Nora Gjakova mbresëlënëse, kalon në çerekfinale të Grand Prixit të Hungarisë


Gazeta Express
12 Korrik 2019 13:21

Nora Gjakova e ka vazhduar formën mbresëlënëse në Grand Prixin e Hungarisë, duke u kualifikuar kështu në çerekfinale të kategorisë deri në 57 kilogramë.

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e mposhti me ippon fildishiasen Zouleiha Abzetta Dabonne në rundin e tretë  të Grand Prixit të Hungarisë, raporton Gazeta Express.

Gjakova e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti rusen Daria Dzhigaros, e cila e kishte mposhtur xhudisten nga Tunizia, Ghofran Kleifi, në rundin e parë.

Në çerekfinale të kësaj gare, 26-vjeçarja do të përballet me fituesen e çerekfinales tjetër, mes brazilianes Tamires Crude dhe bullgares Ivelina Ilieva.

Nëse Gjakova arrin të sigurojë ndonjë medalje në këtë garë, atëherë do ta shtojë edhe një tjetër Grand Prix tjetër në mesin e 12 medaljeve të fituara në turneun botëror të IJF, ku përfshihen Masters, Grand Prix dhe Grand Slams.

Përveç Nora Gjakovës, sot Kosovën në Bundapest të Hungarisë do të përfaqësojnë edhe Majlinda Kelmendi (-52 kg) dhe Distria Krasniqi (-48 kg). Ndërsa, Akil Gjakova garon të shtunën dhe Loriana Kuka të dielën.

Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi janë kualifikuar në çerekfinale të kategorive të tyre përkatëse. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart