Kthehu lart

Njolla historike e LDK’së

Njolla historike e LDK’së Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Hashim Thaçi erdhi në krye të shtetit me votat e LDK’së, por zyrtarë të saj tash po thonë se kjo çështje i përket historisë. Para dy vjetësh LDK i besonte Thaçit, por zyrtarë të saj tash po e quajnë tradhtar. Pavarësisht përpjekjeve, njolla e zezë e quajtur “Hashim Thaçi” mbi LDK nuk pastrohet lehtë. Është njollë historike.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, nuk ngurroi ta cilësojë si “tradhti kombëtare” takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Në një debat televiziv, ai zgjodhi për të parin e vendit edhe të tjera epitete aspak të këndshme, por ngurroi ta bëjë LDK’në përgjegjëse për zgjedhjen e tij president. Në fakt Hoti kërkoi që kjo çështje të konsiderohet si diçka që i përket historisë, duke mos pasur fort qejf të flasë për faktet, se si partia e tij ka sjellë në krye të vendit atë që tash po e quan tradhtar.

LDK do të dëshironte fort që të mos i përmendej asnjëherë se e ka votuar Thaçin president, madje në një situatë groteske kur vetë lideri i partisë, atëherë kryeministër, bënte çmos që t’ia siguronte votat e mjaftueshme. Në një situatë “për jetë a vdekje” kur edhe një votë e vetme pro Thaçit shpërblehej me poste ambasadorësh e çka jo tjetër. Atëherë kur Hashim Thaçi ia garantonte Isa Mustafës vazhdimin e qeverisjes edhe për një kohë.

Të gjitha këto kanë ndodhur veç dy vjet e gjysmë më parë dhe njerëzit i kanë të freskëta në mendje pamjet nga kontributi historik i LDK’së për ta sjellë Thaçin në krye të pushtetit.

Atëbotë LDK i besonte Thaçit, përndryshe nuk kishte pse ta zgjedhte president. Por dy vjet e pak më vonë, Isa Mustafa po thotë se këtij njeriu nuk i besohet. Pra, fjalën e ka pikërisht për Thaçin.

Tash kur LDK është partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës dhe është në opozitë, Hashim Thaçi po vazhdon pa asnjë pengesë ta promovojë idenë e tij të korrigjimit të kufijve. Në këtë aventurë të rrezikshme nuk po arrin ta ndalë as LDK, as pjesa tjetër e opozitës. Dhe në vend të veprimeve konkrete karshi procesit të dialogut, LDK po ofron me bollëk veç retorikë populiste.

* * *

LDK vazhdimisht thotë se është parti institucionaliste, por tash ka zgjdhur ta bllokojë institucionin e Kuvendit, pavarësisht se e ka përgjegjësinë, si të gjitha partitë parlamentare, që të votojë ligje në të mirë të qytetarëve që e kanë votuar.

Po me arsyetimin se është institucionaliste dhe “për të mirën e vendit”, LDK ka qeverisur e bashkëqeverisur me PDK’në dhe Hashim Thaçin. Po me këtë arsyetim, e ka votuar atë edhe president.

Pikërisht për këto dhe të tjera arsye, sa herë që LDK përmend Thaçin, sa herë që LDK kritikon Thaçin, tek njerëzit zgjon një ndjenjë neverie. Zgjon ndjenjën e papërgjegjësisë dhe mosbrejtjes së ndërgjegjes për veprimet e bëra nga kjo parti në emër të institucionalizmit, në emër të “të mirës së vendit”.

A nuk ishte Hashim Thaçi dhe PDK ndër vite në shënjestër të akuzave për vrasjet e veprimtarëve të LDK’së? A nuk ishte Hashim Thaçi në shënjestër të kritikave nga LDK për qasjen karshi liderit historik Ibrahim Rugova? A nuk ishte Hashim Thaçi ai që fliste për tradhti kombëtare të Rugovës? A nuk ishte Hashim Thaçi njeriu që, sipas LDK’së, i ka sjellë shumë të këqija Kosovës?

Nëse po, atëherë si ishte e mundur që LDK t’i harronte të gjitha këto dhe të qeveriste bashkë me këtë njeri? Si ishte e mundur që, pikërisht këtë njeri, ta bënte president të vendit? Dhe, si është e mundur që tash LDK të përpiqet t’u hedh hi syve të gjithë atyre që ia kujtojnë këto veprime?

* * *

LDK është në opozitë dhe, natyrisht, nuk ka përgjegjësi qeverisëse. Por, po, ka përgjegjësinë që i takon partisë më të madhe. Nuk mund të mjaftohesh me retorika boshe, ndërkohë që presidenti Hashim Thaçi ende i ka duart e lira për ta çuar përpara idenë e shkëmbimit të territoreve. Nuk mund të mjaftohesh duke i dhënë atij epitetin e tradhtarit, vetëm se është takuar me Vladimir Putinin, ndërkohë që nuk ke bërë asnjë përpjekje serioze për ta ndalur atë. Abstenimi nuk është zgjidhje, ngase bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Nëse LDK mendon se zgjidhja më e lehtë është të bëjë sehir karshi veprimeve të presidentit, e ka gabim. Marrëveshja që mund ta arrijë Thaçi nuk është ujdi e tij personale, por është marrëveshje e arritur nga ai në cilësinë e presidentit, pasojat e së cilës, për të mirë a për të keq, do t’i bartin qytetarët.

Pyetja për zyrtarët e LDK’së është e lehtë: si të ndalet “tradhtari Hashim Thaçi”, të cilin ju e bëtë president?

    Data: 15 Nentor 2018 14:47
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera