Shteti që diskriminon


05/02/2019

Me rritjen e sërishme të pagave në sektorin publik, hendeku mes atyre që punojnë në punë të shtetit dhe të tjerëve që punojnë në sektorin privat është thelluar edhe më shumë. Përderisa në sektorin publik punojnë rreth 80 mijë vetë, në atë privat numri është trefish e gjysmë më i madh – rreth 270 mijë. Por, me rritjen në vazhdimësi të pagave të të punësuarve në institucione publike, të punësuarit tek privatët dekurajohen edhe më shumë.

Nuk është kurrfarë befasie që dëshira e shumicës së njerëzve në Kosovë është që ta gjejnë një punë t’shtetit. Jo pa arsye. Për shumicën kjo nënkupton një vend pune në të cilin punohet pak, e paguhet shumë.

Në vitin 2012 paga mesatare në sektorin publik ishte 407, kurse në sektorin privat 367 euro. Brenda pesë vjetësh, paga mesatare në publik është rritur 25 për qind, duke arritur në 509 euro, kurse në privat vetëm 4.6 për qind – 384 euro.

Teksa sheh qeveritë njërën pas tjetrës duke ua rritur pagat njerëzve që punojnë n’shtet, pyetja më logjike që të vjen ndërmend është: a mendon kush për 270 mijë të punësuarit në sektorin privat? A janë edhe ata pjesë e kësaj shoqërie, a duhet të kujdeset i njëjti shtet edhe për ta? Apo zgjidhja e vetme për ta është që nëse nuk mund ta gjejnë një punë t’shtetit – e të gjithë nuk munden – atëherë duhet ta marrin botën në sy?

Vazhdimisht sektori privat në Kosovë është promovuar si motor i zhvillimit ekonomik dhe mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës. Por, me këtë qasje të qeverive dhe vendimmarrësve, duket se deklaratat e tilla bëhen vetëm për konsum të brendshëm.

* * *

Në përgjithësi, gjendja në sektorin privat nuk është e mirë. Përderisa të punësuarit në sektorin publik gëzojnë të drejtat sipas ligjit të punës, ata në sektorin privat, sidomos në fusha të caktuara biznesesh, punojnë në kushte të rënda. Përveç që paguhen pak, ata punojnë edhe jashtë orarit, ndërkohë që karshi tyre nuk zbatohet as ligji i punës. Shumë nga ta nuk marrin paga me muaj të tërë. Dhe, çfarë ka bërë shteti për ta?

Kontrollet e institucioneve përkatëse mungojnë, ndërkohë që punëdhënësit shfrytëzojnë situatën e krijuar për të përfituar në kurriz të punëtorëve. Paga minimale është e ulët dhe me të është e pamundur të jetohet. Kjo ka bërë që të rritet irritimi përballë përfitimeve që ka sektori publik.

Shteti duhet të merret seriozisht me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në privat dhe të mos veprojë vetëm kur ka greva e protesta që paralizojnë institucione a sektorë të caktuar. Pra, qasja e shtetit është e tillë që reagon dhe ua plotëson kërkesat atyre që bllokojnë, jo atyre që punojnë.

Nuk ka gjë të keqe që të rriten pagat në sektorin publik, por logjika e shëndoshë thotë se rritja e pagave bëhet krahas performancës së treguar.

Në Kosovë, performanca në dy sektorë kryesorë, arsim e shëndetësi, lë shumë për të dëshiruar. Shërbimet e ofruara nuk janë të kënaqshme, ndërkohë që pagat janë rritur vazhdimisht. Si t’i shpjegosh një punëtori që punon në sektorin privat se pse duhet paguar aq shumë, krahasuar me të, mjekët e mësuesit, ndërkohë që gjendja në arsim e shëndetësi është e keqe dhe ai, me pagën që e merr – nëse e merr me rregull – nuk mund të paguajë as barnat për vete, nëse sëmuret?

* * *

Modeli i promovuar nga qeveritë, që rritin paga për një pjesë të shoqërisë, por e braktisin pjesën tjetër shumë më të madhe, është diskriminues dhe dërgon sinjale negative tek të gjithë ata që shpresojnë të gjejnë një vend pune jashtë institucioneve publike. Dërgon mesazhin e pabarazisë e injorimit. Dikush mund ta kuptojë edhe si përkujdesje për klientela partiake që në momente të caktuara përcaktojnë kush do t’i fitojë zgjedhjet.

Ndërkaq, vazhdimi i privilegjeve për qeveritarët e deputetët, pas përfudnimit të mandatit, është mesazh edhe më i keq. Është mesazh i arrogancës së atyre që udhëheqin, atyre që qeverisin edhe rreth 270 mijë njerëz që nuk gëzojnë të drejta sipas ligjit, që shkilen e injorohen nga të gjithë. Është mesazh i pangopësisë dhe keqpërdorimit të pozitës publike në kurriz të qytetarëve që jetojnë keq.

Shteti duhet të veprojë seriozisht për të vënë rregull në sektorin privat. Përndryshe, dy zgjidhje janë përpara: ose qeveria t’iu gjejë vend të gjithëve në shtet, ose atyre s’iu mbetet gjë tjetër veç ta braktisin vendin, në kërkim të një pune e jete të dinjitetshme.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart