Shoferi i një cisterne duket se qëllimisht është përpjekur ta shtypë turmën e protestuesve në një urë në Minneapolis. Sidoqoftë, asnjë protestues nuk u godit nga kamioni.
Një grumbull i madh i protestuesve e kishin bllokuar urën perëndimore “Interstate 35” afër qendrës së qytetit Minneapolis të dielën në mbrëmje, kur ata e panë një kamion që po vinte me shpejtësi drejt tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Turma e njerëzve u shpërnda në panik anash urës kur kamioni u afrua. Disa njerëz ishin në rrezik për t’u goditur nga automjeti i peshës së rëndë. Disa protestues ia hodhën biçikletat në rrugë për t’ia bllokuar lëvizjen.
Pasi kamioni u ndal, protestuesit e nxorën prej tij shoferin dhe filluan ta sulmonin. Zyrtarët thanë se asnjë protestues nuk është lënduar, por u tha se veprimi i shoferit të kamionit duket se ka qenë i qëllimshëm.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha se vozitësi i cisternës është liruar nga spitali me lëndime jo shumë serioze dhe është dërguar në ndalim policor.