Një person humb jetën në çdo dy ditë nga aksidentet në Shqipëri


Gazeta Express
21 Gusht 2019 16:16

Instat ka publikuar statistikat mbi aksidentet e kryera .

Në muajin Korrik 2019 numërohen 148 aksidente rrugore nga 166 aksidente të ndodhura në muajin Korrik 2018, duke u ulur me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shtatëmujorin e parë 2019, numërohen 862 aksidente rrugore nga 967 aksidente të ndodhura në shtatëmujorin e parë 2018, duke u ulur me 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Korrik 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 228 persona nga 210 që ishte një vit më parë duke u rritur me 8,6 %. Numri i të aksidentuarve në shtatëmujorin e parë të vitit 2019 është 1.188 persona nga 1.279 persona, duke u ulur me 7,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në muajin Korrik 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 13 persona nga 18 persona të vdekur në Korrik 2018.

Në shtatëmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 115 persona nga 116 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mesatarisht çdo dy ditë një person ka humbur jetën nga aksidentet në rrugë.

Në muajin Korrik 2019, aksidentet rrugore, në 89,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 30,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë rritur me 15,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtatëmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 13,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 42,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Te fundit


Kthehu lart