Njëvjetori i ndarjes nga VV-ja: Zyrtarët e PSD-së thonë se nuk janë në politikë vetëm për konstatime


Gazeta Express
8 Maj 2019 14:40

Partia Socialdemokrate ka shënuar 1-vjetorin e riorganizimit të saj dhe po lë prapa një vit përplot angazhim në Komunën e Prishtinës, Komunën e Kamenicës, në grupin parlamentar, si dhe në shtrirjen organizative të partisë në çdo cep të vendit, thonë nga ky subjekt.

Lidhur me angazhimin njëvjeçar dhe eventin shënues të riorganizimit të PSD-së, në një konferencë për media folën nënkryetari dhe deputeti Dukagjin Gorani, dhe deputetja Shqipe Pantina.

“Riorganizimi i partisë socialdemokrate është një përpjekje e një grupi të grave the burrave, aktivistë e deputetë, që në kohë të vështira të qeverisjes klanore, të ndasive sociale dhe të grindjeve partiake, të ofrojë një përkufizim funksional të angazhimit shoqëror – për politikëbërjen si ofrim i zgjidhjeve, e jo vetëm si konstatim i problemeve”, theksoi Dukagjin Gorani.

Ai shtoi tutje se mbi këto parime, në skenën publike dhe politike, PSD po përpiqet ta promovojë arsyeshmërinë në veprim dhe kreativitetin në mendim, si dhe po tenton të promovojë transformimin përmes debatit e bashkëpunimit, e jo përmbytjen përmes armiqësimit e denigrimit.

Kurse, deputetja Pantina foli për angazhimin dhe punët konkrete të PSD-së në Kuvendin e Kosovës dhe dy komunat PSD është në qeverisje, si dhe shtrirjen në terren.

“Përveç se kemi aplikuar kuotën gjinore 50:50 në struktura të partisë, në qeverisjen e Prishtinës nga 16 drejtori, 7 nga to udhëhiqen nga gratë apo përkthyer në përqindje – 44%; e në Kamenicë, kjo përqindje është 54%, pasi që nga 11 drejtori, 6 drejtohen nga gratë. Krahasuar me komunat tjerat, ku 85% të drejtorive udhëhiqen nga burrat e vetëm 15% nga gratë, qeverisja e PSD-së në këto dy komuna ka dhënë shembullin e kundërt, duke e konsideruar barazinë si pikënisje dhe duke dhënë hapësirën e barabartë për burrat dhe gratë në qeverisje”, potencoi deputetja Pantina.

Ajo ka ftuar gjithë mbështetësit e PSD-së, që nesër, me 9 maj, duke filluar nga ora 18:30, në Sallën e Kuqe, të marrin pjesë në njëvjetorin e riorganizimit të partisë.

Te fundit


Kthehu lart