Reformat vazhdojnë pavarësisht vështirësive


02/02/2019

 Në njërën nga detyrat, atë të reformës së administratës shtetërore, nisa konsultimet me ekspertët institucionalë dhe partnerët ndërkombëtarë, për një proces të stërzgjatur, 20 vite nga pas lufta e 10 vite nga nisja e procesit të kësaj reforme.

Ndjehej hezitimi dhe dyshime se ky proces mund të shtyhej përpara, jo pa arsye, ata kishin kryer një punë të jashtëzakonshme që nuk po arrinin të siguronin mbështetjen politike. Kisha vetëm një premtim, se në çdo hap do të jemi bashkë, do ta siguroja mbështetjen politike, e kundërta do të nënkuptonte tërheqjen time publike.

Procesin e konsoliduam, ishim bashkë përgjatë gjithë rrugës me bartësin e procesit ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, duke rikthyer besimin e partnerëve evropian, duke siguruar përfshirje të gjerë të akterëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile. Në një ndërmarrje kaq të rëndësishme, e kisha parasysh rrezikun që procesi do të sfidohej, kjo për faktin se përgjatë vitesh ishte rritur fragmentimi dhe pabarazia.

Kërkohej që të siguroheshin partnerët politikë të qeverisë, e në rend të parë të qartësohej për kryeministrin se ky veprim është i drejtë dhe i domosdoshëm për vendin.

Pas kësaj, ishte një përkushtim i pa rezervë, i ekspertëve institucionalë nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Financave dhe partnerëve evropianë, që për këtë dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë. Procesi u konsolidua, ishte i gatshëm që të paraqitej për diskutim, duke u siguruar në një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe të hapur.

Pas leximit të parë, sikur po ndjehej presioni, ishte faza më rëndësishme ajo kur kërkohej dialog me të gjitha palët, proces jo i lehtë, shpesh i rrezikuar nga pakujdesia e trajtimit dhe interpretimi pa analizë të saktë. E thash, presione të mirë-kuptueshme, pas një fragmentimi e mos barazie të gjatë.

E për të kaluar në punë të përbashkët me Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, e duke trajtuar secilën palë me kujdes e respekt, e që për këtë ata meritojnë një vlerësim të lartë, për ta veçuar kryetarin e këtij komisioni, Nait Hasanin dhe pa dallim për gjithë anëtarët. Kjo fazë e dialogut e akomodimit, do të ishte e vështirë, mos të themi e pa mundshme, pa analizat e vazhdueshme nga Ministria e Financave, e në veçanti pa rolin e përkushtimin e ministrit, Bedri Hamza.

Tash, në përmbyllje të këtij procesi, ka një mësim të marrë, se reformat pavarësisht domosdoshmërisë ka mundësi të mos mirëkuptohen, të prodhohen paqartësi si pasojë e mosnjohjes dhe të rrezikohen. Megjithatë, dialogu është instrument kyç duke siguruar jo vetëm mirëkuptim, por edhe mbështetje.

Ky është një hap i rëndësishëm, por jo i plotë në arritjen e synimit për një administratë shtetërore funksionale dhe efikase, duhet po i njëjti përkushtim dhe po e njëjta energji që administrata shtetërore të kthehet në gjenerator të zhvillimit dhe promotor të integrimit.

Ky zell e bashkëpunim duhet të ndiqet gjatë gjithë procesit të reformave jetike që ka përpara Republika e Kosovës. Për t’u rikthyer atje ku e nisa, ne siguruam mbështetjen për një proces që e kishte mbuluar pluhuri, me këtë përkushtim, e besim të kryeministrit dhe lidershipit politik, do të guxojmë e nuk do të ndalemi në reformat që na presin. Detyra këto për vendin, e synime për integrim në familjen që i përkasim.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart