Gjermania e vendosur t’i mbyllë termocentralet, Kosova të ndërtojë një të ri


27/01/2019

Simbas këtij plani, Qeveria federale do të bëjë transfere të mëdha financiare – rreth 40 miliardë euro në 20 vitet e ardhshme – te rajonet e Gjermanisë ku minierat e thëngjillit dhe energjia e prodhuar prej thëngilli luajnë rol të rëndësishëm.

Komisioni kërkon që Qeveria t’i mbrojë amvisnitë dhe sektorin privat nga rritja e çmimit të energjisë shkaku i mbylljes graduale të termocentraleve, që mund t’u kushtojnë taksapaguesve 2 miliardë euro shtesë për vit.

Me planin e këtij komisioni qeveritar synohet që Gjermania t’u bashkohet një numri gjithnjë e më të madh të vendeve në botë që kanë vendosur t’i japin fund përdorimit të thëngjillit, burim i madh i emetimit të gasërave të serrës (greenhouse gases), dioksid karbonit e gasërave të tjera.

Gazeta “The Financial Times” citon njërin nga kryetarët e komisionit qeveritar, Ronald Pofalla, të ketë thënë se mbyllja e termocentraleve do t’ia mundësojë Gjermanisë, ekonomisë më të madhe në kontinent, që t’i përmbushë synimet për të ngadalësuar ndryshimet klimatike. “Kjo është një arritje historike”, u ka thënë ai gazetarëve në Berlin.
Deri në fund të vitit 2022, Gjermania do të ulë prodhimin e energjisë nga thëngjilli nga 42 gigavatë në 30 gigavatë.

Në ndërkohë, në këtë javë që po e lëmë pas, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë këtë njoftim pas një mbledhjeje të Qeverisë sonë:

“Një lajm i veçantë për sot është se investimi më i madh që nga paslufta në vlerë prej 1.3 miliard e ka pa dritën. Sot në Mbledhjen e Qeverisë nga përfaqësuesi i Contour Global jemi informuar se janë siguruar financat, në shkurt përzgjedhet projekti financiar dhe teknik për të proceduar në mars me punët e terrenit dhe për pak muaj edhe me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ky investim do të sjellë një revolucion në rritje ekonomike, i cili do të arrijë deri në 7%.”

Nuk është njoftuar se nga do të sigurohen paratë (kreditë) për ndërtimin e “Kosovës së Re”. “Banka Botërore ka njoftuar në tetor të vitit 2018 se nuk e mbështet ndërtimin e “Kosovës së Re”, sepse nuk do të investojë në projekte që përdorin thëngjillin.
Prodhimi i thëngjillit në SHBA do të bjerë 21% në 20 vjetët e ardhshme, përkundër përpjekjeve të Presidentit Trump për ta ringjallur këtë sektor, ka shkruar “The Financial Times” sot. 

Qeveria amerikane përkrah ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit në Gjermani i janë gëzuar lajmit të sotëm për planin e qeverisë për mbylljen e termocentraleve, ndonëse janë shprehur se do të donin që kjo të ndodhte me ritme më të shpejta.

Planet për ndërtimin e “Kosovës së Re” janë kundërshtuar nga ambientalistët e Kosovës.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart