Një ndryshim i vështirë


Gazeta Express
11 Tetor 2019 10:57

Emrat e rinj në pushtet nuk thonë asgjë, nëse nuk ka ndryshime thelbësore në mënyrën e qeverisjes dhe vendime të rëndësishme për jetën e qyetarëve. Pritjet janë të mëdha, ashtu si dhe sfidat. Albin Kurti e ka rastin të dëshmohet. Do ta ketë vështirë, shumë vështirë

Imer Mushkolaj

Euforia e fitores vazhdon për Lëvizjen Vetëvendosje, por përtej kësaj e pret një fazë e vështirë ndryshimi. Ndryshimi që ky subjekt politik e ka paralajmëruar tash sa vjet nuk është lehtë të arrihet dhe secili nga qytetarët që mund ta ketë votuar ose jo ka të drejtë të ndihet skeptik.

Përgjatë një dekade, në mos edhe më herët, mënyra e qeverisjes e ka shndërruar vendin në oazë keqpërdorimesh e korrupsioni për ata që e kanë pasur pushtetin. Përgjatë një dekade institucionet shtetërore janë kapur e tjetërsuar, duke u shndërruar në servise të partive e militantëve, si dhe familjarë politikanësh. Përgjatë një dekade mllefi i qytetarëve është rritur, për të shpërthyer më 6 tetor.

Aq shumë probleme janë shtresuar ndër vite, sa që tingëllon utopike të mendohet se mbase edhe disa nga më të thellat do të zgjidhen shpejt. Që nga ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve, deri tek ato politike. Pritjet e njerëzve janë të mëdha, ngase problemet janë të mëdha. E kur pritje nuk realizohen, kthehen në zhgënjim.

Mbase është herët të gjykohet se si do të mund të qeveris një kabinet qeveritar i udhëhequr nga Albin Kurti, por secili ka të drejtë t’i ketë rezervat e veta. Jo fort për mungesë besimi në qeverinë e ardhshme, sa për pamundësinë për të bërë më shumë në situatën kur gjithçka duket e stërkequr nga qeverisjet e mëparshme.

* * *

Edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin të krijojë qeveri bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, njerëzit fokusin do ta kenë sërish te Albin Kurti dhe partia e tij. Jo pa të drejtë, sepse te ai i kanë varur shpresat për ndryshim.

LDK’në e kanë parë të qeveris e bashkëqeveris ndër vite dhe gjendja ekzistuese në Kosovë në masë të madhe është trashëgimi edhe e mënyrës se si ka qeverisur kjo parti. Parti e cila vetëm e ka marrë pjesën e vet të privilegjeve duke mbushur institucionet me militantë e familjarë, duke ia zgjatur jetën PDK’së në pushtet dhe duke mos pasur guxim të marrë vendime të duhura, në kohën e duhur. Parti e cila vetëm falë kandidimit të Vjosa Osmanit ia doli të mbërrijë afër fitores – aq afër sa njerëzit, megjithatë, e panë Kurtin diferencë. Kurtin, të cilit i duhet të fillojë së zgjidhuri të gjitha problemet një nga një. Ashtu siç ka premtuar. E probleme ka shumë. Pa fund.

Duke filluar që nga sundimi i ligjit, si problemi më i madh, për të vazhduar me rritjen e mirëqenies për qytetarët dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Qeveria e re do të ketë aq

shumë punë, sa që nuk do të jetë kurrfarë privilegji të jesh pjesë e saj. Gjithnjë nën supozimin se nuk do të jetë si të mëparshmet, ose të paktën do të jetë shumë më e mirë.

Premtimet në fushatë zgjedhore janë tjetër gjë nga realizimi në praktikë dhe mundësitë për diçka të tillë nuk janë të mëdha. Vetëm mund të supozohet se sa do të jetë e vështirë rikthimi i institucioneve, agjencive e organizatave të tjera në normalitet, në kuptimin që nuk do të jenë në shërbim të partive, por të qytetarëve. Vetëm mund të supozohet se çfarë do të mund të ecë përpara në arsim e shëndetësi, në drejtësi e ekonomi, në punësim e integrim. Vetëm mund të supozohet nëse qeveria e re do t’ia dalë të bëjë punë të hajrit, me barrën e të kaluarës qeverisëse të stërkequr, të cilës i ka kontribuar më të madhe edhe LDK’ja.

* * *

Çfarëdo që do të ndodh, për mirë a keq, do t’i faturohet një njeriu: Albin Kurtit. Kjo mund të mos jetë e drejtë, por vota e 6 tetorit ishte në masë të madhe votë e ndëshkimit për mënyrën e qeverisjes së deritashme. Ishte votë mllefi ndaj atyre që herë shkaku i arrogancës së numrave e herë shkaku i qeverisjes arrogante dhe të papërgjegjshme e shndërruan vendin në një vrimë të zezë korrupsioni e nepotizmi, izolimi e bllokimi. Ishte votë shprese kryesisht për një parti politike e një emër të përveçëm, që ende nuk janë sprovuar në qeverisjen nacionale. Është përgjegjësi e madhe të provosh të riparosh gjithë ato që janë shkatërruar ndër vite.

Emrat e rinj në pushtet nuk thonë asgjë, nëse nuk ka ndryshime thelbësore në mënyrën e qeverisjes dhe vendime të rëndësishme për jetën e qyetarëve. Pritjet janë të mëdha, ashtu si dhe sfidat. Albin Kurti e ka rastin të dëshmohet. Do ta ketë vështirë, shumë vështirë. Por, ndryshimi zakonisht është i vështirë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart