Nottingham Forest i është bashkuar garës për të nënshkruar me Jadon Sanchon, i cili është i përjashtuar nga planet e Manchester United, raportojnë mediat angleze, pavarësisht negociatave të vazhdueshme me Juventusin për anësorin anglez.
Sipas tabloidit britanik “The Sun”, nëpërmjet “TMW”, Forest e sheh Sanchon si zëvendësuesin ideal për Anthony Elanga-n, i cili këtë verë është transferuar te Newcastle United.
Megjithatë, Juventusi mbetet në pozicion të favorshëm, pasi raportohet se ka arritur tashmë marrëveshje personale me lojtarin.
Ndërkohë, negociatat mes “Zonjës së Vjetër” dhe Manchester United vazhdojnë të hasin në pengesa sa i përket çmimit të kartonit.
Raportimet sugjerojnë se Juventusi po përpiqet të ofrojë më pak, duke qenë i vetëdijshëm se kërkesat e larta të Sancho-s për pagë do të përbëjnë një barrë të madhe për buxhetin e tyre.
Në këtë kontekst, prania e një klubi anglez me fonde të konsiderueshme për të shpenzuar, pas disa shitjeve të rëndësishme, mund të jetë pengesa e fundit për Juventusin në përpjekjen për të sjellë ish-yllin e Borussia Dortmund në Torino./GazetaExpress/