​Ateizmi po bëhet tabu

Në diskursin dominant në Shqipëri është bërë krejt e natyrshme që ateizmi të paraqitet si diçka e mangët në krahasim me religjionin. Në anën tjetër religjioni të paraqitet si një pasuri shtesë në jetën e njeriut. Pasuri që ka qenë e ndaluar për popullin shqiptar gjatë periudhës totalitariste. Ky deformim në hartën semantike të diskursit shqiptar u shpërfaq krejt qartë edhe gjatë vizitës së Papës në Shqipëri. Gati në të gjitha fjalimet u përmend me të madhe ajo që u quajt “krimet e ateizmit komunist”. Këtu në fakt e kishin fjalën për krimet ndaj të gjitha ideologjive që ishin bërë gjatë periudhës kur Shqipëria kishte diktaturë. Por me këtë formulimin “krimet e ateizmit komunist” po dilte thuaja ka qenë ateizmi ai që ka shtyrë liderët e asaj kohe të ndërtojnë një sistem totalitar represiv.

Ylli Rugova

Frika dhe averzioni ndaj ateizmit shihet edhe në Kushtetutën e re të Shqipërisë. “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale…” është fjalia e parë në preambulë të Kushtetutës së Shqipërisë. Janë dy gjëra interesante në këtë formulim. Së pari mund të vërehet se fjala zot është e shkruar me “Z” të madhe, edhe pse në gjuhën shqipe sipas rregullave do të duhej të shkruhet me “z” të vogël, pra “zot” e jo “Zot”. E dyta është fjalia “me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale”, sikur besimi në zot të jetë në kategori të vlerave universale. Çka nuk është*. Po të ishte besimi në zot vlerë universale, atëhere si do të kategorizoheshin ata që nuk besojnë në zot? Pa vlera universale? Mos të harrojmë që njerëzit që nuk besojnë në zot nuk janë të paktë në numër.

Kjo “dhe/ose” te preambula e Kushtetutës së Shqipërisë mund të jetë shembulli më blatant i konfuzionit që mbretëron në Shqipëri sa u përket religjionit e ateizmit. Në fakt e gjithë kushtetuta është e mbushur me konfuzion dhe mjegulli. Po të shikojmë më gjerësisht, jo vetëm në preambulë por në tërë Kushtetutën nuk përmendet askund termi “sekularitet” apo “laicitet”.

Secili që ka pasur mundësi të bëjë një bisedë për religjionin me dikë në Shqipëri e kupton se mbizotëron përshtypja që të jesh ateist apo agnostik do të thotë të jesh me të kaluarën. Do të thotë të mos kesh mbushur mend. Të jesh i dalë mode. Që është përshtypje e gabuar natyrisht. Ateizmi është i përhapur gjithandej nëpër vendet me zhvillim më të lartë shoqëror, kulturor e ekonomik (Suedia, Çekia, Japonia) dhe përkrahet me shumë forcë nga komunitetet shkencore. Për shembull në Akademinë e Shkencave të Amerikës, National Academy of Sciences rreth 93% e anëtarëve nuk besojnë apo janë agnostikë në pyetjen nëse ekziston një zot personal. Përqindje të njejta mund të shihen edhe nëpër akademitë shkencore të vendeve që e kanë shkencën më të zhvilluar—që koincidentalisht janë edhe vendet me shoqëri e ekonomi të zhvilluar.

Por pse shqiptarët kanë nisur të kenë averzion ndaj ateizmit? Me siguri ky kthim në tabu i ateizmit nuk është rezultat i postmodernizmit—megjithëse, më duhet ta pranoj se nuk jam krejt i informuar për postmodernizmin në Shqipëri. Më parë, besoj unë, është rezultat i konfuzionit të kalimit nga një ideologji në tjetrën. Ku gjithçka nga e kaluara duhet të kthehet përmbys. Pra vlera e sistemit të kaluar është antivlerë sot. Kështu ateizmi si vlerë në sistemin komunist, është

bërë “shkak krimi” sot. Fatmirësisht, nuk ka konfuzion të tillë edhe për shkollat, rrezik që edhe ato do të mbylleshin si qendra propagandistike të “ateizmit komunist”.

Vizita e Papës në Shqipëri u portretua botërisht si një ngjarje që dëshmoi tolerancën fetare te shqiptarët. Pamë fotografitë e klerëve fetarë së bashku. Dëgjuam Papën teksa po e thoshte me gojën e tij se Shqipëria është shembull i tolerancës. E përderisa asnjë religjion nuk është kritikuar në terma të përveçëm, ateizmi shumë haptazi është demonizuar. Dhe kjo mu në sytë e përfaqësuesëve më të lartë shtetëror. Kjo në një shtet sekular nuk do të duhej të ndodhte. Të besosh dhe mos të besosh të dyja do të duhej të garantoheshin nga shteti. Gjatë vizitës së Papës, kjo e dyta u përdhos botërisht./Tema/

_______

*Psikologu social S. H. Schwartz është një nga të paktët shkencëtarë që është marrë me vlerat universale. Sipas tij, për shembull, janë dhjetë kategori të vlerave universale, prej të cilave religjioni nuk është asnjëri. Ai kishte sygjeruar që ‘spiritualiteti’ të futej si kategori e njëmbëdhjetë, por kishte hequr dorë më pas.

Të tjera

Lajmet e fundit