Normalizimi i marrëdhënieve Kosovës - Serbi, po merr konturat e para të një “Traktati Ndërkombëtar" - Gazeta Express
string(94) "normalizimi-i-marredhenieve-kosoves-serbi-po-merr-konturat-e-para-te-nje-traktati-nderkombetar"

Normalizimi i marrëdhënieve Kosovës – Serbi, po merr konturat e para të një “Traktati Ndërkombëtar”

Lajme

Gazeta Express

25/01/2023 8:34

Se propozimi i Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po merr konturat e para të një “Traktati Ndërkombëtar” është  dëshmuar përgjatë dyzetetetë orëve të fundit nga një aksion diplomatik shumë i dendur i komunitetit ndërkombëtar.

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar brenda dy ditësh me të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare që akoma nuk e kanë njohur Kosovën – Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Greqisë dhe Rumanisë.

Lexo Edhe:

Me përfaqësuesit e këtyre shteteve, Lajçak përmes disa cicërimave në Twitter, njoftoi se ka diskutuar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe përkrahjen që ka marrë nga këto shtete, si kërkesë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi nevojë për progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë moment kritik. Mirënjohës për Spanjën mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së”, ka shkruar Lajçak në Twitter pas takimit me përfaqësuesin e Qeverisë së Spanjës.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pas takimit që zhvilloi me “pesëshen e madhe” që vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 20 janar dha sinjalet e para se është afër pranimit të propozimit franko-gjerman, raporton Albaninapost

Ai të hënën iu drejtua popullit serb mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe planin franko-gjerman, ku ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

“Më thanë se duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: ndërprerje e procesit integrues në Evropë; me ndalim dhe tërheqjen e investimeve; me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”, tha Vuçiq.

Në ndërkohë, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dërgoi të martën ftesa për takim me shoqërinë civile dhe liderë politikë për diskutime lidhur me përgatitjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasada amerikane ka konfirmuar se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kanë treguar se kanë ftuar për takim liderë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, kanë bërë të ditur nga ambasada.

Nga ambasada kanë njoftuar gjithashtu se synimi i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”.

Lëvizja e fundit erdhi nga këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti dhe ka kërkuar nga ai që ta pranojë propozimin franko-gjerman.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Ka kaluar më shumë se një dekadë prejse Kosova e Serbia janë angazhuar në një dialog të përbashkët ndërmjetësuar nga BE-ja nga ku u nxorën më shumë se 30 marrëveshje, por e vetmja herë kur liderët e dy shteteve kanë vendosur lapsin në letër është kur kanë nënshkruar dokumentet e propozuara nga Brukseli.