Kthehu lart

BE-ja po e toleron glorifikuesin e Millosheviqit

BE-ja po e toleron glorifikuesin e Millosheviqit Autori: Muhamet Hamiti GazetaExpress

Udhëheqësit e vendit tonë duhet të bëjnë çmos që të ruhen pavarësia e sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i vendit, por edhe kujtesa për sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi

Ishte për marre reagimi i BE-së ndaj deklaratave të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që e çonte në qiell shefin e vet Sllobodan Millosheviq si ‘lider të madh serb me qëllimet më të mira’, madje duke kritikuar udhëheqësit serbë që e kishin dorëzuar Millosheviqin dhe gjeneralët e tij në Tribunalin e Hagës. Një reagim i vakët, sa me thanë. Kritikë e butë, e nënkuptuar, ndaj Vuçiqit, si të frikësohej BE-ja se po e lëndonte një shpirt fort të brishtë, e jo zyrtarin e dikurshëm të Qeverisë së Luftës në Beograd. 

Zëdhënësja e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, s’mundi të thoshte më shumë se kaq, duke lexuar komente të parapërgatitura, si reagim ndaj fjalimit glorifikues të Vuçiqit: “pajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore do të bëhen të mundshme vetëm nëse hedhen poshtë dhe tejkalohen politikat e të kaluarës”, pa përmendur as lavduesin Vuçiq as të lavduarin Millosheviq me emër, aq më pak duke i qortuar me emër. Kociançiq, po të donte shefja e saj, do të mund të përkujtonte se Millosheviqi ishte akuzuar në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë për gjenocid në Bosnjë dhe krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës në Kosovë, ta zëmë. Poashtu, për krime të ngjashme në Kroaci. Ai i shpëtoi dënimit sepse vdiq në burg. Nofka ‘Kasapi i Ballkanit’ udhëheqësit serb Millosheviq nuk i është ngjitur kot universalisht: ai ishte përgjegjës për krimet më të rënda të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Reagimet e vakëta nga BE-ja ndaj fjalimit mburrës të Presidentit serb për Kasapin serb, xhelatin e qindra mijëra njerëzve në ish-Jugosllavi, duke përfshirë mbi 12.000 shqiptarë të Kosovës, paevitueshëm shtyjnë njeriun me kujtesë historike të bluajë në mend një situatë të ngjashme, sigurisht jo të njëjtë, se situatat të njëjta s’janë kurrë. Çka do të thoshte dikush në BE, në Perëndim përgjithësisht, sikur, në një situatë hipotetike, një Kancelar gjerman të lavdonte Hitlerin njëzet vjet mbas Luftës së Dytë, aty nga mesi i viteve 1960? Fundja kurdo, më herët a më vonë. Çka do të ndodhte po qe se ndonjë kryeministër i Spanjës do ta glorifikonte Gjeneralin Franco, apo ndonjë lider shtetëror i Italisë Mussolinin? Evropa dhe SHBA-të do të tmerroheshin. Aksioni kundër një qeverie a udhëheqësi të tillë do të ishte i shpejtë dhe i pakompromis.

Nuk është histori e moçme situata e fillimvitit 2000, kur, në Austri lideri i Partisë Austriake të Lirisë (FPÖ), Jörg Haider, korri rezultate të mira elektorale dhe hyri në koalicion me Partinë Popullore Austriake (ÖVP) të Wolfgang Schüsselit. Publiku në Austri u trondit. (Kam qëlluar për vizitë në Vjenë në atë kohë dhe e kam parë e ndjerë atë situatë.) Edhe më shumë BE-ja. Shefat e qeverive të 14 vendeve të BE-së patën vendosur ndërprerjen e bashkëpunimit me Qeverinë e Schüssel-it, që detyroi Haiderin të jepte dorëheqje në fund të vitit 2000 nga detyra e liderit të partisë së vet. Toleranca ndaj politikave të djathta ekstreme ishte në shkallën zero në Evropë.

Situata ka ndryshuar, natyrisht, në këto 18 vjet. Në Hungari e Poloni kanë ardhur në pushtet forca demokratike joliberale, politikat qeveritare të të cilave BE-ja i sheh si nëpërkëmbje të vlerave themelore evropiane (të BE-së, më saktë). Këto vende po përballen me veprime disiplinore nga pjesa tjetër e BE-së. Hiç më larg se sot, e mërkurë, 12 shtator 2018, Parlamenti Evropian ka votuar për nisjen e procedurave disiplinore kundër Hungarisë mbi bazë të pandehmave për shkelje të vlerave themelore të BE-së nga Qeveria e Viktor Orbanit, e cila akuzohet për sulme ndaj medias, ndaj pakicave kombëtare, dhe për nëpërkëmbje të sundimit të ligjit në Hungari. Nëse miratohet kjo nga udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së, Hungaria do të përballet me veprime disiplinore të BE-së. 

Për t’u kthyer te fillimi, pyetja shtrohet vetvetiu: pse tolerohet nga BE-ja nëpërkëmbja e vlerave evropiane te një vend kandidat për anëtarësim, siç është Serbia? Pse i falet Vuçiqit të glorifikojë kriminelin më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore? Për më tepër, çfarë kuptimi ka të lavdohet Vuçiqi nga politikanë e diplomatë perëndimorë si ‘udhëheqës i guximshëm’, siç u quajt këto ditë, madje edhe pas vizitës së tij në Kosovë ku bëri komentet e liga, që fyen miliona njerëz të Ballkanit? Kjo është politikë e pajtimit dhe e paqtimit (policy of appeasement, i thonë në anglisht) me Presidentin Vuçiq, njeriut që në Kosovë, promovoi veten dhe shefin e vet (Vuçiqi ka qenë Ministër për Informata, efektivisht për propagandë, në Qeverinë e Millosheviqit), më saktë idenë se mbasi ‘qëllimet e mira’ të Millosheviqit për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët dështuan – shkaku i ndërhyrjes së jashtme (NATO-s), siç e la të nënkuptohej Vuçiqi – ai do të përpiqej të punonte me mend të realizojë çka mund të realizohet nga projekti i pambaruar i Millosheviqit. Ai projekt ka qenë Serbia e Madhe. Këtë Vuçiqi do të mund ta bëjë në emër të marrëveshjes me Kosovën duke e ndarë Kosovën, duke shkëputur veriun e vendit tonë, dhe, pastaj, duke e përdorur këtë precedent të ndryshimit të kufijve të ish-Jugosllavisë për t’ia bashkangjitur Serbisë Republikën Sërpska, këtë entitet serb që lindi nga fushata e spastrimit etnik dhe e gjenocidit që bëri Serbia në Bosnjë në vitet 1990.

Ne s’mund ta detyrojmë askë të denoncojë Vuçiqin për politikat e tij diabolike. Ne mundemi dhe duhet patjetër ta bëjmë këtë vetë. Presidentit serb duhet t’i ndalohet hyrja në Kosovë para se të heqë dorë publikisht nga fjalët e lavdit për Millosheviqin që bëri në Kosovë. Republika e Kosovë s’ka pse të mirëpresë në vendin tonë një bashkëpunëtor të papenduar të Millosheviqit. (Aq më shumë që Presidentit tonë i ndalohet hyrja në Serbi – e do rendi për pak reciprocitet!). Udhëheqësit e vendit tonë duhet të bëjnë çmos që të ruhen pavarësia e sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i vendit, por edhe kujtesa për sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi.

    Data: 12 Shtator 2018 16:46
    Autori: Muhamet Hamiti

    Të tjera