Kthehu lart

Nxënësit mësojnë nga ata që i duan

Nxënësit mësojnë nga ata që i duan Autori: David Brooks GazetaExpress

Para disa vjetëve, përderisa jepja mësim në Universitetin e Yales, e bëra një njoftim për klasën time. U thashë se do t’i anuloj orët e konsultimeve për shkak se isha duke u marrë me disa çështje personale dhe se një mik do të vinte të më ndihmonte për t’i zgjidhur ato.

Nuk dhashë më shumë hollësi, por atë mbrëmje 10 apo 15 studentë më dërguan letra përmes postës elektronike, duke më thënë se po mendojnë dhe po luten për mua. Rrjedha e asaj lënde ndryshoi për pjesën tjetër të semestrit. Ne u bëmë më të afërt. Kjo shenjë e vogël e dobësisë la të nënkuptohet se unë nuk isha vetëm profesori Brooks. Unë isha vetëm një budalla tjetër që përpiqet t’ia dalë mbanë në jetë.

Ky çast i paplanifikuar ma ilustroi lidhjen mes aspektit emocional dhe të mësuarit. Dikur e merrnim parasysh nocionin se arsyeja nuk përputhet me emocionet. Nëse dëshiroje të bëhesh racional dhe të mendoje mirë, ti duhej t’i shtypje ata shpirtëra të këqinj, emocionet. Mësimdhënia ishte një shkarkim gjakftohtë i diturisë në trutë e studentëve.

Më pas, puna e shkencëtarëve të kognitivizmit, siç është Antonio Damasio, na dëshmoi se emocionet nuk janë e kundërta e arsyes; ato janë jetike për arsyen. Emocionet ua përcaktojnë vlerën gjërave. Nëse nuk e dini se çfarë dëshironi, nuk mund të merrni vendime të mira.

Për më tepër, emocionet të tregojnë se cilave gjëra t’u kushtosh vëmendje, për cilat gjëra të kujdesesh dhe cilat gjëra t’i mbash mend. Është e rëndë të punosh në vështirësi nëse emocionet nuk janë të përfshira. Informatat janë të bollshme, por motivimi është i paktë.

Ky zbulim i hershëm i neuroshkencës na solli ndër mend se një detyrë e rëndësishme e shkollës është që t’iu ofrojë nxënësve dhe studentëve gjëra të reja për t’i dashur, ku përfshihen fushat tërheqëse të studimit dhe miqtë e rinj. Na solli ndër mend se mësuesit në fakt e mësojnë veten, e mësojnë pasionin e tyre ngjitës për lëndët dhe nxënësit e tyre. Na solli ndër mend se fëmijët mësojnë prej njerëzve që i duan dhe se dashuria në këtë kontekst nënkupton që t’ia duash të mirën të tjerëve dhe të ofrosh kujdes të vazhdueshëm për njerëzit.

Viteve të fundit, të kuptuarit e lidhjes mes emocioneve dhe procesit të nxënies është bërë temë e rëndësishme. Përshtypja ime është se sot neurologët shpenzojnë më pak kohë për ta gjetur vendin e zhvillimit të proceseve në tru dhe më shumë kohë për t’i analizuar rrjetet e ndryshme nervore dhe faktorët që ndikojnë në aktivizimin e tyre.

Gjithçka është e integruar. Mary Helen Immordino-Yang nga Universiteti i Kalifornisë Jugore tregon se si edhe emocionet “e sofistikuara”, siç është admirimi moral, përjetohen pjesërisht nga pjesët e njëjta “primitive” të trurit, të cilat janë përgjegjëse për përcjelljen e organeve të brendshme . Me fjalë të tjera, emocionet ndikojnë edhe në zorrë.

Patricia Kuhl nga Universitetit i Uashingtonit na ka dëshmuar se truri social është i përfshirë në secilin proces të të nxënit. Ajo ua ka mësuar fëmijëve të vegjël kinezishten. Disa fëmijë mbajtën mësim sy më sy me mësuesen. Truri i tyre social aktivizohej përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me sy dhe ata i mësonin tingujt e kinezishtes shumë mirë. Të tjerët e shikuan të njëjtin mësim përmes videos. Ata ishin shumë të vëmendshëm, por nuk mësuan asgjë.

Emocionet tepër negative, siç është frika, mund të kenë efekt shkatërrues në aftësinë e nxënësit për të mësuar. Frika e rrit ndjenjën e kërcënimit dhe dhunës. Rrjedhimisht, ajo mund t’ua bëjë më të vështirë fëmijëve për t’i kuptuar marrëdhëniet e rastësishme apo ta ndryshojnë mendimin në rastet kur ndërron konteksti.

Edhe kur kushtet janë ideale, të mendojmë për të gjitha emocionet që janë të përfshira në zotërimin e një lënde të vështirë, siç është algjebra: kurreshtja, magjepsja, zhgënjimi, paqartësitë, frika, kënaqësia, shqetësimi, vendosmëria dhe hareja. Na nevojitet një fjalor i matur emocional për të manovruar nëpër të gjitha këto faza.

Nxënësit kanë nevojë për marrëdhënie të mirë me mësuesit. Suzanne Dikker nga Universiteti i Nju Jorkut ka dëshmuar se gjatë orëve të suksesshme të mësimit, aktiviteti trunor i nxënësve është i sinkronizuar me aktivitetin trunor të mësuesit. Në kohëra të mira dhe të këqija, mësuesit e mirë dhe nxënësit e mirë e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Pyetja thelbësore për secilën shkollë apo kompani është: Cila është cilësia e marrëdhënieve emocionale në mjedisin tuaj?

Mendoni për shkollën apo organizatën tuaj. A keni njësi matëse për matjen e cilësisë së marrëdhënieve? A keni ekipe që e shqyrtojnë cilësinë e marrëdhënieve? A e dini se ku këto marrëdhënie janë të mira dhe ku të këqija? Sa reforma arsimore janë bërë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira?

Ne përqendrohemi në të gjitha gjërat e gabuara sepse kemi mendim të vjetruar për atë se si funksionon të menduarit.

Lajmi i mirë është se lëvizja për nxënie sociale dhe emocionale është fuqizuar vazhdimisht. Gjatë kësaj jave, Instituti i Aspenit (ku unë e udhëheq një program) e publikoi një raport kombëtar, të quajtur “Nga një komb në rrezik në një komb me shpresë”. Nxënia sociale dhe emocionale nuk është shtojcë e kurrikulës. Një mësues tha: “Kjo është mënyra se si i bëjmë shkollat”. Disa shkolla, për shembull, nuk bëjnë punë akademike gjatë javës së parë të mësimit. Për fillim, secili njoftohet me të tjerët. Disa shkolla tjera i kanë zëvendësuar policët në derën e hyrjes me zyrtarë sigurie që mund ta kryejnë edhe punën e trajnerëve të nxënësve.

Kur fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, hapen shumë mundësi për ndryshime. Si do ta organizonit një shkollë nëse dëshironi ta vendosni cilësinë e marrëdhënieve në rend të parë? Po si do ta organizonit një kuvend shteti?/Përktheu: Nasuf Abdyli/

    Data: 27 Janar 2019 12:00
    Autori: David Brooks

    Të tjera