Berat Buzhala: Blerim dhe Shkëlqim, qenkemi keqkuptuar II


03/03/2015

Saktësisht para një jave, në mënyrë tepër të sinqertë dhe jodjallëzore i kisha nisur një letër të hapur vëllezërve Devolli, Blerimit dhe Shkëlqimit. Letrën e kisha personalizuar me Blerimin, si vëllai më i vjetër. Mbrëmë e kuptova se sa shumë qenkemi keqkuptuar. Gjithashtu, e kuptova që ju, përveç që keni nevojë ta keni dikë që shkruan për ju, keni nevojë ta keni afër edhe dikë që lexon për ju.

Të më ndjeni, por duhet t’u them se aktualisht ai që po ua mëson gjithë të zezat e kësaj bote, qenka një gomar. Dhe për më tepër, ka mundësi që ai gomar punon edhe në televizionin tuaj.

Vetëm një armik do t’u mësonte të bënit vepra të tilla, ashtu siç e keni katranosur mbrëmë. Mirëpo, tash unë nuk e kam ndërmend edhe t’u mësojë ju se si të më luftoni mua dhe gazetën ku unë punoj, së bashku me rreth 30 gazetarë, që i paguajmë shtetit tonë tatimet deri në centin e fundit.

Sigurisht se nuk do të trembeni aspak, nëse tash unë do t’u them se kam filluar, me avokatin, një procedurë gjyqësore. Mendoj që ilegalisht i keni shfrytëzuar hapësirat publike, bilbordat e juaj, për të cilat keni marrë licencë për të ofenduar tjetrin. Nuk e besoj që ndonjë ligj ua mundëson ketë gjë. Por le të kthehemi tek tema, e që edhe më tutje nuk po më kuptoni. Ketë herë po e ndërroj bashkëbiseduesin.

Po i drejtohem, jo më vëllait të vjetër, por konsullit të Maqedonisë në Pejë, shkelqësisë së tij, Shkelqimit.

Shkelqësi,

E di që je i zënë më punë, të kanë rënë në kokë edhe ato diplomatike, duke qenë konsull, prandaj edhe nuk do ta zgjasë shumë.

Ama të lutëm lexoje më vëmendje.

Ose angazhoje dikë tjetër, jo atë gomarin e deritashëm, atë të televizionit, që ta lexojë për ty. E as ndonjë spin doctor me Virtyte të dyshimta. Të tillët po të thyejnë qafën.

Ndoshta edhe munde ta shohësh. Publiku tashmë ka kohë që nuk është në anën e juaj. Jo që publiku është i dashuruar tek unë, por sepse publiku ka dyshime të jashtëzakonshme për lidhjet e dyshimta të politikës dhe biznesit. Gjithashtu, ju mund t’i trajtoni qytetarët sikur kafshë, por ata barë nuk hanë. Mund të hanë krunde, por jo edhe barë. Për ketë arsye, të sugjeroj miqësisht flaki nga puna të gjithë shpurën e këshilltarëve.

Shkelqësi,

Mbrëmë keni lënë namin e botës. Treguat se sa otomanë dhe se sa aziatikë jeni, kur vjen puna tek bontoni në komunikim. Gjëja e parë që u shkoi në mendje ishte një gomar në bilboard. Ndoshta, sepse ishe i rrethuar prej tyre. Duhet të ketë qenë rrëshqitje frojdjane kjo. Kjo nuk është formë e komunikimit. Debati nuk bëhet kështu.

Paramendoje, nëse mundesh, sikur një ditë të bukur në një shtet tjetër europian të mbusheshin panot me mesazhe të tilla. Dhe për çfarë? Sepse një gazetar dhe një gazetë po hulumton punët e juaja të dyshimta.

A keni dëgjuar për gjykata, ju otomanët? Po për Këshillin e Mediave të Shkruara? Po për kallëzime penale? Apo ndoshta të gjitha punët dëshironi t’i përfundoni shpejt e shpejt, ashtu sic i mbyllni hesapet e juaja me akterët e skenës politike.

Unë ty të them se i ke vezët e prishura, kurse ti mua me përgjigjesh se i kam veshët e mëdhenj. Teknikisht, kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Edhe mund t’i kam të tillë, por ne po flisnim për vezët tuaja të prishura. Po flisnim për një diçka që futet thellësisht në domenin publik. Në domenin e interesit të qytetarëve.

Shkelqësi,

Nuk dëshiroj të më keqkuptosh, sikur, si duket, me paskeni keqkuptuar javën e kaluar. Gazeta Express, e as unë, nuk po e kërkojmë marketingun e bizneseve tuaja. Edhe ashtu jeni harxhuar mjaftë. U kanë rënë të gjithë në qafë. Keni shpenzime të mëdha.

Dhjetëra parti politike, e po aq gazeta e televizione. Duhet t’i kënaqni të gjithë me peshqeshe. Ku janë Bordet e Kompanive Publike? Secila prej tyre i ka nga disa anëtarë.

Secili më i pangopur e më i babëzitur se tjetri. Dhe ju duhet të kujdeseni edhe për ata. E sidomos për shefat. Tash po vjen stina e verës dhe burrat e botës do të kërkojnë të shkojnë edhe në vise të ngrohta. Ju duhet të mendoni edhe për ketë. Keni halle. Dhe Gazeta Express që në start u liron prej kësaj ngarkese.

Për fund Shkelqësi,

Nuk ke pse e personalizon debatin. Nuk ke pse i merr shkrimet kaq afër zemrës. Kjo është e vetmja armë që e kam në dispozicion, kurse Ju shkelqësi keni shumë armë të tjera. Të gjitha janë më serioze dhe më të rrezikshme se sa ‘arma’ ime.

A e shef? Ky është vetëm një copë shkrimi, e shkruar me një lehtësi dhe me një shpejtësi. Pse nuk uleni edhe Ju që të shkruani, siç vepron secili europian? Pse patjetër dëshironi që t’i mbyllni të gjitha vrimat? Pse po provoni që të na shitni sapunin për djathë?

Kjo fjalia e fundit, Shkelqësi, është metaforë.

Së paku po shpresoj që nuk jeni futur edhe në industri. Ose që ta kuptosh më qartë çfarë dua të them: pse po provoni që të na i shitni krundet për miell? Ju, Shkelqësi, i keni të gjitha.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart