Kthehu lart

Liberalizimi i rrenës

Liberalizimi i rrenës Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Tash e një dekadë, në vend që të liberalizohen vizat, në Kosovë janë liberalizuar rrena e mashtrimi, padituria e arroganca, nepotizmi e korrupsioni, shteti i kapur e krimi i organizuar. U premtua punësim e zhvillim, por u ofrua përbuzje e injorim

Ishte dita e fundit e nëntorit, e viti 2010, kur Hashim Thaçi po jepte një premtim elektoral. Po thoshte se nën qeverisjen e tij kosovarët do të lëviznin pa viza brenda 15 muajsh, që i binte më së largu në fillimmarsin e vitit 2012. Hashim Thaçi e fitoi edhe një mandat qeverisës në krye të të cilit ishte katër vjet dhe një tjetër, në të cilin bashkëqeverisi me LDK’në, por liberalizimi nuk ndodhi. Pas Isa Mustafës në krye të qeverisë erdhi Ramush Haradinaj. Ka kaluar një vit në krye të qeverisjes dhe liberalizim nuk ka. Haradinaj, madje, kishte premtuar se lëvizja e lirë do të ndodhte pas tre muajsh të tij në krye të qeverisë.

Që nga vitit 2010 premtime për heqjen vizave ka dhënë kush është çuar i pari, pa pikë turpi e përgjegjësie. Madje kanë festuar edhe me shampanjë, të bindur se gjithçka kishte marrë fund. As sivjet udhëheqësit kryesorë të vendit nuk janë kursyer në premtime, nuk janë kursyer në rrena.

Më 25 mars, presidenti Hashim Thaçi tha se liberalizimi do të ndodh brenda këtij viti. “Mund të ndodh në vjeshtën e hershme”, theksoi ai.

I sigurt u shpreh edhe kryeparlamentari Kadri Veseli. “Jam i sigurt se në fund të këtij viti qytetarët tanë do të lëvizin pa viza në Zonën Schengen”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj ishte edhe më konkret: “Para Vitit të Ri do të lëvizim lirshëm, nuk është imagjinare”, tha ai më 16 korrik.

E ministrja Dhurata Hoxha u shpreh edhe më optimiste. “Në variantin më të vonshëm liberalizimi do të ndodh kah fundi i vitit”, tha ajo më 26 shkurt.

Rrenë, rrenë, rrenë. Mashtrim, mashtrim, mashtrim. Kështu do të thoshte Hashim Thaçi. Në fakt, që nga vitit 2010 një liberalizim ka ndodhur – liberalizimi i rrenës, liberalizimi i mashtrimit, liberalizimi i turpit i të gjithë atyre që kanë qenë e janë në pushtet.

* * *

Rrenat për liberalizimin e vizave janë veç një seri në serinë e rrenave dhe mashtrimeve që gjithë këto vite e kanë karakterizuar politikën kosovare. Të gjithëve u kujtohen premtimet për hapjen e qindra-mijëra vendeve të reja të punës, premtimet për zhvillim ekonomik, premtimet për arsim cilësor e shëndetësi cilësore, premtimet për forcim të shtetit, premtimet për përparim të përgjithshëm. Por, çka ndodhi?

Vende pune janë siguruar kryesisht për militantët partiakë, zhvillimi ekonomik ka ngecur, arsimi e shëndetësia janë si mos më keq e shteti vazhdon të jetë i brishtë. Përparim kanë njohur vetëm krimi i organizuar e korrupsioni.

Shteti i Kosovës ka mbetur në duar të elitave politike të korruptuara e të padijshme, ndërkaq qytetarët përfitojnë veç përbuzjen, injorimin e rrenën. Rrenën, të cilën të gjitha qeveritë e deritashme e kanë pasur shtyllë kryesore të programit qeverisës.

Mjafton të shihen institucionet publike se si janë mbushur plot militantë, për të konstatuar se shteti është kthyer në pronë private. Siç janë kthyer kompanitë publike, shumë nga të cilat janë mbipunësuar, janë shkatërruar dhe gjenden në prag të falimentimit. Siç janë kthyer universitetet publike, shumë nga të cilat më shumë se në vende që japin dije janë shndërruar në çerdhe punësimi militantësh të partive. Siç është kthyer edhe çdo agjenci shtetërore. Në këtë mënyrë, njerëzit që kanë udhëhequr deri tash e kanë liberalizuar papërgjegjësinë e mashtrimin, e kanë liberalizuar paditurinë e arrogancën, e kanë liberalizuar nepotizmin e korrupsionin. E kanë liberalizuar shtetin e kapur e krimin e organizuar.

* * *

Në pritje të liberalizimit të vizave pushtetarët janë pasuruar më shumë, ndërkaq qytetarët janë varfëruar më shumë. Në pritje të liberalizimit e zhvillimit, mijëra kosovarë, me viza e pa viza ia kanë mësyrë Europës, në kërkim të një jete më të mirë.

E në emër të liberalizimi janë bërë të tjera mashtrime. Demarkacioni me Malin e Zi është bllokuar tre vjet, për t’u miratuar sërish i njëjti dhe për t’u provuar të “shitet” si version tjetër. Në emër të liberalizimit janë fituar vota e janë krijuar koalicione qeverisëse.

Edhe këta dy muajt e fundit të vitit do të dëgjohen të tjera premtime për liberalizim vizash. Pushtetarët nuk e kanë hiç dert që sërish të rrejnë haptazi, siç kanë bërë sa e sa herë deri më tash. Por, ata që iu besojnë rrenave të tyre po rrallohen dita-ditës. Shumë nga ta po gjejnë mënyra të ikin jashtë, e të tjerët kanë humbur shpresat për jetë më të mirë.

Të vetmen gjë që mund t’ua ofrojnë qytetarëve e kanë premtimin për liberalizim. Vetes e të vetëve iu kanë ofruar të tjera gjëra. Ata dhe të vetët nuk kanë nevojë për viza. As për para. Sepse e kanë shtetin e vet. E kanë liberalizuar pronësinë mbi shtetin.

    Data: 31 Tetor 2018 10:58
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera