Numër i madh i amerikanëve që s'dëshirojnë ta marrin vaksinën anti-COVID - Gazeta Express
string(71) "numer-i-madh-i-amerikaneve-qe-sdeshirojne-ta-marrin-vaksinen-anti-covid"

Numër i madh i amerikanëve që s’dëshirojnë ta marrin vaksinën anti-COVID

Gazeta Express

06/10/2020 11:47

Sipas një sondazhi të ri, të kryer nga SSRS-ja, përqindja e njerëzve që do të merrnin një vaksinë kundër sëmundjes COVID-19 ka rënë dukshëm, shkruan CNN.

Në bazë të sondazhit, nëse një vaksinë Covid-19 do të jetë e gatshme, 51% e të anketuarve thanë se do ta merrnin, ndërsa 45% prej tyre thanë se nuk do të pranonin të vaksinoheshin. Këto përgjigje të njerëzve erdhën nga sondazhi i bërë javën e kaluar, mes 1 dhe 4 tetorit.

Lexo Edhe:

Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se nëse kjo përqindje e popullsisë do të refuzonte ta merrte vaksinën kundër Covid-19, imunizimi i tërësishëm i popullsisë në ShBA do të dështonte.

Ekspertët kanë vërejtur që përqindja e personave të cilët do të pranonin të vaksinohen duket se ka rënë dukshëm në krahasim me rezultatet e sondazhit të bërë muajin e kaluar, ku 56% e të anketuarve thanë se do të pranonin ta merrnin vaksinën.

Është vërejtur se këto sondazhe ndryshojnë në varësi nga demografia dhe mosha e të anketuarve. Kështu, 60% e personave mbi moshën 65-vjeçare thanë se do të pranonin ta marrin vaksinën, ndërsa në mesin e personave nën 45 vjeç, vetëm 49% thanë se do ta merrnin atë. Përgjigjet dallonin edhe në varësi të gjinisë, racës dhe përkatësisë politike.

Sondazhi i kryer nga “Server Reporting Service” u realizua nga 1 tetori deri më 4 tetor me anë të linjave fikse dhe telefonave celularë, duke realizuar intervista të drejtpërdrejta.

Shqetësimet në lidhje me vaksinat

Sipas ekspertëve shëndetësorë, hezitimi i shumë njerëzve për të marrë një vaksinë kundër Covid-19 kur ajo të jetë në dispozicion është një çështje mjaft shqetësuese. Sipas tyre, njerëzit duhet të kuptojnë se nëse nuk vaksinohet e gjithë popullata, nuk do të arrihet imunizimi i tërësishëm dhe përhapja e virusit do të vazhdojë. /Gazeta Express