Albanian fake discourse


22/08/2018

Biologu agnostik britanik Thomas Henry Huxley e ka lënë një engram interesant që thotë: «Tragjedia e shkencës është zhbërja tragjike e një hipoteze të bukur nëpërmjet një fakti të shëmtuar». Pse humaniteti edhe sot e kësaj dite percepton faktin si diçka të shëmtuar, si një gjë që duhet sukulluar me fiksion [Nietzsche thoshte për t’i ikur realitetit të padurueshëm] për të mos vdekur prej tij? Sepse të gjitha gjeneratat hominide që nga erectusi pleistocen e deri tek ky virtualisi hologramik sajojnë mite, rituale, rrëfime për të qenë ndryshe nga se ç’besojnë të jenë. Po si janë e si duhet të jenë? As shumica absolute e republikës universale të gjenive nuk e ka ditur dhe nuk e di as sot këtë punë. Po a arrihet tek ndonjë vetidentifiktim objektiv pa e ditur se kush je dhe se në ç’forme beson ta ndërtosh botën, për të qenë sadopak i lumtur në të? Jo. Prandaj edhe kjo lufta në rreth, asgjë-sjellëse dhe e përjetshme e qenies duket si ato kërcimet bjerrakohëse të Tarzanit me atë «uaaa»-të e tij që u acaronte veshët majmunëve dhe elefantëve para se të hidhej nga njëra dru-banane në tjetrin. Gjithmonë e natyrisht me shpresën që mos i këputet litari kaskaderit, të bëhet copa e ta prish filmin.  

Ky është problem universal që shoqëron mbarë historinë kulturologjike të njeriut. Paaftësia dhe pamundësia e tij për të kapur kuptimin e qenies në totalitetin e saj e ka «mallkuar» atë me këtë luftë të bezdisshme nga hipoteza tek teza dhe anasjelltas. Dhe kjo është esenca e preokupimit historik të tij.

Brenda kësaj «lufte» dy kategori janë kryesoret:

Racionalët që janë të mendimit se kjo përpjekje e sigurimit, verifikimit të sa më shumë fakteve rreth funksionalitetit të botës mëson njeriun të bëjë sa më pak hapa drejt vetëshkarkimit. Tentim ky, të cilin përkthyer si konsekuencë donë të thotë sa më pak vuajtje aq më shumë lumturi.

Grupi tjetër, irracionalët, veprojnë ndryshe: këta zgjedhin paraprakisht njërin nga rrëfimet mbi botën dhe bëjnë çmos që hipotezat e tyre t’i imponojnë si fakte përfundimtare. Metoda e këtij grupi nuk ka të bëjë me ndonjërin nga instrumentariumet e ndryshme shkencore; nuk mund të jetë e natyrës «shumë udhë shpijnë në Romë», por është poaq irracionale sa vetë e vërteta singulare, së cilës ia bëjnë apologjinë. (Anti)metodën e këtij grupi e ka definuar fare bukur sociologu amerikan Robert K. Merton [1910-2003] nëpërmjet termit «profecia vetëpërmbushëse», të cilën e formulon si «Keqvlerësim të një situate (realiteti, gjendjeje) me synimin për të prodhuar një sjellje (kolektive), e cila hipotezat, parafytyrimet e rrejshme i katapulton në të vërteta absolute», të atilla që pastaj bëhen vektorët dhe operatorët qendror të një mase gjatë rikonfigurimit të identitetit të saj në kohën dhe hapësirën aktuale. Merton padyshim se në këtë drejtim mëzhvillon Thomas-Teoremën e vendasit dhe kolegut të tij paraprak William I. Thomas [1863-1947], i cili në konstatimin e tij definonte njëjtë si i dyti: «Kur njerëzit definojnë situata si të vërteta, atëherë edhe ashtu bëhen ato në konsekuencë», me një fjalë nëse një shumicë absolute beson të ketë diçka, atëherë edhe është ajo – materiale apo imateriale, nuk ka rëndësi. Dhe nëse duam të ecim edhe më herët se Merton-i dhe Thomas-i, a nuk thotë edhe Shakespeare tek «Hamleti» [1601-1602]: «Në vetë asgjë nuk është e mirë apo e keqe, të menduarit mbi to i bënë ato (pastaj) ashtu».

Brenda parlamenteve publike globale ku debatohen ligjet se cila njohje, përvojë duhet të shpallet dije e cila jo, për nga numri i deputetëve edhe në këtë epokë, shumicën e përbëjnë irracionalët. Në katedrat akademike tashmë racionalët janë shumica absolute ngase u janë nënshtruar plurimetodave të aprovuara globalisht shkencore dhe trendi së paku aty ecë vertikalisht drejt sigurimit të faktit (jo atyre të karakterit absolut, por atyre fragmentar) e jo të ruajtjes me çdo kusht të hipotezës [asocio me eurocentrizmin e deridjeshëm, katedrave perëndimore] për qëllime vetëmashtrimi dhe improvizimi lumturish afektive.

Në shoqëritë ku nuk ka institucione shkencore ose ato janë azile irracionalësh me diploma universitetesh, gjendja është pothuaj e pashpresë. Këto janë platformat ku postulatet e tipit të Shakespeare-t, Thomas-it dhe Merton-it janë po aq operatorë të sigurt e të realizueshëm në mentalitetet përkatëse, aq sa ishte i sigurt vetë Jezu Krishti të jetë mjet i «përmbushjes së profecisë», të shprehur shekuj më parë nga Isaja në «Dhiatën e Vjetër».

*

Ndër shoqëritë totalisht të nënshtruara ndaj diktatit irracional të llojit që tematizuam mësipër gjenden të gjitha shoqëritë në gjendje jo të volitshme ekonomike, ato në zhvillim e sipër, të pa-industrializuara, të kapura nga korrupsioni i thellë dhe ato në varfëri të plotë. Jo rastësisht: ku ka më shumë nevojë se këndej njeriu për t’i ikur realitetit në të cilin gjendet? Shoqëritë shqiptare i përkojnë kësaj sfere. Dhe problemi i tyre nuk është patjetër varfëria e plotë dhe mungesa e industrializimit (sot përcaktojnë më tepër kritere tjera zhvillimin ekonomik të vendeve), por korrupsioni material i elitave politike dhe korruptimi strukturor për favore materiale i «inteligjencies» së kohës [që i bie dyfish më e korruptuar se politika]. Ky lloj habitusi polemikësh përzien e zien hipotezat në kazanin publik të mbiquajtur padrejtësisht «diskurs publik», duke ekcesuar mentalisht masat me lloj – lloj «teorish» që thuhet të jenë «anti-mainstream», por që në thelb nuk janë të atilla ngase u besojnë komunitete të mëdha të shoqërisë. 

Ta ilustrojmë pak problemin me më absurdet: Një hipotezë dyautoreshe tiranase thotë se shqiptarët e Kosovës dhe serbët janë vëllezër gjaku ngase të dyja palët vdesin pas qebapëve dhe shkrihen pas melodive të njëjta me bazë orientale, prandaj s’mund të jenë as pellazg. Kundërshtarët e këtyre, të prirë më shumë nga injoranca e manizmi se sa nga analiza [edhe kjo metodë shkencore!] i mallkojnë si gjak-prishës dhe tradhtarë. Një hipotezë mitrovicase përzjarrshëm dëshiron ta bind botën se osmanët me koncept, dëshirë, plan e ideal bënë shqiptarët komb se të fundit ishin aq vasalë vullnetarë e kontribuues [shqiptarët shpallin veten komb-shtet më 1912 e turqit më 1923] të perandorisë së tyre. Dy autorë njëri me seli në radion e tij «Ju flet parapsikologjia nga Mitrovica» e tjetri si voluntar i përjetshëm i një të përditshmeje neomarksiste zvicerane e i shkoqur nga paditë për shpifje xhonglojnë me antiçertifikata lindjesh e vdekjesh për t’ua thyer mitologjinë në ngritje të vetëve. Jo për racionalizim të njohurive, por nga frika se u prishet ajo në të cilën besojnë fanatikisht ata vetë. Për çdo ditë, për çdo orë botohen artikuj, libra autorët e të cilëve me krenari vënë titujt e fituar akademik e nëse harrojnë t’i shënojnë  i sugjerojnë me gjysmën e tekstit të botuar. Shumica prej tyre kërkojnë nga lexuesit që hipotezat e tyre të pranohen si realitet, jo nga ai motivi i atij «dostit» të kryefilozofit shqiptar Blerim Latifi, pra jo nisur nga konstatimi i Kantit se «çdo njohje jona nis me përvojën (…)», jo nuk nisen as nga këtu, pasi shihet se as regjistrimin e paradigmave, hipotezave që përplasen nga katedra në katedër të botës nuk e dëshmojnë dot si përvojë personale leximi. Sot e dimë dhe nuk rrimë dot edhe mëtutje në stadin që na sugjeronte Aristoteli: as në shkencë e teori nuk ka përvojë pa poiesis – pa «bërjen». Diskursi nuk bëhet pa formulën dialektike të relacionit tezë-antitezë- sintezë. Operimi i atyre që sillen si specialistë të këtij apo atij domeni vetëm me hipoteza është paaftësia dhe pamundësia e tyre për ta prodhuar qoftë edhe tezën më fragjile të mundshme. Ne nuk mund ta kërkojmë nga shqiptari kuazimediteran e me temperamentin e foshnjës që lind përherë parakohshëm që ta përshpirtërojë atë imperativin ekstrem të Newton-it e sidomos atë të Willard van Orman Quinne-t [1908-2000] në eseun e tij «Two Dogmas of Empiricism» ku kërkon përjashtimin e çdo mundësie se ndonjë e vërtetë mund të nxitej nga ndonjë «dije apriori», jo ne jemi të mëshirshëm si Francis Bacon-i, i cili i bazuar në «insinuatën» aristoteliane [në gjuhën e antikëve dhe atë të latinëve: ὑπόθεσις hypóthesis në përkthim tekstual do të thotë: insinuatë!] themi se hipotezat janë të lejueshme, por vetëm si shkëndije parashkencore e jo më shumë, assesi teza, antiteza apo sinteza vetë e diçkaje.

*

Si shumica e popujve të tjerë ballkanikë, edhe shqiptarët saherë që thonë se bëjnë shkencë prodhojnë «fake science» dhe atë në formën më brutale të mundshme. Të veçantët që megjithatë janë shkencëtarë nuk kanë gjasa as në diskurset publike e më hiç në institucionet arsimore që janë hipoteza vetë mbi ekzistencën e arsimit në shkollat shqiptare. Gjendja në këto vende është më dramatike se tjetërkund – ta zëmë edhe në botën gjermanofone e anglosaksonike debatohet ashpër për përhapjen e «fake science» nga portalet klandestine kuazishkencore – është më tragjike sepse këndej nuk ekziston kundërshtimi institucional e as medial. Të dyja këto dy segmente ose mungojnë ose s’kanë as personel të përkushtuar kundër këtyre pseudodiskurseve depresionbërëse e totalisht fake; e para duhet të bëhet, politika e arsimimit e tjetra, mediat, e këto, mediat janë për t’u debatuar jo brenda «fake science»-s por në kuadër të dukurisë «fake news» dhe formave që duhet t’i bëjnë për të mos i shërbyer këtij trendi.

Si pasojë e kësaj gjendjeje shqiptarët më shumë se tjerët përreth i përlajnë ekstremizmat, ideologjitë nga më abstruzet dhe i keqpërdor çdo tiran i brendshëm dhe i jashtëm. Kjo do të vazhdojë edhe gjatë nëse subito nuk bëhet një reformë rrënjësore në institucionet e arsimit, kulturës, shkencës, që këto mos të jenë hipoteza e tyre por bartëset.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart