Njihuni me kampionët e ligave evropiane


Moral Pozhegu
14 Maj 2019 17:13

Në pjesën dërrmuese të ligave evropiane tashmë janë përcaktuar kampionët shtetërorë. Njihuni me ta, një nga një

Derisa IPKO Superliga e Kosovës po bëhet gjithnjë e më interesante dhe titulli i kampionit mund të vendoset vetëm në xhiron e fundit, në pjesën dërrmuese të kampionateve shtetërore në Evropë tashmë janë përcaktuar kampionët.

Në Angli, kampion i freskët është Manchester City, i cili e siguroi titullin e më të mirit vetëm të dielën pasi e mposhti Brightonin në udhëtim, 4:1, për ta lënë prapa Liverpoolin, shkruan Gazeta Express.

Edhe në dy ligat tjera më të forta evropiane, La Liga dhe Serie A, titulli tashmë dihet.

Barcelona e ka siguruar më herët titullin e kampionit pasi u tregua e pa konkurrencë, pasi Real Madridi dhe Atletico Madridi u dorëzuan gjatë rrugës.

Kurse, në Itali Juventusi e vazhdoi dominimin duke qenë i pa konkurrencë, derisa luftë më e madhe në Serie A po bëhet për Top 4.

Në Gjermani nuk është përcaktuar ende kampioni pasi liderin Bayern Munich dhe Borussia Dortmundin i ndajnë vetëm dy pikë, një xhiro pa përfunduar sezoni.

Sidoqoftë, duket se gjiganti bavarez nuk do ta lëshojë lehtë titullin nga duart.

Në Francë, çështja e titullit është mbyllur më herët pasi Parisa Saint-Germaini gjendet 16 pikë përpara Lillet, dy xhiro pa përfunduar edicioni aktual.

Në Holandë, mrekullia dhe gjysmëfinalisti i Champions League, Ajax do të festojë në kampionatin nacional, ndërsa në Belgjikë vazhdon lufta në mes të Genkut dhe Club Brugge për titull.

Sa u përket kampionateve në vendet ballkanike, kampionët dihen po ashtu.

Në Shqipëri, fundjavën që shkoi titullin e kampionit e siguroi Partizani i Tiranës.

Në Maqedoni, Shkëndija vazhdon t’i bëjë krenarë shqiptarët duke e dominuar edhe këtë sezon, me ç’rast do të luajë përsëri në Champions League.

Kurse, në Kroaci, Dinamo Zagrebi i Amir Rrahmanit ishte i pa konkurrencë këtë sezon dhe e ka siguruar titullin më herët.

E në Mal të Zi, Sutjeska është pranë titullit, tri xhiro pa përfunduar kampionati. Kjo skuadër ka 5 pikë më shumë se Buduçnosti.

Në Bosnje e Hercegovinë, dy xhiro pa përfunduar sezoni Sarajeva është lidere me tri pikë më shumë se Zrinjski Mostar.

Në Greqi, PAOK Selaniku u shpall kampion, derisa në Bullgari Ludogoretsi ka 3 pikë më shumë se CSKA Sofia, tri xhiro pa përfunduar sezoni.

Në Turqi, Galatasaray dhe Istanbul Basaksehir kanë pikë të njëjta, dy xhiro pa përfunduar sezoni.

Kurse, në Zvicër, ku luajnë disa shqiptarë, Young Boys ishte dominues absolut dhe ka 23 pikë më shumë se Baseli, tri xhiro pa përfunduar sezoni. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart