Protestë qytetare për të mirën e përbashkët, apo grevë për të mirën e një grupi


04/02/2019

Vitin e kaluar dhe qysh në ditët e para të këtij viti janë botuar dy romane që kanë zgjuar kureshtjen. Në Angli, Jonathan Coe ka dalë me romanin Middle England, ndërsa në Francë Michel Houellebecq me romanin e tij të radhës, Serotonine. Sigurisht i dyti është pritur me më shumë bujë dhe për rrjedhojë edhe është përfolur, e do të vazhdojë, më shumë.

Romani i Coe-s më bëri më tepër të rivlerësoj gjendjen në vendin tim. Sigurisht, të dy vendet janë të ndryshme, të dy shoqëritë kanë nevoja dhe perspektiva të ndryshme, megjithatë kjo është madhështia e letërsisë dhe e autorit të madh: të ofrojë një zonë që zgjerohet të reflektimit dhe kuptimit.

Romani fillon me krizën financiare të vitit 2008, rrjedhimisht/përkatësisht krizën politike dhe ndikimin e saj në jetët e përditshme të qytetarëve. Coe është i qartë dhe fjalëpakë: e gjitha është pasojë e papërgjegjësisë politike. Politikanë të të gjitha anëve kanë premtuar gjithçka që u ka rënë ndërmend, duke e ditur mirë se kurrë nuk do të arrijnë ta realizojnë. Ndërsa David Cameron ka shkuar deri aty sa, për t’i qetësuar kundërshtarët personalë brenda partisë së vet, ka premtuar referendumin për mbetjen ose jo të Britanisë së Madhe në BE, pa e menduar fare përfundimin dhe pasojat (aq seriozë kanë qenë sa që brenda partisë kanë pasur përshtypjen e vagullt se procesi quhet Brixit, e jo Brexit).

***

Më 5 qershor 2017, liderët e koalicionit PDK-AAK-NISMA kishin nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Nënshkruesit zotoheshin se do të mundësonin zbatimin e plotë të Kontratës së re të arsimit dhe rritjen e pagave për të gjithë mësimdhënësit 30 për qind.

S’do mend, asnjëra palë nuk e kishte idenë e pasojave. Nuk e kishin idenë e pasojave qoftë të realizimit qoftë të mosrealizimit të një premtimi-kërkese të tillë. premtuesit nuk e kishin idenë e ndikimit që do të kishte në sektorë të tjerë në rast se sektori i arsimit do ta gëzonte rritjen.

Mirëpo, së pari, fituesit e zgjedhjeve u kujdesen që ta hapin digën e lumit tashmë të rrëmbyeshëm duke i rritur pagat e zyrtarëve qeveritarë njëkohësisht me shtimin e numrit të zyrtarëve dhe shpenzimeve të tjera personale. Rritja e parë u bë për kryeministrin dhe shpurën e tij, nga vetë kryeministri. Një gjest prej banditi.

Kjo, me ligj, implikonte pastaj që rritja të përfshinte edhe gjykatësit dhe prokurorët në nivel shtetëror.

Po nëse gjykatësit e prokurorët po, pse të tjerët jo?

Tamam, pse jo?!

Për këtë, filluan reagimet zinxhir.

Një kolegjium i mjekëve nisi t’i praktikonte grevat në shenjë proteste ndaj mosrritjes së pagave qysh nga mesi i vitit të kaluar, për t’u përshkallëzuar nga dhjetori, me futjen në grevë të kirurgëve. Në Kosovë, gjatë ditës, për shkak të kësaj greve refuzohen rreth 200 operime kirurgjikale.  

Pastaj, erdhi greva e mësimdhënësve, që i la nxënësit në shtëpi për tri javë, me rrezikun që të mos e rikuperojnë fare atë që tashmë e kanë humbur. SBASHK-u arriti t’ia vjelë premtuesit 20 përqindëshin nga 30 sa ishte premtuar në fillim.

Marrëveshja u pa si sukses nga të gjithë. Dëmet e shkaktuara nuk i përmend askush.

A do të përdoret e njëjta strategji në vijim?

Çfarë ndodhi, pra, është yshtje që të vazhdohet. Do të thotë, sektorët tjerë publikë që kanë kërcënuar me grevë, duke i parë këto zhvillime, mund ta realizojnë kërcënimin. Ndër ta, shërbyesit civilë, të cilët numërojnë në radhët e tyre rreth 22 mijë veta; në institucione të ndryshëm të vendit, nga njëri cep në tjetrin. Pastaj zyrtarë e shërbimit korrektues, kontrollorët ajrorë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, etj.

Me shumë gjasë do të marrin diçka nga ajo që do të kërkojnë. Pastaj e gjithë kjo do të shihet si një sukses i të dy palëve.

Ka një perversitet të qartë në gjithë këtë.

Koalicioni premtues e ka përdorur premtimin si një karrem kriminal. Në kuptimin se që në zanafillë e dinin se nuk do t’i realizonin premtimet si të tilla, përkundrazi do të provokonin reagimet për t’i përdorur pastaj për qëllime të vetat. Mund të premtosh një përqindje. Nuk do të thotë se do të jetë pastaj në atë nivel. Qëllimi është që të krijohet përshtypja se premtimet po mbahen. Ose thënë më mirë, dikush po kujdeset që punëtori të ketë pagë të dëshirueshme, jo pse mund t’i jepet, por sepse askujt nuk i intereson pasoja. Me këtë, nuk arsyetohet të qenit në qeverisje, por qeverisja e ardhshme.

E gjitha, pra, është pasojë e papërgjegjësisë politike.

***

Sektori privat, në masën e tij më të madhe, mbeti i katandisur si gjithnjë, në ferrin e rëndomtë të pagës minimale, mungesës së sigurisë në punë, mungesës së sigurimeve shëndetësore, mungesës së kontratës, orarit të gjatë të punës, ditëve më të pakta të pushimit, etj.  

***

Protesta qytetare nuk është një potencial, madje as kulturë. Në gjithë ato hera që është tentuar, ka qenë e manipuluar nga subjekte të caktuara politike, që e shihnin si një mundësi për t’i ndërfutur në të nevojat e tyre.

Prandaj sektori publik i ra në të: greva është instrumenti më efikas.

E megjithatë, është një instrument për të mirën e një grupi të caktuar, jo për të mirën e përbashkët. Nuk e ka virtytin e protestës civile, në domenin e së cilës parimisht fshihet një e mirë më e përbashkët dhe nuk niset nga një pësim thjesht personal.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart