Kthehu lart

Ekonmiksi ekologjike dhe Dita e Tejkalimit të Tokës

Ekonmiksi ekologjike dhe Dita e Tejkalimit të Tokës Autori: Zeqir Veselaj GazetaExpress

Nga data 1 gusht 2018, njerëzimi tejkalon shpenzimin e asaj që natyra prodhon për një vjet. Për pesë muajt e ardhshëm duhet të merr apo huazoj nga prodhimi i vitit tjetër. Me avancimet e intelektit dhe teknologjisë, njeriu mund të manipuloj me atë se sa dhe si konsumon resurset natyrore, por shumë pak ndikim ka në atë se sa prodhon natyra me ligjshmëritë e saj.

Në aspektin ekologjik, Toka paraqet një ekosistem dinamik në të cilin vazhdimisht ndodh procesi i rrjedhjes së materies dhe energjisë, si procese të ndërlidhura pandashëm në mes vete. Për prodhim të biomasës nga ana e bimëve (prodhuesit) nevojitet energjia e diellit, e cila lidhet dhe kthehet në energji kimike të kapshme për konsum nga ana e konsumuesve: shtazëve dhe njeriut. Ky prodhim deri në dy shekujt e fundit ka pasur një konstantë të veten, të cilin ndërkohë e ka ç`rregulluar rubineti i quajtur teknologji. Përderisa te komponenta e mënyrave dhe shpejtësisë së konsumit, teknologjia ka bërë avancime të mëdha, tek ajo e prodhimit nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Kjo sepse vëllimi kryesor i biomasës që prodhohet nga bimët është jashtë mundësisë së ndikimit të teknologjisë për ndryshim të parametrave. Pra prodhimtaria varet kryekëput nga faktori jo-njerëzor.

Dita e Tejkalimit të Tokës (Overshoot Earth Day) sivjet filloi me datën 1 gusht 2018. Dita e tejkalimit është data në të cilën njerëzimi ka shfrytëzuar resurset e vitit të cilat Toka mund t`i prodhoj apo regjenoroj brenda një viti. Për të kuptuar këtë duhet analizuar konceptet bazë të gjurmës ekologjike, gjurmës së karbonit dhe biokapacitetit.

Gjurma ekologjike (Ecological footprint) mat sipërfaqen tokësore (por edhe ujore) e cila na duhet për të prodhuar ushqim, tokën për banim si dhe kërkesën për të absorbuar mbeturinat tona dhe CO2 e gjeneruar. Gjurma ekologjike është kërkesa e njerëzimit mbi natyrën për ushqim, ujë, veshje, strehim. Gjurma ekologjike e një shteti është shuma e të gjithë sipërfaqeve (tokë, ara, baza e  peshkimit,  kullosa, tokë ndërtimore, pyje dhe sipërfaqe ujore) që duhen për të prodhuar ushqim, hapësira që duhet për infrastrukture si dhe për të absorbuar mbeturinat dhe dioksid karboni që gjenerohen kur përdoret energjia. Gjurma ekologjike totale e një shteti përcaktohet nga popullsia dhe gjurma ekologjike mesatare e secilit banor të tij. Gjurma ekologjike mesatare është funksion i sasisë së mallrave dhe shërbimeve të konsumuara, burimeve të shfrytëzuara si dhe mbeturinave e CO2 të gjeneruara për prodhimin e tyre. Në vitin 2005, gjurma ekologjike globale ishte 17.5 miliard ha global (gha) ose 2.7 gha për kokë banori (1gha= 1ha me aftësi për të prodhuar resurse për jetë dhe për të absorbuar mbeturinat tona dhe CO2). Secili banor i Tokës ka në dispozicion aq për të plotësuar gjithë nevojat jetësore të tij.

Biokapaciteti është vëllimi i prodhimit që japin sipërfaqet biologjikisht produktive të pyjeve, kullosave, livadheve dhe tokave bujqësore. Biokapaciteti pra është mundësia, apo oferta nga natyra. Biokapaciteti nuk është i shpërndar njësoj në tërë planetin, kështu që gjysma e biokapacitetit global është e koncentruar në 8 shtete: SHBA, Brazil, Rusi, Kinë, Kanada, Indi, Argjentinë dhe Australi. Sipërfaqja totale produktive ose biokapaciteti me 2005 ishte 13.6 miliard gha ose 2.1 gha për kokë banori. Në momentin kur gjurma ekologjike (kërkesa) është më i madh se biokapaciteti (oferta, mundësia), atëher shteti, rajoni apo vetë planeti Tokë hyn në deficit (borxh ekologjik).

Për të parë se a jemi të balancuar ose jo në aspektin ekologjik duhet të krahasojmë gjurmën ekologjike me biokapacitetin. Global Footprint Network secilin vit e kalkulon Ditën e tejkalimit pikërisht duke u bazuar në krahasimet e gjurmës ekologjike dhe biokapacitetit të Tokës.

Dita e tejkalimit deri në vitet e 60 ishte përtej 1 janarit të vitin pasues. Pra natyra prodhonte aq sa njerëzimi edhe shpenzonte gjithë vitin. Në vitin 1970 kjo datë për herë të parë zbriti në 29 dhjetor. Për gjysëm shekullin në vijim kjo ditë u ”shkurtua” gradualisht për 5 muaj duke ardhur sivjet me 1 gusht 2018. Ky shkurtim lidhet me rritjen e popullatës botërore e cila që nga vitin 1970 është rritur për 104% (më tepër se dyfishim). Bernard Zobrist, personazhi fanatik te romani “Ferri” i Dan Brown e pasqyron kështu: njerëzimit iu dashtën 100000vjet për të arritur në 1 miliard, ndërsa 100 vjet për tu bërë 2 miliard dhe 50 vjet për të arritura në  4 miliard. Aktualisht po i afrohemi shifrës 8 miliard. Kjo rritje kërkon rritje të plotësimit po kaq të shpejt të kërkesave për ushqim, strehim, veshmbathje, transport etj. Mirëpo, sipas teorisë Maltusiane, përderisa njerëzimi rritet me progresion gjeometrik (1,2,4,8, 16…) resurset natyrore rriten me progresion aritmetik (1,2,3,4,5…). Kështu që balancimi është i vështirë.  

Në terma më të thjeshtë, Dita e tejkalimit mund të krahasohet me pagën vjetore në konton personale të planifikuar për 12 muaj shpenzime e të cilën e shpenzon për vetëm 7 muaj. Prej asaj dite duhet ose të shfrytëzohen kursimet eventuale ose të merret kredi deri në vitin tjetër. Edhe më thjeshtë, Dita e tejkalimit nënkupton që ushqimin e planifikuar për krejt vitin ta konsumojmë në 7 muaj. Pjesën tjetër të vitit duhet ta kalojmë duke marrë borxh nga fqinjët për t`ua kthyer vitin tjetër.

Kostoja e mbikonsumit po reflektohet çdo ditë në formën e shpyllëzimeve, humbjes së biodiversitetit, thatësirave si dhe rritjes së koncentrimit të CO2 në atmosferë. Mbi-konsumi apo deficiti ekologjik i fut shtetet në rreziqe ekonomike pasi që si pasojë e mungesës së resurseve natyrore është vështirë që një ekonomi të operoj. Sipas të dhënave të fundit, rreth 80% e popullatës botërore jeton në shtetet që janë në deficit ekologjik. Mungesa e resurseve e bën të varur ekonominë e një vendi apo regjionin nga importi i resurseve bazë natyrore për jetë. Importi i këtyre resurseve e rrit nevojën e transportit që reflektohet në shpenzimin e derivateve fosile dhe lirimin e CO2. Sot CO2 përbën 60% të gjurmës ekologjike globale dhe tanimë më shumë flitet për gjurmën e karbonit (Carbon footprint) se sa për gjurmën ekologjike. Importi i resurseve natyrore gjithashtu e rrit çmimin e produkteve.

Secili nga ne mund ta mas gjurmën e vet ekologjike. Nëse e njeh gjuhën angleze, mjafton të hysh në http://www.footprintcalculator.org dhe llogarit atë sipas mënyrës së ushqimit, llojit të banimit dhe transportit, konsumit të energjisë dhe sasisë së mbeturinave të gjeneruara. Me këtë trend të gjurmës ekologjike dhe biokapacitetit, për plotësimin e nevojave të njerëzimit sot na duhet jo një planet (që e kemi) por 1.7 planete apo  edhe rreth 2/3 e një planeti rezervë (e që nuk e kemi).

Shtetet me të ardhur të larta gjurmën ekologjike e kanë më të lartë në raport me atë global ndërsa që biokapacitetin e kanë të vogël. Shtetet me të ardhura të larta, gjatë periudhës 1961-2005 e kanë rritur gjurmën e vet ekologjike për 76%, rritje e cila lidhet kryesisht me rritjen e gjurmës së karbonit të tyre. Shtetet të cilat gjurmën ekologjike e kanë më të lartë se sa biokapacitetin e tyre quhen boxhli apo debitor ekologjik. Ekosistemi i tyre nuk i plotëson nevojat vjetore të prodhimit dhe ato zakonisht mbeten në borxh. Shtetet të cilat biokapacitetin e kanë më të lart se sa gjurmën ekologjike janë kreditor ekologjik.

Gjurma jonë ekologjike dhe Dita e tejkalimit varen kryekëput nga mënyra jonë e konsumit të produkteve dhe e gjenerimit të mbeturinave dhe dioksid karbonit. Mbikonsumi siç po ndodh në vendet e zhvilluara dhe një pjesë të vendeve në zhvillim e rrit borxhin ekologjik, gjë që përcillet me degradimin ekologjik e kjo dërgon drejt kolapsit ekologjik. Për këtë kolaps ekologjik po e ngrisin zërin me të madhe institucionet ndërkombëtare që mirren me zhvillimin e qëndrueshëm dhe organizatat më të mëdha mjedisore. Kolapsi ekologjik nuk është “zhurmë e ekzagjeruar” nga ambientalistët, por nëse jo në përmasat e tij po duken shenjat e para të shfaqjes së tij në formën e ndryshimeve klimatike, ndotjes së oqeanit botëror, humbjes së biodiversitetit global, kimizimit të jetës tone, sëmundjet me bazë ndotjen etj.

Se ku ndodhet Kosova në këto terma, sa është gjurma ekologjike dhe ajo e karbonit e vendit, sa është biokapaciteti, cila është Dita e tejkalimit të Kosovës, janë pyetje që duan përgjigje nga shteti më i ri në Evropë. Këto përgjigje sigurohen me hulumtime të detajuara shkencore e të cilat duhet të mbështeten në mënyrë që politikat zhvillimore të vendit dhe vendim-marrja të bëhen mbi bazën e informacionit të bazuar në hulumtime.

Prof. dr. Zeqir Veselaj, ligjërues në UP

    Data: 09 Gusht 2018 08:35
    Autori: Zeqir Veselaj

    Të tjera