Një muaj paraburgim për policin që dyshohet se e vrau Lulzim Spahiun - Gazeta Express
string(68) "nje-muaj-paraburgim-per-policin-qe-dyshohet-se-e-vrau-lulzim-spahiun"

Një muaj paraburgim për policin që dyshohet se e vrau Lulzim Spahiun

Gazeta Express

30/12/2019 15:37

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim policit Vllaznim Hamdiu, i cili dyshohet se me armë zjarri ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu, raporton Express

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata e Gjilanit ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Zyhdi Haziri, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë.

Lexo Edhe:

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H. gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L.S., tani i ndjerë.

Deri te ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. (polic) me armën e tij zyrtare shtie në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

“Tek i dyshuari gjithashtu janë gjetur edhe dy revole të tjera të modelit “Bereta 92 Auto” dhe 25 fishekë të llojeve të ndryshme, i cili të njëjtën ditë në një lokal në fshatin Malishevë të Gjilanit, duke dëgjuar muzikë kishte përdorur armën e tij”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Gazeta Express