Kthehu lart

Bingo Qeveria

Bingo Qeveria Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Të pretendosh se do të ulësh papunësinë e do të luftosh kriminalitetin duke stimuluar biznesin e lojrave të fatit është marrëzi. Ky biznes varfëron e shkatërron qytetarët, por mund të pasurojë grupe të caktuara interesi, që në të shumtën e rasteve “qëllon” të jenë të lidhura me politikën

Nga një janari në Shqipëri do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë dhe bastet sportive, por në Kosovë pritet të lulëzojë ky biznes. Qeveria e Ramush Haradinajt zgjidhjen për uljen e nivelit të lartë të papunësisë dhe luftimin e të këqijave të tjera e sheh tek lojarët e fatit. Bazuar në një koncept-dokument të miratuar javën e kaluar, që u publikua në “Koha Ditore”, qeveria synon që barrierat ligjore të vëna për lojrat e fatit të hiqen dhe, në këtë mënyrë, mirëqenia e qytetarëve do të rritet, do të krijohen shumë vende të reja pune dhe do të luftohen dukuri negative, si vetëvrasjet e kriminaliteti.

Mjafton për të parë rastin e Shqipërisë dhe për të vërtetuar se lojrat e fatit, bastet e varfërojnë, nuk e zhvillojnë vendin. Vetëm brenda një viti, qytetarët e Shqipërisë llogaritet të kenë shpenzuar rreth 150 milionë dollarë në lojra fati, nga të cilat mbi 90 milionë në kazino e mbi 30 milionë në baste sportive.

Vendimin e qeverisë shqiptare e ka mbështetur edhe presidenti Ilir Meta. “Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhuara ky fenomen. Bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme…”, ka thënë ai.

Në Kosovë, në mungesë të vendeve të reja të punës, qeveria ka zgjedhur të stimulojë këto lojra. Sërish do të mund të shohim baste kazino të hapura afër shkollave, sërish në emër të “zhvillimit ekonomik” grupe të caktuara interesi do të pasurohen shpejt, ndërkaq varfëria e kriminaliteti vetëm sa do të shtohen.

Të pretendosh se do të ulësh papunësinë e do të luftosh kriminalitetin duke stimuluar biznesin e lojrave të fatit është marrëzi. Ky biznes varfëron e shkatërron qytetarët, por mund të pasurojë grupe të caktuara interesi, që të të shumtën e rasteve “qëllon” të jenë të lidhura me politikën.

* * *

Zhvillimi i lojrave të fatit nuk nënkupton zhvillim ekonomik, siç pretendon qeveria. Përkundrazi, është indikator i gjendjes së rëndë ekonomike. Kosovarëve të izoluar e të pashpresë në vend të vendeve të punës e perspektivës për një jetë më të mirë, si alternativë iu ofrohen lojrat e fatit. Si alternativë po iu ofrohet bingoja.

E me logjikën e bingos funksionon edhe qeveria. Sa e sa njeriu i “ka rënë bingo” duke u bërë pjesë e qeverisë, si pjesë e pazareve partiake. Sa ministra e zëvendësministra, koordinatorë e këshilltarë gëzojnë paga e privilegje nga paratë tona, si rezultat i pazareve që kanë sjellë qeverinë më të madhe ndonjëherë.

Pavarësisht premtimeve, qeveria nuk ia ka dalë të siguojë zhvillim e mirëqenie për qytetarët. Ndër të parët nuk ka qenë ndonjë vendim qeveritar që do të shkonte në funksion të zhvillimit ekonomik, por vendimi për rritje pagash të kabinetit qeveritar.

Sot pjesë e Qeverisë janë njerëz që nuk dinë çfarë punojnë, nuk kanë çfarë punojnë, nuk janë aty për të punuar çkadoqoftë, por vetëm si rezultat i ndarjes partiake të tortës së pushtetit dhe interesave të tjera.

Në vend se të ofrojë arsim cilësor e perspektivë për të rinjtë, qeveria ofron bingo e kazino. Në vend të qendrave rekreative, qeveria ofron bastore. Dhe pretendon se në këtë mënyrëdo të krijojë vende pune, do të zhvillojë vendin, do të ulë kriminalitetin. Marrëzi pa fund.

* * *

Zyrtarët qeveritarë përsëritin vazhdimisht se kjo qeveri ka punuar shumë që nga marrja e mandatit. Përmendin qindra e qindra vendime e veprime që janë ndërmarrë, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Në fakt, qeveria ka shpërndarë para sa ka mundur dhe ku ka mundur, në përpjekje për të blerë paqen sociale. Grupe të ndryshme të shoqërisë kanë përfituar nga qeverisja Haradinaj, por zhvillimi ekonomik ka ngecur. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vendeve të punës jo që është rritur, por është zvogëluar.

Projekti i promovuar si më i madhi ndonjëherë, ai i termocentralit “Kova e Re”, nuk është e sigurt nëse do të ndërtohet, pas tërheqjes së Bankës Botërore. Shpresa e vetme e të rinjve dhe jo vetëm ka mbetur liberalizimi i vizave dhe mundësia e emigrimit jashtë, në kërkim të një jete më të mirë. Së shpejti do t’iu ofrohet edhe një mundësi shtesë: bastore e kazino me bollëk.

Nga heqja e barrierave dhe nga lehtësirat që pritet të krijohen për bastore e kazino, përfitimet për dikë do të jenë të mëdha. Mund të hapen edhe disa vende pune, por qytetarët do të varfërohen edhe më shumë. E sa më shpejt që varfërohen qytetarët, po aq shpejt do të pasurohen ata që do të përfitojnë ngas qasja e re e qeverisë ndaj lojrave të fatit. Nga marrëzia e qeverisë.

    Data: 28 Dhjetor 2018 10:39
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera