Objektet fetare serbe të cilat ka 9 vite që i ruan Policia e Kosovës - Gazeta Express

Gazeta Express

05/05/2019 7:31

Objektet fetare serbe të cilat ka 9 vite që i ruan Policia e Kosovës

Gazeta Express

05/05/2019 7:31

Trazirat e muajit mars të vitit 2004 kanë bërë që ruajtja e objekteve religjioze ortodokse serbe, të rregullohet edhe me akte ligjore, ndërkohë që për një siguri të tillë nuk kanë nevojë kishat katolike apo xhamitë.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, që nga viti 2010 i kishin lënë në përgjegjësi njësiteve policore të Kosovës, ruajtjen e monumenteve fetare, duke përfshirë këtu Manastirin e Graçanicës atë të Deçanit, mandej monumentet në Gazimestan, si dhe disa kisha të tjera ortodokse serbe nëpër Kosovë.

Ndonëse ky kalim i kompetencave të KFOR-it në ato të Policisë së Kosovës, nuk iu kishte pëlqyer prijësve fetar serbë, Policia e Kosovës mori përsipër sigurinë e tyre dhe ende po vazhdon të ruaj këto monumente fetare.

Madje vendimi i KFOR-i në atë kohë pati ngjallur reagime të ashpra të Kishës Ortodokse Serbe, e cila përmes përfaqësuesve të saj thoshte se një vendim i tillë do ta cenojë sigurinë e objekteve të shenjta në Kosovë.

Ishte Peshkopi Teodosie i cili kishte thënë se as kisha dhe as populli serb nuk i beson Policisë së Kosovës. Ai pati sqaruar se vendimi i KFOR-it është marrë pa pajtimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Teodosije thoshte se me këtë vendim dërgohet, porosi shumë negative, para së gjithash për popullin serb, “dekurajohet kthimi dhe i vihet vulë spastrimit etknik të popullit serb”.

Mirëpo tash e sa vite pjesëtarët e  Policisë së Kosovës po bëjnë mbikëqyrjen e monumenteve fetare.

Njësiti për sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë, ka pohuar se Policia e Kosovës bënë monitorimin e këtyre objekteve 24 orë.

Në një përgjigje nga zyra për informim e Policisë së Kosovës dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, bëhet e ditur se janë gjithsej 24 objekte në tërë territorin e Kosovës të cilëve iu bëhet sigurimi i plotë.

“Në kuadër të Policisë së Kosovës është Njësia për sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore fetare e cila funksionon më shumë se 6 vite në kuadër të Drejtorisë për sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë dhe personaliteteve (DSORVP) në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Pas formimit të kësaj njësie sigurohen gjithsej  24 objekte në tërë territorin e  Republikës së Kosovës 24/7”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e policisë.

Tutje, zyrtarët policorë thonë se njësiti përkatës që merret me sigurimin e objekteve fetare ka arritur të zhvillojë vazhdimisht kapacitetet dhe të avancojë marrëdhëniet me përfaqësuesit e bashkësive fetare, si dhe me organizata të ndryshme në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare.

“Gjatë punës së deritashme, njësia ka arritur të zhvillojë vazhdimisht kapacitetet e saja, të avancojë bashkëpunimin me përfaqësuesit e bashkësive fetare, institucionet e Qeverisë së RKS, institucionet ndërkombëtare dhe shumë organizata të tjera”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e zyrës për informim nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, objektet e trashëgimisë historike serbe të dëmtuara gjatë periudhës së trazirave të marsit të vitit 2004, janë restauruar me mjetet e qeverisë, e cila restauroi ato pasi konsideron se janë pasuri e Kosovës dhe si të tilla duhet të ruhen nga të gjithë.