Kthehu lart

Mos lejoni lojëra politike në arsim

Mos lejoni lojëra politike në arsim Autori: Rron Gjinovci GazetaExpress

(Letër e hapur deputetëve dhe hisedarëve politikë në Kosovë) Duke qenë se ndodhemi në një situatë të jashtëzakonshme në arsimin e lartë, e shoh të udhës të ngris përpara jush dhe autoritetit që përfaqësoni shqetësimet tona lidhur me mundësinë e ndërhyrjes në pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim si dhe për cënimin e cilësisë së arsimit të lartë në përgjithësi.

Siç mund ta dini, ORCA ka dy vite që ngritë çështjet që lidhen me publikimet shkencore dhe integritetin akademik duke monitoruar punën e Universitetit të Prishtinës. Ky presion ka rezultuar me udhëzimin administrativ 1/2018 të MAShT i cili përcakton platformat e indeksimit të revistave shkencore, punimet e të cilave duhet të merren parasysh gjatë avancimit të profesorëve nëpër institucione të arsimit të lartë.

Ky udhëzim në fillim u kundërshtua nga një numër i caktuar profesorësh e zyrtarësh të universiteteve madje disa e interpretuan edhe si ndërhyrje në lirinë akademike. Ngjashëm është interpretuar edhe puna jonë si organizatë dhe e partnerëve tanë, madje kritika jonë dhe denoncimet tona publike u krahasuan me ndërhyrjet e Sllobodan Millosheviqit në arsimin e Kosovës.

Gjendja e universitetit më të madh dhe më të mirë në vend, Universitetit të Prishtinës, ndërkohë që zhvilloheshin debate ishte alarmante. Shumica dërrmuese e profesorëve në Universitetin e Prishtinës (72%) nuk i justifikonin titujt e tyre akademik, pra kishin më pak ose fare punime shkencore siç kërkoheshin për titujt relevant. 

Në vitin 2017 në UP u evidentuan 1320 punime nga profesorët me tituj akademikë, ndërkaq mesatarja e punimeve për kokë profesori në nivel universiteti ishte 2.7 punime për profesor. Pavarësisht mospajtimeve të profesorëve dhe zyrtarëve të Universitetit, me daljen e udhëzimit administrativ 1/2018, vërehet një përmirësim i konsiderueshëm në rritjen e numrit të publikimeve shkencore dhe përmirësim i justifikimit të titujve akademikë. 

Sot, në UP evidentohen 1735 punime, me 3.7 punime për profesor si mesatare në nivel universiteti, ndërkaq mosjustifikueshmëria ka rënë në 59%, e cila edhe më tej mbetet shifër shqetësuese. Universiteti i Prishtinës ka lëvizur në rankimin e Webometrics (një faqe që mat performancën e uebfaqeve të universiteteve përmes algoritmeve, pra që duhet pasur rezerva për rezultatet e saj) për më shumë se 1000 vende brenda vitit 2018/2019. Dhe kjo ka ndodhur, në mos për asgjë tjetër, për shkak të rritjes së numrit të punimeve shkencore që erdhën si rezultat i presionit tonë dhe udhëzimit administrativ 1/2018 që rregullon këto çështje.

Këto arritje të vogla, po rrezikohen sot. Konferenca e Rektorëve në letrën me të cilën shpall grevën, në pikat 1, 2 dhe 4 sulmon pikërisht këtë udhëzim administrativ, këto përpjekje dhe këtë progres sado të vogël. 

Ndërkohë universitetet publike kanë jashtëzakonisht numër të vogël të stafit akademik e numra enormë të studentëve. Në UP për shembull, vetëm gjatë vitit 2017/2018 janë shpenzuar 2.3 milion Euro për honorare shtesë, ndërkohë me të njejta para ka qenë e mundur të punësohen më shumë se 150 profesorë asistentë, çka do ta rriste numrin e profesorëve për studentë. 

Vetëm po të shihen deklarimet e të ardhurave nga rektorët e universiteteve publike, shihet se pjesa më e madhe e tyre marrin honorar shtesë në universitetin të cilin e drejtojnë, ndërkohë ata kanë dështuar ta menaxhojnë procesin e akreditimit duke mos arritur ta plotësojnë kriterin bazik për akreditim, atë të 3 PhD të fushës për program. Kjo çështje ka të bëjë me Agjencinë e Kosovë për Akreditim dhe procesin e akreditim që zuri vend së fundi në jetën tonë publike.

ORCA është organizata që po e monitoron për së afërmi punën e Agjencisë dhe mbledhjet e bordit të saj që njihet si Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Në cilësinë e organizatës që ka monitoruar punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim - më poshtë po ju japim të dhëna nga raportet e monitorimit të mbledhjeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe analizimit të situatës konkrete.

Në shërbim të kësaj shkrese janë vënë raportet e brendshme të monitorimit të ORCA-s të mbledhjeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në datat 15 janar 2019 (nga monitoruesi Rron Gjinovci) dhe 16 janar 2019 (nga monitoruesja Adea Kondirolli). Po ashtu janë monitoruar takimet e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji më 24 janar 2019 (me pjesëmarrës Konferencën e Rektorëve) dhe më 25 janar 2019 (me pjesëmarrës Këshillin Shtetëror të Cilësisë). Po ashtu janë analizuar deklaratat publike dhe ultimatumi i Konferencës së Rektorëve i datës 21 janar 2019 si dhe legjislacioni në fuqi që rregullon çështjet e akreditimit në Kosovë.

Pas një analize të kujdesshme ORCA ka arritur të identifikojë disa pretendime kryesore të Konferencës së Rektorëve:

1. Pretendimin për probleme teknike me e-akreditim, me ç’rast nuk janë marrë parasysh formularët e një numri profesorësh lidhur me akreditimin e programeve

AKA përmes kompanisë që e mirëmban e-akreditimin e ka verifikuar (më datë 15 janar gjatë mbledhjes) vërtetësinë e pretendimit se disa profesorë kanë pasur vështirësi në regjistrim. Me të marrë vesh se 41 rastet e pretenduara kanë provuar të regjistrohen, AKA ka vendosur që t’i shqyrtojë dosjet fizike të tyre.

2. Validimi i programeve – Tërheqja e akreditimeve për programet ekzistuese që nuk i kanë 3 PhD të fushës pa bërë vlerësim nga ekspertët

Programet që tashmë janë akredituar kalojnë çdo vit në kontrollin e plotësimit të kriterit bazik, atë të 3 PhD të fushës për program. Kjo ka qenë praktikë e përvitshme e AKA në kuadër të misionit të vet për monitorimin e programeve të akredituara. Programet të cilat në të kaluarën janë akredituar pa e përmbushur këtë kriter apo të cilat në ndërkohë kanë pasur ndryshime të stafit dhe nuk kanë pasur staf kompetent nuk janë validuar, pra nuk u është vazhduar akreditimi. 

Vërejtje: kjo nuk i prek studentët që kanë filluar studimet kur këto programe kanë qenë të akredituara. Tërheqja e akreditimit nënkupton se institucionet nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë të tjerë. 

Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese, u është vazhduar akreditimi 124 programeve të universiteteve publike dhe 61 programeve të institucioneve private, ndërkohë ka tërhequr akreditimin për 74 programe, 40 të universiteteve publike dhe 35 të institucioneve private. 

3. Akreditimi dhe riakreditimi pa vlerësim ekspertësh

Programet që kanë qenë të akredituara por që u ka skaduar ai dhe kanë aplikuar për riakreditim kanë kaluar vetëm në fazën e parë të akreditimit e cila nënkupton përmbushjen e kushtit bazik të 3 PhD të fushës për program. Në këtë fazë nuk ka dhe nuk duhet sjellë ekspertët. 

4. Pretendimet se KShC nuk ka kompetencë për ta bërë vlerësimin fillestar

Sipas UA për zgjedhjen e anëtarëve të KShC është paraparë përbërja e KShC nga anëtarë që u takojnë 9 fushave të përcaktuara ndërkombëtarisht, të cilat për rrethanat e Kosovës janë rigrupuar në 4. 

ORCA konstaton se KShC është kompetente për të evidentuar nëse bartësit e programeve janë apo jo të fushës pasi për këtë nuk nevojitet ekspertizë. Ekspertiza vjen në shprehje për të vlerësuar përputhshmërinë e programit të propozuar me aktivitetet mësimore të parapara brenda tij, fazë e cila do të ndiqet për të gjitha programet të cilat e kalojnë fazën e parë, atë të përmbushjes së kriterit për 3 PhD të fushës si bartës programi.  

Në total KShC ka dhënë dritën e gjelbër për 104 programe, 53 të universiteteve publike dhe 51 të institucioneve private, ndërsa ka refuzuar 107 programe, 28 të universiteteve publike dhe 79 të institucioneve private.

5. Dyshime në evidentimin e fushave të ngushta

Nga rektorët është pretenduar se KShC nuk i ka parë temat e doktoraturave, por vetëm gradën shkencore. ORCA gjatë monitorimit ka parë se çdo bartësi të programit i është evidentuar përveç titullit, edhe tema e disertacionit sidomos në rastet kur ka pasur mëdyshje.

6. Përvoja e punës përparësi ndaj fushës së gradës shkencore

Nga Rektorët është pretenduar se persona të caktuar që kanë përvojë pune të gjatë në fushë të caktuar nuk janë llogaritur si adekuat për të qenë bartës programi. AKA nuk mund të akreditojë programe duke marrë për bazë përvojën e punës pasi ligjet dhe udhëzimet kërkojnë që përveç përvojës bartësit e programeve të jenë edhe PhD të fushës. 

7. Janë kërkuar 4 profesorë për program studimi

UA edhe në të kaluarën edhe tash kërkon 1 PhD për 60 ECTS, që i bie 3 PhD për një program Bachelor me 180 ECTS dhe dy PhD të fushës për një program Master me120 ECTS. Pretendimi se tani kërkohen 4 PhD të fushës për program me 180 ECTS dhe se kjo është ndryshim i rregullave pas akreditimit fillestar, është i paqëndrueshëm dhe i paprovueshëm nga palët pretenduese.

8. Pretendimet se në Edukim, Gazetari dhe Infermieri nuk ekzistojnë studimet e PhD

Ky pretendim është i paqëndrueshëm. Për të gjitha këto drejtime ofrohen studime të doktoratës. Nëse në Kosovë nuk ka të tillë, i bie që Kosova nuk ka kapacitete për të ofruar programe të tilla studimi, përveç nëse institucionet angazhohen në sjelljen e stafit. 

Nga sa u tha më lart ne kemi konstatuar se për arsye të ndryshme që mund të lidhen me keqinformim dhe mungesë të mirëfilltë të komunikimit mes Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, realiteti i paraqitur nga Konferenca e Rektorëve është i shtrembëruar.

ORCA ka konstatuar se, përtej çdo dyshimi të bazuar, mund të thuhet që Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk e ka shkelur legjislacionin në fuqi bazuar në tendenca politike apo mungesë profesionalizmi. Megjithatë, mundësia që të jetë përvjedhur ndonjë gabim apo lëshim i një natyre të paqëllimshme si nga anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë apo edhe nga monitoruesit e ORCA-s, mund të përmirësohet përmes ushtrimit të ankesës nga të gjitha institucionet e pakënaqura në Komisionin e Ankesave pranë AKA-s. 

I bëjmë thirrje autoritetit tuaj që të ketë vëmendje të shtuar në situatën e krijuar. Kjo për shkak të ndjeshmërisë së procesit ndërkombëtar në të cilin po kalon Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila në fund të vitit të kaluar ka dorëzuar aplikimin e saj për riakreditim pranë ENQA-s. Vendimi për shqyrtimin e aplikimit të AKA-s do të merret në 3 muajt e ardhshëm dhe çfarëdo lëndimi i proceseve të brendshme të akreditimit mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme për AKA-në në nivel ndërkombëtar e rrjedhimisht për të gjithë studentët e ardhshëm të vendit tonë. 

Duke shpresuar se ju kemi informuar për gjendjen e me shpresën se do ta përdorni autoritetin tuaj për ta mbrojtur cilësinë e arsimit të lartë nga lojërat politike që po i pushtojnë institucionet publike në vendin tonë, po e mbyll këtë letër. 

    Data: 29 Janar 2019 10:20
    Autori: Rron Gjinovci

    Të tjera