Një letër për të gjithë ata adoleshentë që mendojnë të bëjnë vetëvrasje


Gazeta Express
9 Qershor 2019 16:51

Javën e kaluar, Gazeta Express, solli historinë e një gazetari të BBC i cili kishte raportuar nga Bosnja dhe Hercegovina, gjatë kohës sa atje po zhvillohej lufta. Këtë javë, ju sjellim një letër të një njeriu i cili tentoi që ta vriste veten gjatë adoleshencës, e ndërsa sot dëshiron të i ndihmon të tjerëve që kalojnë në këtë periudhë të vështirë.

Për Huffington Post, shkruan: Gary Nelson

I dashur shok/shoqe

Më lejo të filloj duke të të thënë se unë të dua. Jo, e vërtetë se unë nuk të njoh aspak. Ndoshta mund të të kem parë në ndonjë dyqan, ose duke vozitur me makinë në rrugë, por shancat më të mëdha janë që ti të jesh duke jetuar larg meje, ndoshta në ndonjë shtet tjetër. Unë të dua njësoj. Edhe pse ndoshta ne jemi larg, unë dhe ti, nuk jemi shumë ndryshe nga njëri-tjetri. Kjo është një fotografi e imja kur isha adoleshent. Ti mund ta dallosh vetëm me një shikim se unë nuk isha i lumtur. E sheh, sikur ti, unë kam ndier dhimbje. Unë madje kam pasur momente kur doja të bëja vetëvrasje. Ndoshta edhe ti je duke e menduar të njëjtën gjë, të paktën nëse tregohesh i sinqertë me veten. E di se disa herë, dhimbja mund të jetë shumë e rëndë për ta mbajtur me vete, e të bën të mendosh se ta vrasësh vetën është e vetmja zgjidhje e cila ta ndalon ndjenjën e të qenurit keq. Por mos e bëj, ja ku po t’i jap arsyet.

Unë mendoj se ajo çka po ndodh me ty është kjo. Ti po ndryshon, në mendje e në trup. Ti je pak a shumë si të gjitha qeniet tjera njerëzore. Je një larvë e cila po shndërrohet në flutur. Një gaforre e cila po kërkon për një gur të vogël për t’u fshehur nga grabitqarët e tjerë. Ajo që ishe më herët, tani është duke vdekur, je duke ndryshuar. Ajo që ke qenë, është ajo prej të cilës njerëzit të njohin, djali/vajza e vogël i cili ulej në prehër të të tjerëve dhe i dëgjonte historitë e të tjerëve. Historitë e atyre të cilët qëndronin gjithë natën zgjuar kur ti nuk ndiheshe mirë. Ata ende të shohin si ai personi i vjetër. Tani je duke ndryshuar para syve të tyre. Ti nuk tingëllon i njëjti dhe as nuk dukesh i njëjti. Dëshirat e tua kanë ndryshuar. Ti dikur ke qenë qershia mbi tortë e çdo feste familjare. Tani ke vendosur që qershinë ta hash për vete. Familja që e ke, ende e kërkon atë personin që ke qenë dikur. Por nuk është faji yt, se ata nuk e duan atë që ti po bëhesh e kërkojnë prej teje, atë që ti ke qenë. E di se gjëra të ndryshme po të ndodhin para syve, ndjen nervozë, mohim dhe fajësim ndaj familjes.

Je duke ndryshuar. Ndoshta është diçka brenda teje të cilën ti ndihesh i turpëruar që t’i tregosh ndonjë njeriu. Ndoshta je gay, lezbike, ose ndihesh se ke lindur në trupin e gabuar. Ose ndoshta thjeshtë e ndjen se diçka e çuditshme po ndodh me ty. Ndonjëherë, veçanërisht në moshën e adoleshencës, ne ndihemi të çlidhur nga të tjerët, duket sikur ne thjeshtë po i shikojmë gjërat që po ndodhin rreth nesh, por nuk jemi pjesë e këtyre ngjarjeve. E di, sepse disa herë jam ndier kështu i humbur. Të gjitha ato ndjenja, me shumë gjasë vijnë nga turpi. Ti nuk je i lindur me turp, por edhe nëse je i lindur kështu, nuk ke pse e fajëson veten. Tu deshën vite që ti të mësosh që turpi është pjesë e jetës tënde, por të duhet vetëm një deklaratë e jotja për ta larguar atë. Ti je ai që je. Mos e kërko arsyetime prej vetes, sepse duke bërë kështu, vetëm që ia minimizon të vërtetën vetës dhe do nuk je i sinqertë me atë që do të jesh një ditë.

Nëse e gjitha kjo nuk mjafton, ti gjithashtu duhet të merresh me ata të cilët të ngacmojnë në shkollë, një tufë urryesish të cilët janë të të gjitha moshave. Ndoshta mund të i shohësh ata edhe në shtëpi të Zotit. Disa mendojnë se e kanë Zotin në anën e tyre, thua se ai i zgjedh ata të cilët janë në anën e tij. Po, e di, është çmenduri. Nëse mendon më gjatë për këtë punë, vjen në përfundimin se njerëzit besojnë në atë që duan të besojnë, por nuk do të thotë që ata kanë të drejtë dhe ti je gabim. Mos i merr këta njerëz seriozisht. Ata thjeshtë dëshirojnë të të rrëzojnë.

Mësohu me personin e ri i cili po rritet brenda teje. Kërko mbështetje, si afër ashtu edhe larg. Interneti është plot me histori të njerëzve. Ti nuk je vetëm. Do të mahnitesh se sa shumë njerëz të pëlqejnë ty. Është ndjenjë e mrekullueshme që të lidhesh me të huaj. Është edhe më e mrekullueshme kur e kupton se çfarë ndihme je ti për një person të huaj. Ndoshta së bashku mund ta eksploroni botën e egër.

Po, unë të dua. Dua të të përqafoj shumë dhe të të them se gjërat bëhen mirë, sepse në fakt ashtu do të bëhen. Në momentin që e pranon veten për atë që je dhe i fal të tjerët të cilët gabuan ndaj teje, ti do të fillosh të rritesh. Mbahu fort. Ka njerëz në këtë botë që nuk të njohin aspak, por janë duke të të pritur me krahë të hapur dhe do të të duan pa kushte. Më beso. Jeta jote do të jetë më e mirë, dhe do të mësosh që të japësh dashuri përsëri. Të premtoj. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart