Nuhiu: U shqetësuam nga infektimi i Eminit, patëm kontakt me të - Gazeta Express
string(61) "nuhiu-u-shqetesuam-nga-infektimi-i-eminit-patem-kontakt-me-te"

Nuhiu: U shqetësuam nga infektimi i Eminit, patëm kontakt me të

Gazeta Express

05/06/2020 20:20

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka rrëfyer për shqetësimet që i kishte pasur Drita pasi ishte konfirmuar se lojtari i tyre, Izair Emini, është infektuar me koronavirus. Ai i ka treguar edhe vështirësitë që i ka pasur ky futbollist në përballjen me këtë virus.

Sezoni 2019/20 i Superligës së Kosovës u ndërpre në fillim të muajit mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 në botë. Në atë kohë po bëhej garë e zjarrtë për titullin e kampionit pasi që kishin mbetur edhe 11 ndeshje deri në fund, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ua lejoi kthimin e futbollistëve në seanca stërvitore dhe Federata e Futbollit ka vendosur që më 7 qershor të rinisë kampionati vendor, vendim ky që s’ishte pritur mirë nga Ballkani shkaku se në fillim s’ishin testuar lojtarët për Covid-19.

Izair Emini, lojtari i Dritës, ishte detyruar të testohej për Covid-19 para se të kthehej në Kosovë nga Maqedonia, bashkë me disa lojtarë të tjerë dhe trajnerin. Atij i doli testi pozitiv dhe tani trajneri ka rrëfyer për shqetësimet që i solli ky rezultat në skuadër.

“Ka qenë shqetësues lajmi i Izair Eminit, ka qenë shqetësues sepse ne të gjithë që vinim nga Maqedonia, unë dhe pesë futbollistë të tjerë, ishim bashkë kur i bëmë testet. Pastaj, ditën e nesërme do t’i merrnim rezultatet dhe do të shkonim në stërvitje”, ka thënë Nuhiu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Katër futbollistë të tjerë dhe unë arritëm në stërvitje dhe u bashkuam me grupin, kurse Emini nuk ishte në stërvitje. Menduam se mos kishte ndonjë vonesë në kufi për shkak të procedurave, por ai kontaktoi drejtorin sportiv dhe ia dha lajmin që ka dalë pozitiv”

“Pastaj ishte shqetësimi i madh edhe brenda grupit, pasi që ne  kishim pasur kontakt me Eminin. Por, të them të drejtën, meqë u bashkuam ditën e parë,  pastaj nuk u izoluam. Vazhduam sepse ne veçse kishim pasur kontakt me ta”, u shpreh ai.

“Emini vazhdon të mbetet në karantinë, ende nuk është bashkuar me ekipin. Nuk do të diskutohet, ai do të vijë të bashkohet me grupin, mirëpo do të jetë i ndarë, pasi që do të izolohet për 14 ditë”.

“Ai nuk është takuar as me familjarët. Më ka treguar disa raste, më ka thënë: “çuni më ka kërkuar te dera, por unë s’mund ta takoja”. Ka qenë jashtëzakonisht periudhë e vështirë për të”, ka treguar Nuhiu.

Përveç Eminit, asnjë lojtar tjetër në Kosovë nuk është infektuar me koronavirus, sipas testeve që i kanë bërë të gjitha skuadrat para rinisjes së kampionatit. /Gazeta Express/