Kthehu lart

Mungesa e vullnetit për denoncim

Mungesa e vullnetit për denoncim Faton Ismajli Autori: Faton Ismajli GazetaExpress

Në këtë situatë secila medie duhet të angazhojë një ekip të gazetarëve për të zbardhur edhe më shumë ngjarjen; duhet të merren informacione në disa adresa se kush tjetër në Policinë e Drenasit ka pasur informacione e nuk e ka denoncuar rastin; kush nuk e ka denoncuar krimin; kush prej shokëve e shoqeve të viktimës kanë ditur për abuzimin; duhet të zbardhet i tërë zinxhiri kriminal: profesor-polic-mjek, lidhjet e këtyre nëse kanë ndikuar që mos të denoncohet rasti; duhet të shihet baza ligjore mbi të cilën është kryer aborti. Qytetarët duhet të protestojnë edhe më shumë e gazetarët të zbardhin rastin dhe rastet tjera

Rasti i krimit në Drenas u gjykua dhe mori dënimin e publikut. Të jeni të sigurt se tre kriminelët – profesori, polici dhe mjeku – do të dënohen me dënime maksimale për krimin që kanë bërë me 16 vjeçaren. Krejt kjo për shkak të denoncimit dhe debatit publik. Të jehonës që i kanë dhënë mediat.

Por...

Duhet të gjurmohen, hetohen e denoncohen edhe rastet tjera. Jo vetëm sot e nesër. Por, për çdo ditë, javë e muaj.

Llogariteni sa raste të tilla janë mbyllur, fshehur e varrosur? Sa raste të denoncuara janë zhdukur në Polici e Prokurori? Sa raste të tilla janë mbyllur nëpër institucione tjera si Parlamenti, Qeveri, partitë politike, etj?

Një parti politike kishte nisur debatin për ngacmime. Por, u mbyll pa pasur asnjë rezultat.

Po shpresoj se ky rast do të ndikojë te secili prej nesh që mos të heshtim përballë krimeve të tilla.

Edhe pse duket e frikshme kur dështon sistemi i arsimit, i sigurisë e i shëndetësisë, por, shpresën s’bën ta humbim.

Duhet të gjejmë adresa për të denoncuar secilin krim, dhunim e ngacmim. Pos në organet e hetuesisë e drejtësisë t’i denoncojmë edhe në adresa tjera si në rastin konkret në media.

Kodi Penal nuk parasheh dënim me burgim të përjetshëm për një vepër kaq të rëndë penale. Kurdo që ndryshohet Kodi Penal, një vepër e tillë, duhet të ketë edhe dënimin maksimal: burgim të përjetshëm.

Në kushte ideale, kështu do të duhej të ishte kreu i një teksti për vendimin e Gjykatës:

Profesori dënohet me burgim të përjetshëm. Edhe polici që dhunoi 16 vjeçaren do të qëndrojë krejt jetën në burg. Mjekut i merret licenca dhe dënohet me 25 vite burgim për veprën e kryer.

Me nga 15 vjet burgim janë dënuar edhe dy shokët e policit që kanë fshehur rastin dhe nuk e kanë denoncuar. Drejtori i shkollës dënohet me 7 vjet burgim ndërsa 11 profesorë tjerë dënohen me nga 5 vite burgim për shkak se e kanë ditur por nuk e kanë denoncuar rastin e vajzës së dhunuar në Drenas.

Në këtë situatë secila medie duhet të angazhojë një ekip të gazetarëve për të zbardhur edhe më shumë ngjarjen. Duhet të merren informacione në disa adresa se kush tjetër në Policinë e Drenasit ka pasur informacione e nuk e ka denoncuar rastin? Duhet të kontaktohen edhe ata që i kanë qëndruar afër vajzës së dhunuar dhe, po ashtu, nuk e kanë denoncuar krimin. Duhet të merren informacione edhe prej shokëve e shoqeve të viktimës. Duhet të zbardhet i tërë zinxhiri kriminal: profesor-polic-mjek. Duhet të shihen lidhjet e këtyre nëse kanë ndikuar që mos të denoncohet rasti.

Duhet të shihet baza ligjore mbi të cilën është kryer aborti. Duhet të shihet nëse është evidentuar dhe konsultuar në tërësi ligji.

Qytetarët duhet të protestojnë edhe më shumë e gazetarët të zbardhin rastin dhe rastet tjera.

    Data: 07 Shkurt 2019 14:31
    Autori: Faton Ismajli

    Të tjera