

/Burimi: Haaretz
/Përkthimi dhe titulli: ResPublica

    Data: 17 Shtator 2018 11:20
    Autori: Gideon Ley

    Të tjera