O’Conell: Të ndalohet konflikti i interesit dhe nepotizimi, s’ka durim më


Gazeta Express
8 Maj 2019 12:41

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, duke folur për fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmin në Kosovë, tha se 20 vjet pas luftës ka ardhur koha për të reflektuar se ku është dhe nga do të shkojë Kosova.

Ambasadori tha se në Kosovë ka nepotizëm dhe përzgjedhje të zyrtarëve të pakualifikuar në pozita kyçe.

O’Connell deklaroi se ka pasur mbështetje të madhe për Kosovën nga Britania e Madhe dhe interesi ka qenë që Kosova të jetë më e suksesshme.

Mirëpo, sipas tij, ka ardhur një moment që pas një 20 viteve pas çlirimit të merren masa, por kjo ka me ndodhë vetëm nëse ka vullnet politik dhe e kërkojnë qytetarët në mënyra demokratike.

“Ne nuk kemi të drejt vote këtu, ne jemi miq, por ka ardhur koha që të ndalohet konflikti i interesit dhe nepotizimi, sepse s’ka durim më. Nuk dua të jem krejt pesimist, sepse ka mundësi të merren vendime të drejta dhe ndryshimet janë të mundshme. Po ashtu presioni i qytetarëve mund të shtyjë udhëheqësit politikë që të marrin vendime të drejta”, ka thënë O’Conell, shkruan kp.

Ai foli edhe për ligjin për financimin e partive politike, dhe pati një porosi: “Nëse partitë do të tentojnë për ndërhyrje në projektligjin për financimin e partive politike, Britania e Madhe nuk do ta përkrahë më KQZ-në në asnjë mënyrë. Pra, ka me ardh dita që ne do të ndërmarrim vendime shumë të rëndësishme”, tha ai.


Te fundit


Kthehu lart