Oferta për statutin e Asociacionit në Ohër, Kurti i tregon në detaje Ramës si refuzoi Vuçiq - Gazeta Express
string(90) "oferta-per-statutin-e-asociacionit-ne-oher-kurti-i-tregon-ne-detaje-rames-si-refuzoi-vuciq"

Oferta për statutin e Asociacionit në Ohër, Kurti i tregon në detaje Ramës si refuzoi Vuçiq

Lajme

Gazeta Express

26/03/2023 22:34

Një javë pasi u pajtua në Ohër për marrëveshje me Serbinë, kryeministri i Kosovës ka vizituar Shqipërinë të dielën për siç e ka quajtur ai vizitë pune.

E në atë vizitë pune, kreu i ekzekutivit kosovar ka takuar homologun e tij Edi Rama.

Lexo Edhe:

Kurti e ka informuar kryeministrin e Shqipërisë në detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe i ka treguar sesi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, përkundër se brenda saj ka qenë edhe statusi i Asociacionit në pjesën e zbatimit të marrëveshjeve Kosovë – Serbi të arritura ndër vite në Bruksel.

Për përmbajtjen e takimit Kurti – Rama ka dalë me komunikatë edhe zyra e kryeministrit.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Rama për dinamikat e takimit, propozimet kreative të delegacionit negociator të Kosovës dhe për qasjen konstruktive të tij e Qeverisë së Kosovës gjatë gjithë procesit që i ka paraprirë marrëveshjes”, thuhet ndër tjerash.

“Duke folur për zhvillimet e bisedimeve, ai po ashtu e njoftoi kryeministrin Rama për refuzimet e Serbisë ndaj ofertës së tij për draftimin e statutit për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë mbi bazën e tri shtyllave që i referohen Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të 2015-së​, letrës së ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini të gushtit të vitit 2015 dhe qëndrimit amerikan të artikuluar nga këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan, Chollet dhe emisarit amerikan Escobar të janarit 2023, dhe nënshkrimit të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë në Bruksel, sikurse edhe vetë marrëveshjen”.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për marrëdhëniet shumë të veçanta, të ngushta dhe të afërta ndërmjet dy republikave dhe për bashkëpunimin e dy qeverive. Me këtë rast, u dakordua që mbledhja e nëntë e përbashkët e dy qeverive të mbahet në qershor, kësaj radhe në Shqipëri”, përmbyllet komunikata.

Kurti në Shqipëri ka takuar krerët e institucioneve, si dhe ish-presidentin, Ilir Meta, por jo edhe Partinë Demokratike (PD), që është forca kryesore opozitare në Shqipëri.

Kjo gjë nuk iu ka ikur gazetarëve të cilët e pyetën Kurtin se pse e ka shmangur një takim me opozitën.

Por Kurti nuk kishte përgjigje direkte, pos asaj që nuk e përjashtojë mundësinë që herave tjera të ketë takime edhe me opozitën. /Gazeta Express