Linçimi si patriotizëm


11/01/2019

Ka mjaftuar vendimi i presidentit të Shqipërisë për të mos e dekretuar ministër të Jashtëm kosovarin Gent Cakaj që të nis lumi i akuzave dhe sulmeve, fyerjeve e linçimeve. Nga njëra anë e atyre që e mbështetin vendimin e Ilir Metës dhe nga ana tjetër e të tjerëve që e kritikojnë këtë veprim.

Të parët që kundërshtuan propozimin e kryeministrit Edi Rama për Cakën ishin zyrtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kundërshtarë të Ramës. Arsye u tha të jenë mosha e re e kosovarit, mungesa e përvojës dhe e kompetencës për të udhëhequr nja dikaster kaq të rëndësishëm qeveritar. Nuk munguan as reagimet me primesa raciste.

Dhe, pasi Meta nuk pranoi ta zyrtarizojë Cakën si ministër, duke ia përmendur deklaratat pro korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi dhe duke e cilësuar të papërgjegjshëm, shpërthyen deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje që e përshëndetën veprimin e presidentit dhe gozhduan Cakën. Por edhe ministren e re të Arsimit, Besa Shahinin.

Përtej arsyeve pse Rama zgjodhi Shahinin e Cakën për t’i ngritur në poste ministrash dhe pse Meta pranoi njërin e refuzoi tjetrin, sulmet dhe akuzat ndaj tyre nuk mund të arsyetohen.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, nxitoi t’ia bëjë ADN’në Besa Shahinit, duke e cilësuar mbesë udbashi dhe të padinjitetshme, epitet që ia dha edhe Cakës. Nuk vonoi dhe partia e tij doli me një komunikatë të gjatë, me përmbajtje akuzuese e linçuese, në të cilën nuk lihej anash as akronimi UDB. Thua se gjitha partia e kishte pritur refuzimin e Ilir Metës për të shfryrë mllefin mbi një djalë të ri, një grua, një gazetar e ndonjë tjetër që nuk mendon si ata.

* * *

Duket se inatin kryesor me Gent Cakën, Lëvizja Vetëvendosje e ka pse ai ishte pjesë e këtij subjekti dhe e kishte braktisur. Por, ky nuk është rasti i vetëm i kësaj natyre. Sa e sa të tjerë kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes dhe nuk janë më. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por është hipokrizi ta lavdosh dikë kur është me ty, e ta shash e linçosh kur të braktis. Vetëvendosja duket të ketë specializuar në këtë mënyrë hakmarrjeje ndaj ish-anëtarëve të vet.

T’i luftosh dhe linçosh të tjerët vetëm pse nuk pajtohen me ty, vetëm pse kanë zgjedhur tjetër rrugë nuk është virtyt i mirë. As të provosh t’ua ngarkosh mbi supe të qenit në lidhje familjare me dikë që në një kohë i paska shërbyer një sistemi. Fëmijët nuk mbajnë përgjegjësi për bëmat e baballarëve të tyre, as nipërit e mbesat për bëmat e gjyshërve e dajëve. Të paktën kështu ka dhënë leksione Vetëvendosja në disa raste.

T’i luftosh dhe linçosh të tjerët vetëm pse nuk pajtohen me ty nuk është as patriotizëm, pavarësisht se mund të ekzaltosh militantë partiakë dhe mbase mund të përfitosh një grusht votash më shumë.

Gent Cakaj e Besa Shahini janë kosovarë, por nuk e përfaqësojnë Kosovën në Qeverinë e Shqipërisë. Ata janë pjesë e kabinetit të Edi Ramës për shkak se ai ka vlerësuar se janë të vlefshëm për ta çuar përpara programin e tij qeverisës. Cakaj edhe mund të jetë keqpërdorur nga shefi i tij ose dikush tjetër për qëllime të ndryshme dhe përfitime politike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën që t’i sulet atij me etiketime nga më të ulëtat. Ai mund të jetë viktimë e ndonjë loje më të madhe politike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën që ta linçojë në emër të patriotizmit. Të patriotizmit të shpifur.

* * *

Unë nuk e njoh Gent Cakën, por e njoh Besa Shahinin. Që të dy, më mirë se unë, i njeh Lëvizja Vetëvendosje. Të parin e ka pasur në radhët e veta, e me të dytën ka bashkëpunuar sa e sa herë në cilësinë e ekspertes së fushës së arsimit.

Shahini edhe mund të jetë mbesë e një udbashi, siç pretendojnë njerëz të rëndësishëm të Vetëvendosjes, por cili është faji i saj në këtë rast? Me kontributin, me veprimet e veta ajo në asnjë rast nuk e ka dëmtuar as Vetëvendosjen, as Kosovën. Përkundrazi, i ka ndihmuar. Vetëvendosjen edhe financiarisht. Të tjerë janë ata që e dëmtojnë Kosovën, që e vjedhin dhe e shkatërrojnë, që kanë bërë pasuri pa fund dhe që fëlliqësitë e veta përpiqen t’i mbështjellin me petk patriotizmi. Që gërmojnë arkiva për ta diskredituar tjetrin dhe që linçimin e tjetrit e konsiderojnë akt patriotik. Por që nuk është gjë tjetër, veç patriotizëm i shpifur.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart