Është koha të rebelohemi ndaj atij që e bazon politikën mbi cinizmin

Thonë se t’i kundërvihesh erës ksenofobe nuk sjell vota. Bile, se e luan lojën e Salvinit. Prandaj, do të ishte më mirë të heshtësh. Mirëpo, duhet të flasim. Gjithmonë

Roberto Saviano

Nuk bëhet fushatë zgjedhore me lëkurën e njerëzve, me lëkurën e 629 vetave, me lëkurën e 123 minorenëve të pashoqëruar, 11 fëmijëve dhe shtatë grave shtatzëna. Nuk bëhet fushatë zgjedhore me lëkurën e atij që e ka përjetuar ferrin në tokë dhe në det. Nuk e di më sa herë i ka thënë këto dhe shkruar këto pohime të thjeshta të buon sensit dhe humanizmit. E nuk e di më sa herë “miq të së majtës” më kanë ftuar të resht së foluri për emigrantët, zbarkimet, pritjen, lagerët libikë. «Po e luan lojën e Salvinit», «sa më shumë që flet, aq më shumë e djathta ksenofobe përforcohet». Si të mos i bashkëlidh ata që më ftojnë të hesht rreth Ojq-ve («është për të mirën tonë, Robbe’») me ata që më thonë se të flas për mafien e përbalt vendin (i bën keq markës made in Italy), ose krijon rivalitet? Nuk e di më sa veta, “të së majtës”, më kanë ftuar gjatë këtyre viteve të hesht pa e kuptuar se nuk ishin problemi fjalët e mia – rreth mafies dhe imigrimit – por pavendosmëria e tyre, arsyetimet që u bënin, andej e këndej, atyre që pohonin se ndiheshin të pushtuar.

I kanë trajtuar zgjedhësit, telespektatorët dhe lexuesit si idiotë, ua kanë dhënë atyre atë që instinktet e tyre më të ulëta e prisnin. Për të mos folur për kolegët shkrimtarë, pjesa më e madhe e të cilëve ka vendosur se ajo që po ndodh në këtë vend nuk mund të ketë pasoja mbi ta, mbi shkrimet e tyre dhe se letërsia nuk mund të përbaltet me deklarata mbi këtu e tash.

T’u japësh zgjedhësve, lexuesve dhe telespektatorëve atë që duan do me thënë, nga njëra anë, t’u shkosh pas frikave të tyre pa u munduar të shpjegosh a janë të nxitura, jo thjesht të pabazuara, por të nxitura. Nga ana tjetër, do me thënë të ndiesh nevojën të jesh në treg në mënyrë kompetitive. Të shprehësh një mendim do me thënë të rreshtohesh dhe shpesh të rreshtohesh do me thënë të mos jesh në anën e shumicës dhe nëse nuk je në anën e shumicës i humb lexuesit dhe telespektatorët. Bile i humb edhe zgjedhësit. E atëherë pyetja (një pyetje në fund e thjeshtë) është: e mundshme që për t’u bërë hesap paska, për të qenë i dukshëm, i lexuar dhe i zgjedhur duhet t’i bësh të fitojnë “rregullat e tregut” që, sot si gjithmonë, presupozojnë një komponentë të fortë cinizmi që u shkon për shtati dëgjimeve dhe shitjeve, por që e çon vendin drejt rrënimit të plotë? Përgjigjet në këtë pyetje janë nga më fantastiket. Po e marr atë që më jepet më së shpeshti: «Saviano, çka kanë bërë miqtë e tu buonistë? Nëse jemi në këtë gjendje, përgjegjësia është pikësëpari e tyre».

Ky pohim do të meritonte një përgjigje më të artikuluar. Do të mund të thosha, ndërkohë, se nuk janë miq të mi, se unë nuk i konsideroj të tillë dhe se ata nuk më konsiderojnë mua mik apo aleat. Sigurisht, doktrina Minniti na ka sjellë saktësisht këtu ku jemi. Vitin e kaluar Marco Minniti, në atë kohë ministër i Brendshëm, së pari kërcënoi se do t’i mbyllë portet, duke lëshuar një komunikatë leghiste që ia ka sheshuar rrugën Salvinit dhe e ka përforcuar bindjen se M5S tashmë e kishte, se të shtiesh mbi emigrantët (të shtiesh, në kuptimin metaforik), ishte rruga e drejtë që duhej ndjekur. Këto janë gabimet e “miqve buonistë” të mi: t’i sfidonin racistët dhe ksenofobët në vetë terrenin e tyre, të propozonin zgjidhje të rreme pa i trajtuar italianët si persona me një tru dhe një zemër dhe pjesën tjetër të botës, mbi të gjitha atë në jug të Mesdheut, si llum që duhet hedhur. Ndërsa, njerëzit e përtej Alpeve, sipas politikës italiane, janë veriorë pa zemër. Italia qenka e rrethuar: në jug nga barbarët që e kanë mendjen veç të pushtojnë, në veri nga aleatët e shpërqendruar që do ta linin veten në dorën e pushtuesve.

Në mes, një vend që po vdes. Një vend që ka nevojë për qytetarë të rinj dhe i nevojiten si ajri, si gjaku. Në sfond një politikë, e së majtës dhe e së djathtës, që jo vetëm që ka reshtur së përballuri me sfidat që politika duhet t’i pranojë, zgjidhë dhe mposhtë, por një politikë që ndien për jugun një neveri që tashmë nuk mundohet më as ta fshehë. Të punosh për pritjen dhe ta bësh një sektor virtuoz, do të thotë të përballesh edhe një herë me ndërhyrjet e organizatave kriminale, do të thotë të ballafaqohesh me organizatat që përfitojnë në gjithçka, që riciklohen brenda pak kohësh, që nëse nuk është pritja, është bonifikimi, nëse nuk është bonifikimi, është rindërtimi i zonave të tërmeteve, nëse nuk është rindërtimi i zonave të tërmeteve, është veprat e mëdha. Çka të bëjmë? Ta dënojmë veten me vdekje për të mos ua dhënë rastet mafies? Të abdikojmë ta bëjmë detyrën tonë për të jetuar të qetë? Për të mos i bezdisur mafiet?

Unë jam shembulli i gjallë i asaj çka do të thotë të jesh i jugut dhe të merresh me jugun: do të thotë të bezdis, do të thotë t’i them vetes vazhdimisht: «Roberto, po çka dreqin ke? Pse në vend se ta prishësh gjakun nuk po e gëzon jetën?».

Italia po e përjeton orën e saj më të errët, pre e një të djathte ksenofobe dhe e një partie popullsite të çorganizuar dhe tashmë të gllabëruar nga pulsionet më të ulëta, e megjithatë kur çdo gjë duket e humbur, vërejmë një dritë. Derisa PD kërkon – me mendjen time, më kot – t’i bëj bashkë copat, një opozitë ndaj barbarisë tashmë ekziston. Opozita janë Mimmo Lucano dhe Aboubakar Soumahoro. Shkoni te ta jo për ta vënë një yllëz në jakë për ta treguar në Romë. Shkoni te ta për të qëndruar aty. Shkoni të mësoni çka do të thotë të bësh politikë, çka do të thotë ta duash politikën. Ata janë lumi plot me të cilin mund të bashkohemi, jo rrekëze për t’u kooptuar.

Marrë nga: L’espresso.it

Përktheu: Gazeta Express

Të tjera

Lajmet e fundit