Ramushi notë proteste Serbisë


09/12/2018

Unë akuzojë të të ashtuquajturin Kryetar të Serbisë, i cili në mënyrë krejtësisht sekrete, merret me pastrimin etnik të Serbisë. Ne si Republikë e Kosovës, si shtet sovran dhe Tarzan, ndjehemi shumë të brengosur, se i ashtuquajtur Kryetar, nxjerr tanket në rrugë kundër protestuesve duarthatë. Sipas informatave që kemi nga shërbimi jonë sekret në Beograd, gjatë demonstratave masive, nuk kishte asnjë nevojë të nxirren armata jashtë dhe trishtohej populli. Megjithatë, e ashtuquajtura Qeveri, e bëri dhe terrorizoi demonstruesit paqësor, që luftonin dhunën, të cilën e ushtron policia e pinjollëve të Millosheviqit.

Unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, d.m.th. si përfaqësues gati suprem i shtetit fqinj, kundërshtoj me forcë trajtimin e protestuesve, mu si veprohej me ne në periudhën e nacional fashizmit të shtetit serb, viteve të nëntëdhjeta. Populli fqinj ka vuajtur shumë dhe e ashtuquajtura kryeministre, Ana Bërnabiq (emër shqiptar me kuptim “nga ana jonë” dhe natyrisht edhe me mbiemër nga fjala shqipe “bërnjak”, me kuptimin e kecit ose qengjit, që nuk ka mbushur gjashtë muaj)  kërcënon përsëri me armatën, që ka humbur katër luftëra kundër katër shteteve. Nga Sllovenia, nëpër Kroaci dhe Bosnjë, deri në Kosovë. Protestoj ashpërisht dhe egërsisht edhe kundër ndërzimeve të saja! Armata serbe ka të drejtë të përpunojë humbjet, jo të dërgohet drejt e në tragjedinë e pestë!

Jo vetëm për këtë, por unë si Kryeministër i Qeverisë më të madhe në planetin Tokë, ndjehem përgjegjës për paqen në botë dhe jam i mërzitur shumë për gjendjen e popullit serb në Serbi. Ne, duke pasur parasysh vuajtjet e tyre, kosovarët me origjinë serbe, i kemi liruar nga të gjitha taksat shtetërore, madje nga empatia e madhe, nga mikpritja  kosovare, nga respekti, i kemi liruar edhe nga pagesa e rrymës, ujit, pastrimi i rrugëve, thjeshtë nga çdo kontribut tjetër qytetar, i cili mund të trazojë kosovarët, që kanë gjuhë amtare serbishten. Kosovarët me origjinë shqiptare, paguajnë për ta! Ne këtë konsiderojmë drejtësi, mirëkuptim, sepse i kemi liruar nga respektimi i të gjitha ligjeve të shteti tonë!

Protestoj zëshëm (tani po piskas në kryeministri) dhe kërkoj që populli serb, të lirohet së paku nga pagesa e rrymës dhe e ujit, siç kemi bërë ne me kombin kosovar serbisht folës. Nëse nuk e bëni, do të marrim masa të reja kundër shtetit tuaj. Këtë do ta shihni së shpejti! (Tani godita me grusht tryezën!)

Arsye tjetër pse dërgoj këtë notë proteste është, se për demonstratat paqësore në Beograd, mund të akuzohemi ne si Qeveri dhe si shtet, rrjedhimisht si popull kontribuues! Ekzistojnë dyshime të forta, se i ashtuquajtur Kryeministër i Serbisë, ka një origjinë shumë komplekse, shumë kreative dhe pluraliste dhe ka shkencëtarë, që e shpallin me origjinë dardane, domethënë pellazge, si unë, por tani me komb kosovar, si Matoshi, kryekëshilltari im.

Nuk është vetëm kjo arsyeja, por dihet se Ivica Daçiqi ( Ivani, ose Gjon Daci) është kushëri i gjeniut, akademikut dardan, Nexhat Dacit, (adhurues i Hashim Thaçit pasi ia shau nënën shqip), që sipas shkencëtarëve serb, është pasardhës i popit Daniloviq. Edhe Rasim Lajçi mban një pozitë shumë të ndjeshme në atë Qeveri, që sot përgatit pastrimin e Serbisë nga serbet e vërtetë.

Sikur të mos ishte Milosh Dreçuni deputet, ndoshta këtë protestë, do ta kisha bërë në mënyrë sekrete, vetëm zyrtarisht, por prej këtij dardani, mund të priten edhe cytje të tmerrshme në shuarje të protestës dhe kështu, për veprat djallëzore, që shkaktohen me idetë e Dreçunit në Serbi, do të fajësohemi përsëri ne kosovarët me origjinë shqiptare.

I tërheqim vërejtjen e fundit të të ashtuquajturës Qeveri serbe, se taksa do të rritet në 1000 %, nëse nxirret përsëri ushtria me tanke në rrugët e Beogradit. Ata nuk janë sllovenë, kroatë, boshnjakë apo shqiptarët, që është sevap të vriten, por popull qiellor, “nebeski narod!” Ne kërkojmë me këmbëngulje respektimin e të drejtës së protestës dhe Lirive dhe të Drejtat e Njeriut, por edhe respektimin e pavarësisë së  shtypit, si dhe heqjen e censurës mediave, posaçërisht portalit b92, i cili nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, u informua për dramën në Beograd, gjersa vet, raportonte për protesta në Paris dhe Tiranë.

Meqenëse brenda elitës politike serbe, disa origjina janë shumë të dyshimta, atëherë këtë notë proteste, vështrojeni edhe si kërkesë, ose si urdhër për të deportuar të gjithë politikanët e lartpërmendur në Kosovë dhe zëvendësimin e tyre me serb origjinal, të racës sipërore dhe me prejardhje qiellore, direkt nga Krishti serb, sepse ai origjinali, predikonte dashuri, nuk vriste, por falte! Në të kundërtën, jini mirënjohës dhe na paguani një taksë për huazimin e tyre! Nëse dëshironi paqe me ne, largojini ata. Nëse dëshironi urrejtje, mbajini në pushtet. Edhe vezirët me origjinë shqiptare na kanë zhdëpur dhe shtypur, madje edhe ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe! Edhe këta që ua kemi falur, do të na shfarosnin, sikur të mos kishin frikë nga Rambo!

PS.: Në fund edhe një propozim: meqenëse shkencëtarët kryesor kosovarë kanë konstatuar se Lekë Uka/Vuçiqi është me origjinë shqiptare, kurse shkencëtarët më të mëdhenj serb, se Hashim Thaçi është me origjinë serbe, atëherë unë, në rolin e Kryeministrit, kërkoj të ndërrojmë të burgosurit në identitet të huaj: na dorëzoni birin tonë Lekën, ju merreni Hashimin!

I indinjuar dhe i pagjumë, Ekselenca e tij, Ramush Haradinaj, Kryeministër dhe në pushtet në Republikën e Kosovës me Brigadën e Tretë të Ministrave dhe Zëvendësve

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart