Anulohet vendimi për vendosjen e kioskave të reja në Prishtinë


Liridonë Çeta
19 Gusht 2019 14:12

Komunës së Prishtinës nuk po i ecën puna mirë me ndërrimin e kioskave në qytet. Pas shpalljes së konkursit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, ankesat për diskriminim të bizneseve të vogla dhe qytetarëve kishin bërë që ky konkurs të anulohej. Madje, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte gjetur shkelje në konkursin e KP-së. Kjo e fundit vendosi që të shpallë një konkurs të ri, por edhe ky ngjalli debate e kritika. Sot Kuvendi Komunal me 28 vota pro, 11 abstenime dhe asnjë kundër, e ka anuluar vendimin për dhënien e kioskave, shkruan Gazeta Express

Ankandi për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës është anuluar edhe një herë.

Kjo është bërë pas ankesave të shumta nga shoqëria civile dhe asamblistët e partive opozitare në asamblenë e Prishtinës, se ankandi i shpallur kishte pika diskriminuese për bizneset e vogla dhe favorizonte bizneset e mëdha.

Kjo ka bërë që pronarët e kioskave të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën e tyre përmes protestës.

Ata kërkonin nga asambleja komunale e Prishtinës që të votojnë me shumicë të votave që shfrytëzuesve aktualë t’u vazhdohet e drejta e shfrytëzimi të hapësirës nga 10 deri në 40 vjet.

E një formë e protestës u bë edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Partitë opozitare kanë kundërshtuar konkursin e nxjerrë nga komuna dhe patën kërkuar që ai të anulohet tërësisht.

Një gjë e tillë u bë sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë, ku me 28 vota pro, 11 abstenime dhe asnjë kundër u anulua vendimi i komunës.

Në këtë mbledhje, pati replika e akuza të shumta në mes asamblistëve të VV-së, LDK-së e PDK-së, se ky konkurs është hapur për interesa personale të tre milionerëve e jo për te mirën e 30 familjeve. Ndërkaq pas një diskutimi përmbi një orë në fund u anulua konkursi.

Në ankandin e parë të shpallur dy nga kushtet që duhej të plotësoheshin për të marrë në shfrytëzim një kioskë janë që aplikuesi të ketë të hyra apo qarkullim prej 5 milionë eurosh ose më shumë në tri vitet e fundit dhe të ketë rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve (marketeve) në Komunën e Prishtinës.

Neni 4, mbi parimet e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës nënparagrafi 1.3 thotë:

Parimi i trajtimit të barabartë të palëve – nënkupton se të gjitha palët në procesin e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, trajtohen në mënyrë të barabartë, duke shmangur çdo diskriminim ndaj palëve dhe duke vepruar në mënyrë objektive dhe të paanshme ndaj të gjithëve.

Komuna e Prishtinës gjatë muajit korrik pati vendosur t’i ndërrojë të gjitha kiosqet e kryeqytetit. Për këtë kishte shpallur edhe konkurs. Por, dy pika të këtij konkursi janë cilësuar si diskriminuese. Kjo përveç debateve, kishte çuar deri në anulim të konkursit. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte filluar hetimet ndaj komunës, ndërkaq sot ka dalë me vendimin se kjo e fundit ka bërë shkelje.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i pati rekomanduar Komisionit Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, t’i rishikojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik për dhënien e pronave për periudhën 15-vjeçare.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Komisionin Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, i caktuar me Vendimin 01-020/04-194122/18, të datës 08.08.2018 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, të rishikojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik, të datës 15.06.2019, për Dhënien e Pronës së Paluajtshme, në Shfrytëzim Afatshkurtër për Periudhën 15-vjeçare, për qoshqe”, thuhej në vendimin e AKK-së.

Ky institucion kishte konstatuar se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve të caktuara për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme, në zbatim të politikave të konkurrencës.

“Komisioni i lartcekur në paragrafin (I) të këtij dispozitivi, duhet të ofrojë kushte të barabarta për transaksione të njëjta për operatorët ekonomik, duke i vendosur të njëjtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë”, theksohet në vendim.

Komuna e Prishtinës pati shpallur ankandin për herë të dytë duke i ndërruar kriteret për dhënien e kioskave.

“Janë gjithsej 36 qoshqe të organizuara në 3 lote nga 12 qoshqe. Aplikuesi mund të konkurrojë për 1 lot. Afati i dhënies së qoshqeve është afatshkurtër, për periudhën 15 vjet. Çmimi fillestar i dhënies së qoshqeve është 10 euro për metër katror. Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të çmimit më të lartë të ofruar në ankand publik. Fituesi obligohet të ndërtojë qoshqet me shpenzime të veta sipas projektit të propozuar nga komuna si për nga ana teknike dha grafike. Fituesi para nënshkrimit të kontratës ëshë i obliguar të deponojë garancionin bankar për qiranë e ofruar për 1 vit, i cili duhet të ripërtërihet çdo vit për periudhën e dhënies në shfrytëzim, si dhe garancionin e ekzekutimit për ndërtimin e kiosqeve”, theksohej në konkursin e komunës.

Në lajmërimin se kioskat e kryeqytetit do të marrin pamje të re, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ato do të jenë në tri madhësi të ndryshme dhe do të vendosen në 36 lokacione të ndryshme të qytetit. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart