Ditë të këqija për PDK-në


27/02/2019

Kur kishin vendosur ta kandidojnë për kryeministër, zyrtarëve të PDK-së vështirë t’iu ketë ardhur ndërmend se do të vijë dita kur Ramush Haradinaj do t’i “shkelte” dhe gjithë partia do të mbetej nën hijen e tij. As Ibrahim Rugova në kohën e vet nuk ia ka dalë ta defaktorizojë dhe ta nxjerrë jashtë loje PDK-në, kështu si Haradinaj.

Pas vendosjes së taksës, një vendim politik e popullor, kryeministri ka fituar simpatinë e shumicës së qytetarëve, të cilët te ky akt, për herë të parë, panë forcën e shtetit të tyre kundrejt Serbisë.

Është tjetër debati nëse taksa duhet hequr a jo, kur duhet hequr e si duhet hequr. Evidente është pafuqia e PDK-ë për të treguar forcën që ka realisht, si partia kryesore e koalicionit qeveritar. Përballë Ramush Haradinajt kjo parti po duket e dobët, e humbur dhe pa ide. Përballë Haradinajt, PDK nuk është as hija e asaj së dikurshmes, kur bënte çfarë dëshironte e si dëshironte.

Vendosja e taksës dhe pamundësia për ta hequr atë e ka kthyer PDK-në në parti të cilën nuk e pyet kush gjë, në parti që gjendet në mëshirën e të parit të qeverisë. Pamundësia për ta hequr taksën e ka vendosur PDK-në në një pat pozicion dhe pa ide se si të veprojë.

* * *

PDK do të dëshironte që ta hiqte Ramush Haradinajn nga posti i kryeministrit dhe, mundësisht, ta zëvendësonte atë me dikë nga LDK-ja. Por, nuk po mundet. Edhe nëse ia del ta heq, si përgjigje ndaj kokëfortësisë së tij për të mos e hequr taksën, cili do të ishte arsyetimi i kësaj partie për veprimin e bërë? E larguan Ramushin për shkak të taksës? Kjo do të ishte një vetëvrasje politike. Të vazhdojnë ta mbështetin Haradinajn në postin që mban, po ashtu nuk është komode për PDK-në. Pavarësisht se është partneri më i madh në koalicion, PDK po shfaqet e dobët, tepër e dobët. Plotësisht e eklipsuar nga Haradinaj dhe personaliteti i fortë i tij.

Përveç në raport me Haradinajn, PDK dhe Kadri Veseli janë konfuzë edhe në raport me Hashim Thaçin dhe dialogun. Qysh me i dalë kundër presidentit në aventurën e tij të rrezikshme për korrigjimin e kufirit me Serbinë?

Veseli nuk po ia del ende të dalë jashtë hijes së Hashim Thaçit. Dhe nuk ka si të dalë, marrë parasysh ndikimin që ka në parti lideri i dikurshëm.

Andaj tingëllojnë jobindëse, madje edhe qesharake deklaratat e zyrtarëve të PDK’së që formalisht përpiqen të tregojnë forcën e partisë, por realiteti është krejt tjetër. As sondazhet nuk po e nxjerrin mirë. PDK po përjeton ditë të këqija dhe, për më keq, duket të mos ketë ndonjë ide se si t’i qaset situatës së krijuar. I mbetet veç të presë çfarë do të ndodhë.

* * *

Kadri Veseli nuk njihet për zhdërvjelltësi politike e zgjidhje kreative, pavarësisht se ka udhëhequr një shërbim sekret. I gjendur në mes të një procesi zgjedhor brendapartiak, i përcjellë nga hija e Hashim Thaçit nga e cila nuk po mundet kurrsesi të lirohet dhe me “problemin Ramush” në kokë, ai duket të mos jetë duke kaluar ditë të mira.

I vënë nën presionin amerikan për heqjen e taksës, ai po provon ta luajë “policin e mirë”, përballë Haradinajt që duket i vendosur në qëndrimine tij për taksën, sipas logjikës se nuk ka çfarë të humbasë. Kjo e ka vënë Veselin në pozitë aspak të lehtë, ndonëse është njeriu kryesor i koalicionit qeverisës dhe udhëheq partinë më të madhe të PAN’it.

Dhe, cila ka qenë oferta e PDK’së për të zgjidhur krizën? Suspendimi i taksës, për vendosjen e së cilës zyrtarë të kësaj partie ngarendnin të merrnin merita. Në vend që të gjejnë zgjidhje bashkë me kryeministrin, zyrtarë të partisë japin propozime në publik dhe e kërcënojnë Haradinajn me rrëzim. Edhe pse e dinë se e një gjë e tillë nuk është e lehtë. Sepse, përtej taksës, problem më të mëdha janë dialogu, marrëveshja me Serbinë, Hashim Thaçi dhe jetësimi i ideve të tij.

Është e vërtetë se taksa e ka bllokuar dialogun. E ka bllokuar, por jo ndalur, edhe Hashim Thaçin. Por, po ashtu, është e vërtetë se është bllokuar edhe PDK’ja, që nuk po di si të veprojë në këtë situatë.

Deri sa të gjejë një zgjidhje, kjo parti po vazhdon të vegjetojë nën hijen e Ramush Haradinajt. E pafuqishme të tregojë fuqinë e saj. PDK po kalon ditë të këqija.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart