Njihuni me 11 gratë shqiptare të krimit të organizuar, nga vrasjet tek trafiqet - Gazeta Express
string(78) "njihuni-me-11-grate-shqiptare-te-krimit-te-organizuar-nga-vrasjet-tek-trafiqet"

Njihuni me 11 gratë shqiptare të krimit të organizuar, nga vrasjet tek trafiqet

Gazeta Express

02/07/2020 19:05

Në botën e errët të krimit të organizuar, protagonistë nuk janë vetëm meshkuj, por vitet e fundit janë përfshirë edhe femra, që në disa raste nga joshja ose kërcënimi u bënë pjesë e ngjarjeve të rënda.

Gazeta “Fjala” sjell rastet e 11 femrave të implikuara në vrasje, trafik droge, mashtrime në shuma të mëdha dhe trafik prostitucioni.

Lexo Edhe:

Publikohet edhe lista e 11 grave të tjera të shpallura në kërkim ndërkombëtar

Hiret ishin të rëndësishme për të, aq sa, teksa hoqi nga duart prangat që i shtërngonin kyçet, veprimi i parë që bëri qe rregullimi i flokëve. Krejt e qetë, 26-vjeçarja Adiola Lakra priti akuzën e rëndë të bashkëpunimit në vrasje. Habinë e shfaqën si dy gardianet që e shoqëronin, ashtu edhe të pranishmit e tjerë, prokuror, avokat, gjyqtar dhe një numër i madh gazetarësh. Ajo mund të jetë viktimë e joshjes nga paraja, mund të dalë edhe pa faj në fund të procesit, por tashmë Adiola Lakra i është shtuar listës së femrave të dyshuara si bashkëpunëtore dhe në disa raste organizatore të krimit të organizuar, të përfshira në ngjarje të rënda si vrasje, trafik droge dhe mashtrim në shuma të mëdha.

Nuk janë të pakëta rastet kur vajzat janë përdorur nga këto grupe në ngjarje të rënda kriminale. Sipas policisë, Lakra dyshohet si personi që nxori në pritë Hekuran Billën, i cili u ekzekutua më 11 qershor të këtij viti, me 17 plumba, nga hasmi i tij. Por, 26-vjeçarja nuk është e vetmja e dyshuar si e implikuar në ngjarje të rënda. Dy dekada më parë, u ekzekutua në Durrës, thuajse me të njëjtën skemë një nga personazhet e errëta të botës së krimit, Marsel Sotiri.

Gazeta “Fjala” rendit disa nga gratë e përfshira në ngjarje të bujshme kriminale. Akuzat që rëndojnë mbi to janë nga më të ndryshmet që nga vrasjet, trafiku i drogës, shfrytëzim prostitucioni dhe mashtrimet. Ka edhe shumë të tjera që, fatkeqësisht, kanë marrë damkën e “vrasëseve”, por në rrethana tërësisht të tjera, herë për vetëmbrojtjeje dhe herë në formë hakmarrjeje, duke mbajtur mbi supe peshën e rëndë të marrjes së një jete.

Nuk është e rastit që shpesh policitë, edhe të vendeve më të zhvilluara, hasin në vështirësi zbulimi, ku organizata apo grupe kriminale rekrutojnë femra për t’i përfshirë në krime të rënda dhe, veçanërisht, në trafikun e drogës apo prostitucionit. Deri më tani vendi ynë nuk ka pasur një “Vejushë të zezë” që të konsiderohet si “bose e krimit”, por nuk janë të pakta rastet kur femrat arrijnë të futen në listën e të shumëkërkuarve, si të përfshira në vrasje të organizuara, trafik droge dhe prostitucioni. Disa janë zbuluar, por të tjera, edhe pse mbajnë mbi supe dënime të rënda, kanë mundur të arrtisen. Këtë e tregojnë edhe shifrat që gazeta “Fjala” ka mundur të sigurojë. Në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë 11 femra të dënuara, por që kanë mundur deri më tani t’u shmangen autoriteteve, vendase dhe të huaja.

Atentati ndaj Hekuran Billës

Tri javë më parë kryeqyteti do të tronditej nga një ngarje e rëndë, ku në zonën e “Komunës së Parisit”, do të ekzekutohej me 17 plumba Hekura Billa. Si një nga bashkëpunëtoret e kësaj ngjarjeje policia e Tiranës vuri në pranga edhe 26-vjeçaren Adjola Lakra, e cila dyshohet se është përdorur si karrem nga autorët, për ekzekutimin e hasmit të tyre. Grupi hetimor për këtë ngjarje ka dalë në përfundimin se Billa, mbrëmjen e 11 qershorit, kur edhe u ekzekutua te “Komuna e Parisit”, është nxjerrë në pritë nga vajza me të cilën prej një viti kishte krijuar një lidhje dashurie. Pjesëtarët e fisit Marku për të ekzekutuar hasmin e tyre kishin infiltruar 26-vjeçaren për të marrë informacion për lëvizjet e Hekuran Billës.

Dyshimet janë se Adjola Lakra është përdorur nga Viktor Marku dhe Sebastian Mali që të fitonte dashurinë e Hekuran Billës. Vajza e cila u zbulua si një nga bashkëpunëtoret e krimit të rëndë, është identifikuar nga tabulatet telefonike, ku ka komunikuar shpesh me Sebastian Malin, nipin e autorit kryesor të vrasjes. Në dëshminë e parë përpara oficerëve të policisë gjyqësore e reja ka pranuar se ka pasur lidhje me Sebastian Malin, por jo se ka pasur dijeni për ngjarjen. Hekuran Billa në vitin 2006 vrau në Angli Prel Markun, vëllanë e Viktor Markut.

Vrasja e Marsel Sotirën

Thuajse në të njëjtën mënyrë si ekzekutimi i Billës, është vrarë në vitin 1999 Marsel Sotiri, një personazh mjaft i njohur i botës së krimit, i cili njihej edhe si kundërshtar i Lul Berishës, i cilësuar nga institucionet e drejtësisë si kreu i “Bandës së Durrësit”. Ai i kishte shpëtuar një atentati dhe, sipas të dhënave të dosjes hetimore, më pas kishte marrë hak duke vrarë dy anëtarë të bandës. Që nga ajo ditë ai lëvizte me makina të blinduara dhe ruhej. Në këto kushte banda vë në zbatim një goditje perfekte duke përdorur si karrem një vajzë të re simpatike. Vajza e njohur si “Miss Skrapari”, nën kërcënimin e Klodian Saliut, nxjerr në pritë Sotirën, i cili vritet me 271 plumba. Sipas dëshmive që ndodhen në dosjen gjyqësore, Valbona Jaho u përdor nga Saliu, i cili fillimisht e bëri të dashur dhe më pas e detyroi të joshte Marsel Sotirin. Vajza e detyruar nga presioni i Saliut, bëri atë që e urdhëron, nga frika se mos i ekzekutonin familjen. Pas arrestimit, Valbona Jaho tregoi ngjarjen dhe, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, dhe vlerësimit se “ishte e kërcënuar”, nuk u dënua.

Zylfie Haklaj

Në Tropojën e viteve 1997-2002 vrasjet ishin kthyer në “rutinë” të frikshme. Personazhet kishin emra dhe ndër më të njohurit ishte ai i familjes Haklaj, nga fshati Kërnajë. Pas ekzekutimit të katër vëllezërve, Zylfie Haklaj, mëngjesin e 2 prillit të vitit 2002, do të ekzekutonte në mes të Bajram Currit Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin. Familja Haklaj dhe Lumneshi fillimisht kanë pasur marrëdhënie të mira, por kur Haklajt mësuan nga informatorët se Rasim Lumneshi ishte rreshtuar me kundërshtarët, madje dyshonin se ai ishte truri i disa prej ngjarjeve më të rënda ndaj tyre, gjërat ndryshuan. Sipas versionit që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, rezulton se Zylfie Haklaj zbriti në Bajram Curri nga fshati i saj me një furgon pasagjerësh të rastit. E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo e kishte të lehtë të fshihte poshtë palltos së saj një kallashnikov që e kishte hedhur në sup. Mësuesja e fizikës zbriti nga furgoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit dhe ngjiti shkallët në krah të tij që të nxjerrin në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Lokali ku qëndronin të ulur dhjetë burra, të gjithë me armë në brez, qoftë me leje apo pa leje, ishte rreth 100 metra larg. Ajo eci ngadalë për të mos tërhequr vëmendjen e klientëve të shpërqendruar të lokal “Ervin”, që ndodhej vetëm 50 metra në vijë ajrore nga hyrja e komisariatit të Bajram Currit.

Sipas dëshmitarëve okularë, Lumneshit nuk i shpëtoi pa i rënë në sy fakti që drejt tij po vinte një femër e gjatë, e cila po ecte me hap të ngadaltë drejt tij, por miqtë me të cilët ishte në tavolinë e siguruan të mos shqetësohej për asgjë. Rreth orës 10:15 minuta Zylfije Haklaj ndodhej vetëm 10 metra larg tavolinës së Lumneshit. Ajo vetëm zbërtheu pallton dhe nga poshtë saj nxori kallashnikovin, të cilin nuk e hoqi nga supi, por hapi zjarr direkt duke qëlluar një nga një. Të shtënat e para që tronditën shëtitoren kryesore të Bajram Currit në një nga orët më të populluara, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. Ndërsa Hysni Biberi dhe kryetari i Gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha, mbetën të plagosur. Nuk dihet a do të kishte pasur viktima të tjera nëse mësueses së fizikës nuk do t’i bllokohej kallashnikovi.

Femrat e përfshira në trafikun e drogës

Në operacionet policore të zhvillura nga policia për goditjen e grupeve kriminale që merren me trafik droge, nuk kanë qenë të pakta rastet kur në pranga, si pjesë e këtyre grupeve kanë qenë edhe femrat. Në vitin 2016 si e përfshirë në një rrjet të trafikut të kokainës policia vuri në pranga Vjollca Gjokën. 48 vjeçarja ishte krahu i djathtë i Gjergj Cukalit, drejtuesi i bandës dhe bënte bilancet e parave nga shitja e kokainës. Sipas policisë, grupi nxirrte një fitim që kapte vlerën e 50 mijë eurove në muaj. Gjatë kontrollit në banesën e saj policia ka gjetur një fletore të publikuar asokohe, ku 48¬ vjeçarja ishte kujdesur të shkruajë çdo dozë të shitur. Në nëntor të vitit 2014 në prangat e policisë përfundoi Valentina Tufina, e njohur si “Tezja e kokainës”. Ajo u arrestua në Fushëkuqe të Lezhës në një laborator të ndërtuar nga i shumëkërkuari Gëzim Çela i cili mundi të arratisej. Ky i fundit e sillte kokainën nga vendet e Amerikës Latine ndërsa Tufina, për shkak të njohurive të saj si kimiste e përzjente dhe garantonte cilësinë e saj. Sot ajo ndodhet në burgun e Lipjanit në Kosovë ku po vuan një dënim me 6 vjet e gjysmë burg dhe 7 mijë euro gjobë. Ajo është dënuar edhe në Shqipëri me 14 vjet burg.

Në një intervistë për emisionin “Frontal” të T7 ajo ka rrëfyer pse i hyri kësaj rruge. Thotë se gjithçka e bëri për hir të fëmijëve. Një tjetër vajzë e përfshirë në trafikun e drogës ishte edhe Eglantina Lulo. Ajo, ishte pjesë e bandës së Edrit Dokles, i cili edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm, drejtonte nga burgu trafikun e heroinës. Vajza kishte një rol të rëndësishëm në këtë trafik. Ajo priste drogën në Itali, ku më pas e shpërndante atë tek personat e tjerë të këtij grupi kriminal. Sonila Dinoishi dhe Aurora Liço u arrestuan 5 vite më parë gjatë një megaoperacioni, ku përfunduan në pranga 26 persona. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Prokuroria e Tiranës në atë kohë, të dyja vajzat të cilat ishin të dënuar edhe më herët për drogë, kishin rolin e koordinatoreve për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Sara Canko

Sara Canko, dhjetë vite më më parë u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Beratit, pasi detyroi mbesën të punojë si prostitutë në Greqi. Cenko u shpall fajtore së bashku me me të dashurin e saj, Jani Mejdi, ky i fundit u dënua me 16 vite heqje lirie, pasi akuzohen se trafikuan me qëllim shfrytëzim prostitucioni shtetasen me inicialet M. D. E trafikuara ishte vajza e motrës së Cankos. Tezja tutore, e cila e ka pritur vendimin në masën e “arrestit në shtëpi”, u akuzua se trafikoi për disa muaj me radhë në banesën e saj në Greqi mbesën e saj 18-vjeçare, me inicialet M. D. Së bashku me 24-vjeçaren, është gjykuar i dashuri i saj, me të cilin ajo bashkëjetonte, Jani Mejdi, nga Saranda. Ndërsa Canko është dënuar me 7 vjet burg, pasi është cilësuar fajtore për veprën penale të “trafikimit për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese”. Ndërsa 43-vjeçari Mejdi është shpallur fajtor dhe dënuar me nëntë vjet heqje lirie për veprën e “trafikimit të prostitucionit për qëllime përfitimi në rrethana rënduese” dhe “dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Dy të akuzuarit u denoncuan në muajin prill të vitit të kaluar nga 18-vjeçarja me inicialet M. D., që është vajza e motrës së Cankos.

Albana Imami, ish-drejtoresha e fondit “Besa”

Gjithashtu, nuk kanë qenë të pakta rastet kur femrat janë përfshirë edhe në mashtrime me pasoja të rënda. Një vit më parë policia ndërmori një operacion duke vënë në pranga 7 persona, punonjës të fondit “Besa”. Mes të arrestuarve ishte edhe drejtoresha e këtij fondi, Albana Imami. Nga hetimet rezulton, se ish-drejtoresha në bashkëpunim edhe punonjësit e tjerë vodhën rreth 3.7 milion euro. Sipas institucionit të akuzës, Imami bashkë me oficerët jepnin kredi, para të cilat i mbanin për vete. Ndërkohë që drejtoresha e arrestuar, e akuzuar si ideatorja e skemës, ka pranuar fajësinë, por ka thënë se e ka bërë në një moment pavetëdijeje. Klientët paraqiteshin vetëm në momentin kur u hidhej kredia në llogari, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë. Këta klientë përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Odisela Duka

Historia e Odisela Dukës, me profesion stomatologe, bëri jo pak bujë. Nëpërmjet mashtrimit ajo u merrte shuma të konsiderueshme biznesmenëve, fillimisht krijonte marrëdhënie të afërta me to dhe më pas u kërkonte atyre të investonte në 8 klinikat që ajo kishte, por që faktikisht nuk i kishte. Përveç ndihmës pë blerjen e aparaturave mësohet se 38-vjeçarja, u kërkonte biznesmenëve që të këmbente lekët në euro. Pikërisht duke bërë këmbimin e parave nga lek në euro, Olesia Duka ka mashtruar biznesmenët pasi u jepte më pak lekë, në krahasim me eurot që i jepnin ata. Mes personave të mashtruar është edhe Idlir Hoxha, i cili kishte një agjenci udhëtimi, si dhe një pikë për këmbimin e parave në Durrës dhe i kishte dhënë 38-vjeçares rreth 900 mijë euro. “Shtetasja e dyshuar Olesia Duka, me banim në Tiranë dhe administratore e një subjekti tregtar në fushën e stomatologjisë, i është prezantuar shtetasit të dëmtuarit si mjeke e cila kishte në pronësi disa klinika dentare dhe konkretisht tetë klinika, nga të cilat grumbullonte të ardhura të shumta në lek dhe i duhej valutë në euro me qëllim blerjen e materialeve të shtrenjta për këtë fushë.

Aktiviteti i kryer midis të dëmtuarit dhe të dyshuarit, konsiston në këmbimin e parave midis tyre dhe gjatë një periudhe relativisht të shkurtër janë krijuar diferenca të qëllimshme nga ana e autorit të veprës penale, ku fillimisht në ditët e para të aktivitetit ka sjellë para në lekë dhe ka marrë kundër vleftën në euro në mënyrë të përpiktë. Më pas, nisur dhe nga besimi i krijuar nga ana e të dëmtuarit ajo ka sjellë lekë më pak sesa eurot që kërkonte e që merrte, duke krijuar kështu për një periudhë rreth dymujore një diferencë shumë të lartë”, thuhet në dosjen e prokurorisë, e cila shpjegon skemën e mashtrimit. Pavarësisht se i mashtronte, Olesia Duka u thoshte biznesmenëve se do t’ua kthente pas paratë, pasi xhironte shuma të mëdha në 8 klinikat e saj. Prokuroria gjatë leximit të pretencës tha se biznesmenët mashtroheshin pasi 39-vjeçarja, u tregonte disa reklamime në media që ajo kishte bërë, por edhe fushata bamirësie ku ajo kishte marrë pjesë.

Lista e 11 femrave të shpallura në kërkim nga Policia e Shtetit

Policia e shtetit ka publikuar edhe një listë të 11 vajzave më të kërkuara nga policia, të cilat janë të dënuara me vendim të formës së prerë. Nga 11 femrat e shpallura në kërkim, 4 prej tyre janë të dënuara për shfrytëzim prostitucioni; 3 janë të dënuara për vrasje; 1 për rrëmbim personi; 2 për mashtrim dhe e fundit është dënuar për trafik të mjeteve motorike.

  1. Floresha (Flora) Hasan Ndino, 23 vjet, rrëmbim personi
  2. Kudrete Hysni Tafa, 15 vjet, vrasje, largim nga burgu
  3. Lumije (Lume) Halit Hoxha, 25 vjet, vrasje, larguar nga burgu
  4. Maria (Angjela) Roço Tamila, 6 vjet, trafik të mjeteve motorike
  5. Miranda Qerim Rabja (Kishta), 17 vjet, shfrytëzim prostitucioni
  6. Ruzhdije Hamdi Zana, 7 vjet, shfrytëzim prostitucioni
  7. Klodiana Agim Carangella (Shkoza), 15 vjet, favorizim prostitucioni
  8. Ornela Shefqet Domi (Shaba), 9 vjet, vrasje
  9. Feruze Haki Zerellari, 5 vjet, mashtrim
  10. Sara Estref Canko, 5 vjet, shfrytëzim prostitucioni
  11. Merita Munir Nurçe, 5 vjet, mashtrim