Gjykata Speciale, Partia e re dhe porosia e Rubinit - Gazeta Express

Gjykata Speciale, Partia e re dhe porosia e Rubinit

10/06/2015 13:55

ORA e Veton Surroit dhe FER’i i Shpend Ahmetit e Ilir Dedës ende përmenden si mostra të dështimit të partive kur flitet për opsione të reja në skenën e kriminalizuar politike në Kosovë. E marrin si shembull shuarjen e këtyre dy përpjekjeve për t’i demoralizuar të gjithë ata që mendojnë se mund të themelohet një opsion i ri i mendësisë politike përballë partive kriminale në Kosovë.

Dihet se si PDK’ja, LDK’ja dhe AAK’ja deri më tash e kanë fituar pushtetin. E kanë fituar përmes blerjes së votave, përmes premtimeve për rritje pagash, përmes gënjeshtrave për qindra mijëra vende të reja pune. Ndërsa Vetëvendosja i ka fituar votat duke ofruar opsionin se është kundër “partive kriminale”: PDK’së, LDK’së, AAK’së e NISMA’s. Pas zgjedhjeve nacionale, edhe anëtari i fundit i VV’së e ka kuptuar se kur vjen puna e pushtetit, edhe Albin Kurti është i gatshëm t’ua shtrijë dorën e bashkëpunimit njerëzve që deri dje i ka quajtur edhe me të drejtë kriminelë, haraçmbledhës, reketues e njerëz që e kanë dëmtuar shtetin me privatizime kriminale.

Modeli tjetër

Pra, për herë të parë, 16 vjet pas përfundimit të luftës, Kosovës po i nevojitet një parti e re politike e cila nuk gënjen, vjedh, e rrënon qytetarët. Ajo duhet të ketë mision dekriminalizimin e skenës politike. Me njerëz që hyjnë në politikë jo për të gjetur një vend pune.

Pra, jo, sikur PDK’ja, as si LDK’ja, kurrsesi si AAK’ja, e as si modeli i Vetëvendosje’s. Ekziston hapësirë jashtëzakonisht e madhe për opsionin e ri politik. Kjo parti duhet ta ketë synim përfaqësimin e njerëzve që nuk e shohin veten te asnjëra prej partive parlamentare. Parti e cila synim ka respektin ndaj qytetarit, respektin ndaj të varfërit, e respekton të hendikepuarin, e respekton policin, e respekton shtetin dhe, para së gjithash, e zbaton Ligjin. Dhe jo parti e njerëz që për çdo ditë ankohen se s’po kanë mundësi, s’po kanë kompetenca për të punuar për të mirën e qytetarit. Jo parti që për hir të interesit partiak e sakrifikon të ardhmen e njerëzve të këtij vendi. Jo parti me njerëz që sillen sikur kauboj.

Duhet një parti e cila nuk i gënjen qytetarët duke thënë se s’do të qeverisë me këtë apo atë parti. Por, që tregon se do të qeverisë edhe me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe VV-në, me kusht që të respektohet ligji. Me kusht që banditët të mos jenë në pozita udhëheqëse. Me kusht që kriminelët të dënohen. Me kusht që ekonomia do të zhvillohet. Me kusht që arsimi të zhvillohet e jo rrënohet. Me kusht që drejtësia të mos kontrollohet, por të lejohet të veprojë mbi të gjithë.

Sondazhe të shumta, edhe të kohës së zgjedhjeve të fundit nacionale, kanë treguar se qytetarët e Kosovës po e lypin një opsion të ri. Po i kërkojnë njerëzit e rinj. Jo ata që sot janë në Kuvend e nuk i njeh askush. Vetëm një shembull se si sot në Kuvendin e Kosovës kemi njerëz që kurrë në jetën tonë s’i kemi dëgjuar. Apo s’i kemi dëgjuar sepse s’kanë folur ose s’kanë pasur çfarë të thonë. E, në fakt, ata janë aty në emër të popullit dhe votave të tyre. Të jeni të sigurt se aq pak i njohim sot disa deputetë tanë sa nuk e keni as idenë. Për shembull, a keni dëgjuar ndonjëherë për Milazim Halitin? Normalisht se jo, as ju, as unë. Kur jemi te votuesit, a po e njihni Luljeta Veselaj-Gutajn? Normalisht që nuk e njihni. Megjithëkëtë, partinë e re duhet ta themelojnë njerëzit që nuk u kanë shërbyer qorrazi Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Albin Kurtit. Pra, nuk duhet të jenë ata njerëz në partinë e re që para disa kohësh kanë qenë në gjendje ta japin edhe jetën vetëm që një ditë t’i shohin Thaçin, Haradinajn, Mustafën apo Kurtin në krye të Kosovës.

Largohuni sa jeni në majë të pushtetit

Njerëzit që kanë qenë në skenën politike për 15 vjet, sipas mendimit tim, nuk kanë kredibilitet, nuk u beson askush nëse themelojnë parti të re politike. Askush s’i beson nëse nesër, për shembull, Blerim Shala e themelon ose bëhet pjesë e një opsioni të ri politik. Sepse Blerimi deri dje e ka mbrojtur dhe ka punuar pikërisht për modelin e AAK’së. Partinë e re në Kosovë duhet ta themelojnë gjenerata e re e politikanëve që nuk frikësohen të përballen qoftë me komandantë, qoftë me familje historike, qoftë me familje patriotike, qoftë me banditë, qoftë me kriminelë. Pra, njerëz që synim kanë dekriminalizimin e skenës politike.

A ka njerëz të tillë në Kosovë?

Po, por shumë pak. Por, dijeni se gjithmonë gjërat e mëdha i ka bërë pakica e jo shumica. Pakicë ka qenë Hasan Prishtina. Pakicë ka qenë Shaban Polluzha. Pakicë ka qenë Adem Jashari. Sidoqoftë, hapësira për partinë e re do të rritet edhe me krijimin e Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë do t’i prekë njerëzit kryesorë të PDK’së, AAK’së, NISMA’s, VV’së e, ndoshta, dikë edhe të LDK’së.

Pra, themelimi i Gjykatës Speciale do ta shënojë edhe fundin politik të një pjese të njerëzve që në Kosovë kanë hyrë në politikë pa e pasur fare idenë se çka është dhe si luhet ky sport. Në fakt, qëllimi final i kësaj Gjykate është largimi i disa njerëzve të fortë nga skena politike qoftë edhe përmes proceseve morbide gjyqësore, ku njeriu dënohet për vrasje e, ndërkohë, s’dihet kush është i vrari e as ku është vrarë…

Në fund të nëntorit të vitit 2011, një ish-diplomat amerikan, James Rubin, kishte dërguar mesazhe jashtëzakonshmit të qarta për skenën politike. Kishte bërë thirrje për largimin e një pjese të njerëzve nga skena politike sa janë në kulmin e karrierës sepse dikur do të bëhet vonë. Dhe tash po shihet se është vonë për njerëzit që janë në majë të pushtetit, por jo edhe për Gjykatën Speciale.

Porosia e Rubinit kishte qenë tepër e qartë dhe po e citoj saktësisht se çfarë kishte thënë: “Shpresoj se njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”.