“Njoftoni nëse Kajmaku paraqitet për prokurë”, prokuroria kërkesë noterëve


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 10:09

Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një shkresë Dhomës së Noterisë pas shpalljes në kërkim të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, ku kërkon nga noterët që të njoftojnë nëse Kajmaku paraqitet për të bërë ndonjë prokurë.

“Nëse noterët nuk njoftojnë në rast se avokati i Kajmakut paraqet prokurë do të mbajnë përgjegjësi ligjore” paralajmëron organi i akuzës.

Shkresa e Prokurorisë i është dërguar Dhomës së Noterëve menjëherë sapo është marrë masa në gjykatë për Kajmakun.

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arresti për Agim Kajmakun ish-kryebashkiakun e Vorës të shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas deklarimit të rreme në formularin e vetëdeklarimit.

Pas denoncimeve të PD Prokuroria e Përgjithshme kreu verifikimet ku doli me konkluzionet se Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin dhe më pas hetimin në Greqi me një emër tjetër, Jorgo Toto, duke bërë që ai të jetë në kushtet që e kap ligji i dekriminalizimit.

Por edhe pse gjykata greke e ka shpallur të pafajshëm në lidhje me akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për drejtësinë shqiptare Kajmaku nuk i shpëtoi dot problemeve për shkak se arrestimin e vitit 2013 duhet ta kishte deklaruar në votimin e 30 qershorit 2019.

Në hetim ai është dhe për shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë si dhe të emërimit të një tjetër nënkryetari, veprime që dyshohet se janë bërë ditën kur KQZ ia hoqi mandatin.

Te fundit


Kthehu lart