Kthehu lart

Kravatat që ngulfatin

Kravatat që ngulfatin Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Ramush Haradinajt po i hakmerret lakmia për të ardhur në pushtet me çdo kusht, duke e thyer edhe premtimin se nuk do të qeveriste me PDK’në. Po i hakmerret edhe vendimi për dyfishimin e pagës vetes, me arsyetimin se i duhen para për të blerë këmisha e kravata. Kravata që ngulfatin, ndërkohë që vendi po vlon nga grevat e protestat

Nisi me kravata, e mund të përfundojë me skllotë. Ose me lloç. Kështu mund të përshkruhet periudha e qeverisjes së Ramush Haradinajt, po që se PDK vërtet vendos ta dërgojë atë në shtëpi, siç ka vepruar më parë me LDK’në.

Kur në fillim të mandatit Haradinaj ia dyfishoi pagën vetes dhe të vetëve (pa qëllim, automatikisht, edhe gjykatësve e prokurorëve), tha se e kishte marrë atë vendim pasi që po i duheshin para për të blerë këmisha e kravata, të nevojshme për takimet e shumta zyrtare që kishte. “Unë obligohna një kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna një këmishë. Duhna me qenë në nivel të përgjegjësisë”, kishte deklaruar ai në një intervistë për RTK.

Vendimin e tij, Haradinaj vazhdonte ta mbrojë me ngulm, ashtu si dhe bashkëpunëtorë të tij, veçanërisht këshilltarët e shumtë. Por, ky veprim i kryeministrit ngjalli reagime e neveri gjithandej vendit.

Në shtetin më të varfër të Europës, kryeministri dhe udhëheqësit tjerë shtetërorë, ministra e deputetë, një armatë zëvendësministrash e këshilltarësh paguhen më shumë se në secilin shtet të rajonit.

Në shtetin me nivelin më të lartë të papunësisë e të varfërisë, ndër vendimet e para të kryeministrit ishte dyfishimi i pagës së vet. Veprim i paprecendent dhe i gabueshëm, që ia hiqte të drejtën morale për të kundërshtuar secilin qytetar që kërkonte t’i rritej paga. Ashtu siç ndodhi një vit pasi ai mori vendimin e famshëm, kur kategori të ndryshme të shoqërisë, që nga mësimdhënësit e mjekët e deri të shërbyesit civilë kërkojnë paga më të mëdha, kërkojnë koeficientë më të mëdhenj dhe më të dinjitetshëm në ligjin për paga.

Me veprimin e tij, Haradinaj ua hapi derën të gjithëve që të kërkojnë më shumë. Gjithçka tjetër që bëri më pas mbeti nën hijen e dyfishimit të pagës së tij. Për këmisha e kravata.

* * * *

Kush ka të drejtë morale t’iu thotë këtyre njerëzve që nuk meritojnë më shumë? Kryeministri, presidenti, kryeparlamentari? Deputetët, ministrat a zëvendësit e tyre? Koordinatorët, këshilltarët? Asnjëri nga ta. Sepse të gjithë paguhen shumë më shumë se ata që po kërkojnë mirëqenie e dinjitet. Thuajse të gjithë e shohin pushtetin, politikën mundësi për të përfituar, për t’u pasuruar.

Është e vërtetë: sistemi shëndetësor dhe arsimor janë më të dobëtit në rajon. Shërbimet e ofruara në spitale lënë për të dëshiruar, ashtu si dhe performanca e mësimdhënësve. Resultatet e testit PISA tregojnë gjithçka.

Por, çfarë ka qenë dhe është performanca e të gjitha qeverive, e të gjithë qeveritarëve karshi pagave të majme që marrin? Çfarë performance kanë treguar e po tregojnë deputetët, për rrogat e mëdha dhe privilegjet që gëzojnë gjatë dhe pas mandatit? Çfarë është performanca e gjykatësve e prokurorëve?

Mbi çfarë kriteresh u vendosën koeficientë aq të lartë për zyrtarë qeveritarë, e shumë më të ulët për kategori të tjera të të punësuarve? Bazuar në kritere të arsimimit, performancës, apo vetëm se ata janë politikanë dhe u dashka të kenë paga të majme? Dhe, mbi të gjitha, kush ka moral politik t’i dalë përballë armatës së të pakënaqurve? Ata që ia kanë rritur rrogat vetes dhe të vetëve?

* * *

Para se të bëhej kryeministër, qytetarët kishin njëfarë besimi në Ramush Haradinajn. Besonin se ishte person që e mban fjalën. Besimi nisi të zbehej që kur u bë pjesë e koalicionit PAN, ndonëse kishte thënë se nuk do të qeveriste kurrë me PDK’në. Mosbesimi u bë edhe më i thellë kur ai ia dyfishoi pagën vetes. Shpejt u kuptua se edhe ai nuk dallonte nga të tjerët, se kishte vendosur të qeveris si paraardhësit e tij, duke rehatuar nëpër poste familjarë e militantë partiakë, duke favorizuar grupe të ndryshme interesi. Shpejt u kuptua se edhe ai e dëshironte hisen e tij nëpër institucione, agjenci e kompani publike. Ashtu si PDK. Ashtu si partnerët tjerë në koalicion.

PDK tashmë ka traditë në rrëzimin e qeverive pjesë e të cilave është, nëse nuk i realizohet ndonjë qëllim politik. Kështu mund të ndodh sërish, tash me Haradinajn kryeministër. Por, kurdo që ndodh kjo, Haradinaj më së shumti do të mbahet mend për vendime e veprime të pamatura. Vendime e veprime që irritojnë shumicën e qytetarëve të vendit më të varfër në Europë, të vendit që nuk po arrin të çlirohet nga kapja, nepotizmi, kriminalizimi e korrupsioni, fenomene këto autorësinë e të cilave e mbajnë “këmishat e bardha”. Këmishat me kravata që kushtojnë aq shtrenjtë, sa ka nevojë të dyfishohen pagat. Me kravata që ngulfatin.

    Data: 29 Janar 2019 15:45
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera