Një reportazh mbi artin kosovar - Gazeta Express
string(31) "nje-reportazh-mbi-artin-kosovar"

Arte

Gazeta Express

25/05/2023 12:41

Një reportazh mbi artin kosovar

Arte

Gazeta Express

25/05/2023 12:41

Një kalim nëpër veprat dhe planet e disa prej artistëve të rinj kosovarë që kanë arritur të tregohen të suksesshëm në skenën e artit ndërkombëtar

Nga Andi Çollaku & Rron Ukimeraj

Lexo Edhe:

Artisti prishtinas që depërtoi deri në Tel-Aviv

Në një histori frymëzuese të lidhur me artin, një artist nga Prishtina, Gent Cervadiku, ka gjetur rrugën e tij nga qyteti i tij i lindjes në një destinacion të pashmangshëm artistik – Tel-Aviv, Izrael. Nëpërmjet pasionit të tij, arti e ka udhëhequr në një aventurë të papritur.

Përmes  disa pyetjeve me e-mail Cervadiku përgjigjet se si ishte frymëzuar dhe nga çka. “Frymëzimi im është shoqëria që e kam në Prishtinë, e po ashtu edhe llojllojshmëria e kulturave që rrjedhojnë nga një identitet shqiptar po që përkthehet në interpretime të ndryshme”.

Gent Cervadiku me ekspozitë personale në Tel-Aviv

Cervadiku ka qenë pjesëmarrës aktiv edhe në një seri të ngjarjeve artistike dhe ekspozitash të rëndësishme, ku ai ka pasur mundësinë të promovojë artin e tij në Izrael, duke demonstruar talentin dhe vizionin e tij që gjithmonë ka ngjallur interes dhe vlerësim. Kjo ndodhi gjatë studimeve parauniversitare, kur ai ishte angazhuar në shfaqje grupi dhe projekte artistike, duke eksploruar dhe eksperimentuar me forma të ndryshme të ekspresionit artistik.

Ai po ashtu foli edhe për vështirësitë që hasi në krijimin e artit në Prishtinë dhe se si ndikoi vizita në Tel-Aviv. “Kur shkova në Tel-Aviv kuptova se sa të padukshme apo të pavërteta janë kufijtë e artit”, tha ai.

Sipas Cervadikut, zhvillimi i artit bashkëkohor në Prishtinë e Kosovë, është problematik dhe ka ngecje ne zhvillimin e mëtejshëm. “Për arsye të mungesës së ekspozimit, kulturës fetare e tabuve”, shpjegoi ai.

Nga Prishtina në Belgjikë

Një histori tjetër e udhëtimit artistik kemi një artiste lokale nga Prishtina, Erlisa Çerkini. Pasi ka përjetuar krijimin e artit në Prishtinë ajo vendosi që karrierën e saj ta vazhdoj dhe ta zhvillojë në një frymë të re urbane, arti e solli Çerkinin edhe ne Antwerp-Belgjikë, ku tashmë ka ekspozuar disa nga veprat e saj. Ajo me artin e saj pati mundësinë të pranohej në 3 akademi artesh, në Itali, Holandë dhe Belgjikë. Po thuajse ka 2 vite që Çerkini zgjodhi  studimet e pikturës ti vazhdoj ne Belgjikë

Ne kemi kontaktuar artisten Prishtinase përmes Whatssapp-it me disa pyetje se si e zgjodhi artin dhe po ashtu ndikimi i vendlindjes së saj në veprat që krijon.

Çerkini thotë se vlerat kulturore dhe patriotizmi e ka përcjellë që nga fëmijëria dhe se kjo frymë ishte brenda familjes së saj. “Gjithmonë kam pasë lidhje shpirtërore me vendlindje, po kjo lidhje veç sa është zgjeru prej momentit që kam filluar studimet në drejtimin pikturë, në Akademinë e  Arteve të Bukura në Belgjikë, Antwerp”,  tha ajo.

Pjesë nga ekspozita kolektive e akademisë së arteve në Belgjikë, ku shfaqen motivet shqiptare popullore (Erlisa Çerkini)

Artistja po ashtu rrëfen për kohën kur punonte në kuadër të “Manifesta 14”. “Punoja si vullnetare në Manifesta Biennale e cila po mbahej në Prishtinë. Mund të them me plot fjalë që burim frymëzimi në krijimtarinë time ka qenë po ajo periudhë 2 mujore, kam pas rastin me u njoftu me veprat artistike të shumë artistëve lokal, veprat të cilat kanë komunikuar mesazhe qoftë të kamufluara apo edhe të dukshme”, shtoi ajo.

 Çerkini  po ashtu flet se si Prishtina, ndikon në artin që ajo krijon. “Prishtina për mua është ngrohtësi, është një ndër vendet e pakta që më mbush me paqe shpirtërore, ndjesi të cilën vazhdimisht mundohem me e përqu nëpërmjet punës time artistike, tek njerëzit e tjerë.”

“Puna ime artistike është krejtësisht e lidhur me vendlindje. Momentalisht jam në proces të hulumtimit të motiveve tradicionale që gjenden në veshjet tona popullore”, shtoi Çerkini për punën e saj në Antwerpen.

Ajo po ashtu u shpreh se sa e rëndësishme është hapësira se ku ekspozohen punimet e një artisti.  “Mendoj që çdo cikli të punimeve duhet t’ju përshtatet vendi i ekspozimit (arkitektura, lidhshmëria e ngjyrave, etj.) andaj nuk mendoj që ka të bëjë me preferencë, por më shumë me përshtatje.”

Pikture nga Erlisa Çerkini

Duke e pyetur artisten për të ardhmen dhe planet që ka për ekspozitat e artit të saj, ajo tha se ka dëshirë të kthehet në Kosovë dhe të mbaj këtu ekspozita të punës së saj. “Gjatë kësaj vere kam marr iniciativ të ekspozojë artin në Etno Fest, fshatin Kukaj, punimet e ciklit t’cilit ende jam duke punu. Fadil dhe Ilaz Hysaj, zoterinjtë e festivalit kanë pranuar me shumë entuziazëm iniciativën dhe unë jam tejet e lumtur që do i shfaq punimet në këtë festival për të dytën herë”, shtoi Çerkini.

Eksperienca në “Manifesta 14”

Ne pranverën e vitit 2019, Prishtina u zgjodh qyteti i 14-të nikoqir i Manifesta, kjo është Bienalja Nomade Evropiane “Manifesta” e cila u shfaq për herë të parë në Kosovë – Prishtinë zyrtarisht me datën 22 Korrik-2022. Ky është një program me gjithsej 100 ditë hulumtimi, zhvillimi dhe kërkimi në skenën e artit dhe urbanistikës së Prishtinës. Hotel grandi, një objekt i cili ende nuk ka arritur të  jetë pjesë e procesit të privatizimit në Kosovë, është shfrytëzuar për paraqitjen e shumë instilacioneve në kuadër të “Manifesta 14”. Vizitorët e “Manifesta 14” përveç këtyre instilacioneve artistike iu është paraqitur edhe suita m e famshme e hotelit ku ka kaluar natën edhe ish-lideri i Jugosllavisë Josip Broz Tito ku sipas profesorit dhe shkencëtarit politik amerikan Rudolph Joseph Rummel kishe vrarë rreth 500,000 persona në gjakftohtësi.

E sa i përket zhvillimit të mëtutjeshëm të Manifestës në Prishtinë, aktiviste ishte Donjeta Mejtani, e cila ishte Ndërmjetësuese për Art dhe Kulturë gjatë “Manifesta 14” – Prishtinë.

Pas disa pyetjeve me e-mail, kuptuam se Mejtani ishte mjaft e integruar në trajnime. “Ekipi i ndërmjetësuesve patëm filluar trajnimet/seminaret qysh nga muaji shkurt. Pra, për çdo muaj është mbajtur një fundjavë të plotë trajnim intensiv ku kemi diskutuar për bienalen, artin bashkëkohor, artistët pjesëmarrës, qasjen me vizitorët etj.”, tha Mejtani.

Ajo po ashtu tregon se si aktiviteti i saj në Bienale e ndihmoi dhe e mësoi me gjëra të reja për artin bashkëkohor në Prishtinë. “Më ka ardhur mirë të dëshmoi se ka pasur vlerësim të lartë për artin e krijuar nga artistët tanë. Unë gjithsesi e kam besuar se Kosova ka njerëz kreativ të standardit të lartë, por kjo periudhë e ka vulosur këtë në aspekt më të gjerë edhe për botën”, shtoi Mejtani.

Për “Manifesta 14”, Mejtani tha se ka sjell njerëz nga e gjithë bota për ta vizituar Prishtinën. “Në rrethana të tjera, ndoshta nuk do të kishin zgjedhur të vizitonin Prishtinën. Dhe shumica e njerëzve me të cilët kam komunikuar gjatë tureve të mia, deklaruan se do të ishin më se të lumtur të ktheheshin përsëri, sepse kaluan një kohë të këndshme gjatë qëndrimit të tyre. Ata e donin dhe shijonin veçanërisht energjinë dhe mikpritjen e njerëzve, ushqimin dhe jetën e natës”.  

Aktivistja po ashtu shkruajti se si mund të ketë ndikim kjo Bienale për Prishtinën, duke pasur rrugë më të pastra dhe të përmirësohej urbanistika e me të arritur këto, sipas saj, do të kishte më shumë vizitorë. “Por krahas gjithë kësaj, fakti që shumica e vizitorëve dëshironin të ktheheshin sërish dikur përsëri, më konfirmoi nga një këndvështrim objektiv, se vendlindja ime, Prishtina, është në të vërtetë e veçantë. Është e gjallë. Dhe kjo përvojë pune më bëri ta dua dhe më tepër vendin tim”, shtoi Mejtani.

Një Hapësirë për Inovacion Artistik

Siç e përmendëm edhe më herët, arti dhe zhvillimi i tij ndihmojnë shumë në rritjen kulturore, kritike dhe thelluese të një populli, e gjithmonë ka njerëz që janë shumë entuziast në zhvillimin  e mëtejshëm të artit.

Si shembull i kësaj është fondacioni 17 i cili me ndihmën e Manifestës ka hapur Galerinë e artit “Galeria 17” e cila tashmë ka 1 vit e 6 muaj prej që u hap. Kjo galeri gjendet ne lagjen “Henrik Bariç”, një nga lagjet më të vjetra të Prishtinës

Aty  ishte prezentë Liri Hashani, e cila është asistente e programit në “Galerinë 17”, në një intervistë ajo tha se ideja dhe organizimi i hapësirës është bërë nga një grup artistësh dhe artdashës që shprehen dëshirën për krijimin e një hapësire ku mund të shfaqet arti dhe ekspozita të ndryshme. Këtu ishte një histori interesante se si kjo hapësirë u shndërrua në një galeri.

“Së pari kjo ishte një punëtori e një mekaniku i cili me iniciativën tone na lëshoi lokalin për ta krijuar dhe ndërtuar galerinë që është prezent sot”, tha Hashani për hapat e parë të krijimit te “Galeria 17”.  

Ajo përmendi se përmes një aktiviteti të “Crowd Funding”, mundësuan që artdashësit nga i gjithë vendi të japin donacione për jetësimin e hapësirës. Pas atij aktiviteti, artistë të ndryshëm lokal vendosën të bashkëngjiten duke organizuar një event shitjesh pikturash. “Artistë të ndryshëm na ndihmojnë me veprat e tyre artistike, 50% e çdo shitjeje të artit do të shkoj për hapësirën e Galerisë, gjë që pa dyshim na ndihmon, por fatkeqësisht nuk mjaftojnë”, tha Hashani.

Në galerinë 17 mbahen katër ekspozita të artit në vit, me katër tema të veçanta që eksplorojnë kulturën, zhvillimin, tranzicionin dhe përmirësimin e jetës në aspektin kombëtar.

Renovimi i “Galeria 17” u bë një projekt që riktheu shpirtin e vjetër të lokalit të mekanikut dhe i dha një ndriçim të ri dhe sjellje moderne. Muret u freskuan me ngjyra të ndritshme dhe elegante, ndërsa hapësirat u hartuan me kujdes për të siguruar ambientin e përshtatshëm për ekspozitat artistike dhe aktivitetet e tjera kulturore.

Nëpërmjet “Galeria 17”, komuniteti artistik vendas ka gjetur një vend për të shfaqur kreativitetin e tyre dhe për të përcjellë mesazhet e tyre unike në publikun e gjerë. Ai është bërë një vend takimi për artistët vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe për të interesuarit në art dhe kulturë.

Pamje nga Galeria 17

Kjo është fotoja e cila tregon për tranzicionin e një hapësire e sidomos kur një hapësirë përdoret si një ekspozitë arti. Ky projekt renovimi ka demonstruar fuqinë e bashkëpunimit dhe ndikimin pozitiv që arti dhe kultura mund të kenë në përmirësimin e një hapësire. “Galeria 17” është një shembull frymëzues për të tjerët që janë të interesuar të rikthejnë hapësirat e vjetra në qendra të artit dhe krijueshmërisë.

Ekspozita për Rritjen e Ndërgjegjësimit

Një ekspozitë e rrallë, e cila për herë të parë po shfaqet në Kosovë, në Prishtinë, ka për qëllim të sensibilizojë publikun në lidhje me gjenocidin nazist ndaj komuniteteve rome, ashkali dhe sinti. Ekspozita, e cila fillimisht u prezantua në Gjermani, është organizuar nga organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, e cila gjithashtu është në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit qe ka ndihmuar në themelimin e këtij projekti. Ekspozita filloi me 10 Maj dhe mbaron me 31 Maj.

Sot kemi bërë një vizite Lapidariumit të Muzeut Kombëtarë – Prishtine ku është mbajtur ekspozita me temën: “Diagnoza Racore: Magjup”

Prezent aty ishte Denis Avdi i cili është organizator dhe po ashtu pjesëtarë i OJQ-se Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve. Aty e morëm në intervistë ku kishim disa pyetje rreth organizimit te kësaj ekspozite.

Ai ka shpjeguar se si panelet e ndryshme dhe veprat artistike tregojnë historitë e ndryshme të këtyre komuniteteve. Përmes historive personale të viktimave, vizitorët njihen me rrëfimet e tyre të përjetimeve dhe me fatin që disa prej tyre shpëtuan nga gjenocidi.

Avdi rrëfen se disa vizitorë kur hyrën për herë të parë në këtë ekspozitë u çuditën për faktin se edhe komuniteti rom, ashkali dhe egjiptianë janë përballur dhe ndeshur me regjimin Nazist. ”Ky është një problem i madh për një shoqëri, sepse nëse ne nuk vetëdijesohemi për të kaluarën dhe të dimë në të vërtet se çfarë ka ndodhur, atëherë nuk e kemi kryer punën tonë siç duhet si një shoqëri”, tha ai.

Lidhur me këtë koment iu drejtuam me një pyetje. A mendoni se në shoqërinë tonë egziston një frymë nacionaliste dhe për këtë arsye nuk njihet më shumë kjo përndjekje e komuniteteve? “Po, definitivisht, është arsyeja kryesore pse shumica e shoqërisë mund edhe të mos kenë informacione rreth gjenocidit drejt këtyre komuniteteve. Është përpjekja jonë e cila mundohet që të rris vetëdijesimin e kësaj ngjarjeje, që të gjithë ta marrin vesh për të kaluarën dhe përndjekjet e komuniteteve nga forcat Naziste”, shtoi organizatori.

Avdi tregon se si këto ekspozita informojnë edhe për mënyrën se si u trajtuan komunitetet e lartpërmendura, nga fotot e deri tek rrëfime personale nga të mbijetuarit e persekutimit Nazist. “Nazistët kishin përdorur kafkat e romëve, egjiptianëve dhe sintive për të bërë identifikimin e tyre më të lehtë. Me qëllim për të marrë sa më shumë informacione për ta, nazistët kryenin matje dhe eksperimente të ndryshme mbi këto komunitete. Eksperimentet ishin përpjekje për të ndjekur strategji mizore dhe për të krijuar një identifikim më efikas nga forcat naziste”, tha ai.

Më tepër, organizatori tha se kjo ekspozitë do të vazhdoj rrugëtimin e saj në Kosovë ku do të paraqitet edhe në qytetin e Prizrenit me datë 8 Qershor, më saktësisht në Shatërvan.

Ekspozita për ndërgjegjësimin dhe njohjen e vrasjeve, sipas organizatorit do të vazhdoj udhëtimin edhe pasi të mbaroi në Kosovë, dhe do të paraqitet në vendet e ndryshme të Evropës.