Shkruan Jusuf Thaçi: Stërnipat e Skënderbeut me flamur ahtisarian!


07/09/2016

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu njihet e pranohet gjerësisht nga shqiptarët si hero kombëtar. Figura e Skënderbeut mbi të gjitha simbolizon dy gjëra të rëndësishme: bashkimin dhe luftën e rezistencën kundër pushtuesve, për mëvetësi nga të tjerët. Pikërisht për shkak të këtyre simbolikave dhe historisë së tij, rilindasit tanë e kanë vendosur Skënderbeun si krye-titull të projektit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Historia na mëson se Skënderbeu, në kushte e rrethana jashtëzakonisht të vështira, ka arritur që të bashkojë të gjithë princërit shqiptarë (arbërorë) të kohës në një shtet të unifikuar (apo principatë) dhe të ketë simbole e organizim të unifikuar. E ka arritur këtë në kohën kur këta princër kishin rivalitete e armiqësi mes vete, kishin bindje të ndryshme e interesa të ndryshme me njëri tjetrin, etj., etj.. E ka bërë këtë në kohën kur fuqitë e mëdha nga Lindja e Perëndimi ishin kundër këtij bashkimi. Jo vetëm kaq, Skënderbeu ka organizuar luftë e rezistencë, pa u nënshtruar, për vite e dekada kundër fuqisë më të madhe të kohës, kundër Perandorisë Osmane, e cila veçse kishte pushtuar krye-qendrën e botës, Konstantinopojën (Stambollin e sotëm).

Pa këto dy elemente, pa këto dy simbolika, pa këto dy mesazhe, pa këto dy amanete, Skënderbeu nuk do të ishte as figurë e rëndësishme historike e as hero kombëtar i shqiptarëve. Po të përfaqësonte Skënderbeu vetëm Kastriotët e po të luftonte vetëm në emër të Kastriotëve, ai as nuk do të ishte simbol unifikimi e as nuk do të mund të rezistonte kundër pushtuesve.

Tani, në ditët tona, ndër shqiptarët na shfaqet një absurd i madh, dhe qesharak. Personat (figura me ndikim publik e qytetarë të zakonshëm) që janë në gjendje të të vrasin po ua shave Skënderbeun dhe që e promovojnë Skënderbeun si krye-vlerë kombëtare e si emblemë prezantuese të shqiptarëve para ndërkombëtarëve, po të njëjtit promovojnë identitet kombëtar kosovar të pavarur nga ai shqiptar, kundërshtojnë bashkimin kombëtar shqiptar, promovojnë simbolet shtetërore artificiale të Kosovës (simbolet ahtisariane), promovojnë nënshtrimin e servilizmin e shqiptarëve ndaj ndërkombëtarëve, etj..

Të gjitha këto i arsyetojnë me faktin se tash rrethanat nuk mundësojnë bashkimin kombëtar, se identiteti kosovar është i domosdoshëm meqë Kosova është shtet i pavarur, se shteti i pavarur duhet të ketë simbolet e veta, se ndërkombëtarët duhet t’i dëgjojmë sepse janë të fuqishëm e nuk guxojmë t’iu kundërvihemi, etj., etj.. Me një fjalë, nga mënyra si gjykojnë e veprojnë, janë fund e krye, me mish e me shpirt, që nga thonjtë e këmbëve e deri te flokët e kokës kundër-skënderbenjë.

A kanë të drejtë të jenë të tillë?! Sigurisht që po, kanë të drejtë. Por ama, së paku duhet të heqin dorë nga Skënderbeu. Nuk mund ta duash simbolin e bashkimit e të jesh pro ndarjes e kundër bashkimit; nuk mund ta duash simbolin e unifikimit e të jesh pro identiteteve e simboleve të veçanta e të ndryshme; nuk mund ta duash simbolin e rezistencës e të jesh pro nënshtrimit e servilizmit; nuk mund ta kesh hero kombëtar heroin e një kombi tjetër.

Ky absurd nuk vërehet vetëm në raport me Skënderbeun, por edhe në raport me figurat tjera të rëndësishme kombëtare shqiptare, me Sami Frashërin si krye-ideologun e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Ismail Qemalin si themelues të shtetit shqiptar e me Adem Jasharin si simbol të luftës e të rezistencës kundër armiqve. Të gjithë këta kanë qenë kundër ndarjes së shqiptarëve, kundër identiteteve e simboleve të ndryshme vilajetore, krahinore e regjionale të shqiptarëve, përkatësisht të gjithë këta kanë qenë për një shtet shqiptar të bashkuar, me simbole e identitet të unifikuar, ashtu siç e ka kalitur historia.

Prandaj, ata që janë kundër bashkimit të shqiptarëve, ata që duan identitet kombëtar kosovar dhe që e valëvitin me qejf e për qejf flamurin e imponuar ahtisarian, duhet ta dinë dhe ta pranojnë që shteti ahtisarian i Kosovës, edhe si projekt edhe si simbolikë, është ndarës e përçarës, është i imponuar e i padrejtë, është nënshtrues e poshtërues për shqiptarët. Prandaj, si i tillë, është pikërisht e kundërta e asaj që përfaqëson Skënderbeu, edhe si personazh historik edhe si simbol i shqiptarëve. Jo vetëm e kundërta e Skënderbeut, por e kundërta edhe e asaj që përfaqëson Sami Frashëri, Ismail Qemali e Adem Jashari për shqiptarët.

Kështu që, ata që e kanë përqafuar dhe e promovojnë Kosovën ahtisariane, le ta shpallin Ahtisarin hero të tyre kombëtar dhe baba të kombit të tyre të ri. Falë u qoftë! Por së paku mos të keqpërdorin figurat tona historike kombëtare. Nuk mund të rrahë gjoks për Skënderbeun njeriu që në gjoksin e vet mbanë flamurin ahtisarian! Nuk ka edhe stërnip i Skënderbeut, edhe valëvitës i flamurit të Ahtisarit.

Vendosni! Zgjidhja është e juaja!

P.S.:

Pajtohem që Kosova si shtet duhet të konsolidohet e të fuqizohet, por vetëm si shtet i mirëfilltë e vetëm si fazë kalimtare drejt bashkimit kombëtar, e jo si shtet i tredhur ahtisarian e si qëllim final. Pajtohem që Kosova të ketë simbolet e veta derisa të jetë shtet i pavarur, por edhe këto simbole të Kosovës duhet të jenë identifikuese, përfaqësuese dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, jo të imponuara e pa kurrfarë vlere simbolike kombëtare. Pajtohem që tashmë shqiptarët nuk kanë nevojë të luftojnë me askënd e kundër askujt për ta realizuar bashkimin kombëtar, meqë praktikisht askush nuk na pengon përveç përçarjeve, bajraktarllëçeve e egove tona.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart