Një votë serbe nga Vuçiç për “brate” Edin! - Gazeta Express
string(39) "nje-vote-serbe-nga-vucic-per-brate-edin"

Shqiperi

Gazeta Express

18/04/2021 23:12

Një votë serbe nga Vuçiç për “brate” Edin!

Shqiperi

Gazeta Express

18/04/2021 23:12

Nga Boldnews.al

Ishte e pritshme, e kuptueshme që filoserbët të bënin tifozllëk, e madje të ndërhynin drejtëpërdrejtë në fushatën tonë për të ndikuar që zgjedhjet t’i fitojë Edi Rama. Për ta, ai është “brate Edi” (në serbisht do të thotë vëlla Edi), dhe nuk e kanë fshehur preferencën që ai të triumfojë. I pari që reagoi ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Lexo Edhe:

“Të dashur maqedonas, qytetar të Republikës së Shqipërisë. Republika e Shqipërisë do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 25 Prill dhe një nga kandidatët në listën e PS, mikut tim të dashur Edi Rama, është edhe Vasil Sterjovksi, një maqedonas. Votoni numrin 12”-shkruan Zaev. Padyshim një implikim i drejtëpëdrejtë në punët e brendshme të Shqipërisë, por Ramës i pëlqeu, pasi qoftë edhe për një grusht votash që mund të vijë nga komuniteti i pakët maqedonas që është deklaruar në bashkinë Pustec, për të ka vlerë.

Por ndërsa Zaev e tha fjalën e tij, nuk mund të qëndronte indiferent as Aleksandër Vuçiç. Fundja për të fitorja e Ramës ka rëndësi jetike, pasi është i vetmi kryeministër shqiptar që ka ndjekur një politikë pro serbe, aq sa denigroi edhe liderët e Kosovës.

“Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon.” ka thënë Vuçiç.

Janë fjalët e Ramës ato të artikuluara kaq identik nga Vuçiç, që sipas tij, pas Bashës fshihet Berisha. Për Vuçiç, i cili shprehet se po ndjek me interes zhvillimet politike në Shqipëri, ka shumë rëndësi që Rama të rimarrë sërish pushtetin. Kurrë më parë nuk është ndjerë kaq superiore Serbia, kur me ndihmën e Ramës, u hodh në treg ideja e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, ku kjo e fundit do të merrte Mitrovicën e Veriut, ndërsa Kosovës i jepej një rrip nga Lugina e Preshevës.

Po ashtu gjatë qeverisjes së Ramës nuk kishte ndodhur kurrë që kryeministri i Shqipërisë të hidhte në gjyq kryeministrin e Kosovës, pikërisht Ramush Haradinajn, një politikan i ardhur nga lufta, duke i dhënë Kosovës edhe gjakun e dy vëllezërve të vrarë gjatë konfliktit të armatosur Kosovë-Serbi. Një ngjarje e ndodhur në atë kohë kur “brate Edi” shëtiste në plazhet nudist të Francës, ndërsa “miku Vuçiç” ishte ministër i Sllobodan Milosheviçit, gjaksorit të Ballkanit.

Sot janë bërë të gjithë bashkë “filoserbët” që qoftë edhe për pak, të ndikojnë që Rama të marrë sërish mandatin qeverisës. Nuk ka si të mungojë as “arkadash Erdogani”. Me ndikimin e tij direkt, Erdogan po i jep një dorë të fortë fushatës së Ramës, duke i ndërtuar një spital “portativ” në Fier dhe dhënë mbi 200 mijë doza vaksina kineze. Dihej prej kohësh mbështetja e Erdogan, pas së cilit fshihet një “neootomanizëm” që nën qeverisjen e Ramës ka nisur të lulëzojë.

Tashmë i shtohet edhe ndikimi serb, në çdo lloj forme, qoftë edhe në preferencë të liderëve për të pasur sërish edhe për katër vite Ramën kryeministër, pasi vetëm në atë mënyrë janë të bindur se prej tij nuk do të pengohet ideja e “Mini-Chengenit Ballkanik”, që në fakt nuk është gjë tjetër përveçse “Mega Serbia”.