OKB: Refugjatët në Etiopi do të mbesin pa ushqim nga e hëna, të lejohet hyrja jonë - Gazeta Express
string(80) "okb-refugjatet-ne-etiopi-do-te-mbesin-pa-ushqim-nga-e-hena-te-lejohet-hyrja-jone"

OKB: Refugjatët në Etiopi do të mbesin pa ushqim nga e hëna, të lejohet hyrja jonë

Lajme

Gazeta Express

27/11/2020 15:04

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha të premten se rreth 100.000 refugjatë në rajonin Tigray të Etiopisë do të mbeten pa ushqim javën e ardhshme, nëse palët në konflikt nuk e lejojnë qasjen e organizatave humanitare.

Të dërguarit afrikanë për paqe u takuan të premten me kryeministrin etiopian, Abiy Ahmed, një ditë pasi ai tha se ushtria do ta fillojë fazën përfundimtare të një ofensive. Grupet për të drejtat e njeriut kanë frikë se nga ky operacion mund të ketë edhe viktima civile.

Lexo Edhe:

Agjencia UNHCR thotë se 96.000 refugjatë eritreas janë duke jetuar në katër kampe në Tigray. Raportohet se disa prej tyre kanë qenë në afërsi të përleshjeve të fundit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ata do të mbesin pa ushqim nga e hëna. Ne jemi të gatshëm me furnizimet tona duke u përpjekur të arrijmë te kjo popullsi”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Babar Baloch, duke shtuar se ky vlerësim është bërë duke u mbështetur në llogaritjet sipas shpërndarjes së fundit disa javë më parë.

“Ajo që nevojitet është qasja e papenguar për të shkuar te ta sa më shpejt që është e mundshme”, tha më tej Baboch.

Ai refuzoi të tregonte se kush po e bllokon qasjen te zonat e refugjatëve, por tha se thirrja për qasje vlen edhe për ushtrinë e Etiopisë, edhe për Frontin Popullor të Tigrayt për Çlirim.

Kombet e Bashkuara, që kanë staf në Tigray, kanë zhvilluar negociata me të gjitha palët e konfliktit për qasje, por deri më tani nuk ka pasur shenja për marrëveshje.