Një histeri raciste


Gazeta Express
30 Maj 2019 11:27

Një shoqëri e tërë iu vërsul një gruaje rome që “po vidhte fëmijë”. Gjuha e urrejtjes e nisur në rrjete sociale e media përfundoi me linçim publik. Një veprim turpi, nga një shoqëri turpi. Ajo është viktimë e jona. Në vend të saj, nesër mund të jetë secili prej nesh.

Imer Mushkolaj

Gjithçka nisi me raportimin në disa media online se si një person “i çuditshëm”, sipas disave burrë i veshur si grua, qenka shfaqur nëpër rrugët e qyteteve kosovare dhe ka mundësi t’i grabit fëmijët. U publikuan edhe deklarata të qytetarëve që shfaqnin dyshime për këtë person, bashkë me fotografinë e “monstrumit”. Mjaftueshëm sa për të nisur “gjuetia e shtrigave”.

Më pas, gjithçka u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe gjyqi u bë. Gruaja rome, e cila dukej “çuditshëm” u gozhdua nga qindra e mijëra komentues, të cilët në të shihnin rrezikun më të madh që po iu kanosej. Me gjuhë të urrjetjes, me thirrje për linçim e vrasje.

Pavarësisht se policia e konfirmoi se ajo ishte intervistuar dhe nuk paraqiste kurrfarë rreziku, histeria vazhdoi. Pavarësisht se policia dha informata të mjaftueshem se nuk bëhej fjalë për kurrfarë grabitëse fëmijësh, përkundrazi, bëhej fjalë për një qytetare e cila ishte riatdhesuar nga një shtet europian, gjuha e urejtjes, gjuha raciste dhe thirrjet për ndëshkim vazhduan. Dhe gjithë ky maskarallëk nuk kishte si të përfundonte ndryshe, veçse me reagim publik. Me liçim publik, në mes të qytetit, nga një grup të rinjsh. Nga ata që tek gruaja rome e shihnin atë që nuk iu përkiste atyre, atë që duhej ta gjuanin gurë, pse jo, edhe ta vrisnin. Sepse ajo nuk ishte si ata, ajo ishte ndryshe – aq ndryshe sa ta godasin, ta poshtërojnë.

* * *

Rasti i së mërkurës tregon më së miri se çfarë shoqërie kemi krijuar dy dekadat e fundit. Një shoqëri mosduruese, në thelb raciste, shoqëri që urren tjetrin vetëm pse është pakicë, vetëm pse është ndryshe. Brenda dy dekadash, nga qytetarë të cilëve iu janë shkelur të drejtat jemi shndërruar në qytetarë që ua dhunojmë të drejtat të tjerëve.

Rasti i së mërkurës ndaj një gruaje të pafajshme tregon se rrëfimet për liri të shprehjes, liri të veprimit, demokraci e barazi nuk janë gjë tjetër veç fasadë. Sepse na nevojitet pak, vetëm pak që të ngre krye urrejtja, mosdurueshmëria, racizmi.

Gruaja rome ishte “fajtore” vetëm se kishte zgjedhur të jetojë ashtu si do, pa e cenuar lirinë e askujt, pa i shkelur të drejtat e askujt. Ajo kishte zgjedhur që të sfidojë paragjykimet për komunitetin e saj, për grupin etnik të cilit i takon, një grup i margjinalizuar e me mjaft probleme në shoqërinë kosovare.

Ajo kishte zgjedhur të tregojë pa frikë se është si ne, se duhet të jetë si ne, e lirë të jetojë ashtu si do. Por jo. Kjo shoqëri nuk e lejon një gjë të tillë. Kjo shoqëri nuk e lejon një “magjupe” të sillet në atë mënyrë. Kjo shoqëri me dekada e dekada e ka krijuar mitin se “magjupët” vjedhin fëmijë, se janë të rrezikshëm. Kjo shoqëri e ka krijuar klimën se të tillët kudo që i shohim duhet etiketuar, duhet sharë e fyer, duhet sulmuar.

Njësoj vepruan edhe të rinjtë që zgjodhën ta linçojnë gruan publikisht. Jo rastësisht. Sepse etiketime të tilla për komunitetin rom ose grupe të tjera të margjinalizuara dëgjojnë në rrethin familjar, në shkollë, në rrugë, kudo. Sepse janë rritur me idenë se ata nuk meritojnë të jetojnë si të gjithë të tjerët, se ata janë ndryshe vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës, vetëm për shkak të kushteve të vështira të jetës. Janë rritur me idenë se ata duhet diskriminuar, edhe pse në shkollë e mësojnë të kundërtën. Ata shpërfaqën vetëm atë që e mendojnë pjesa më e madhe e shoqërisë, që këtë komunitet dhe të tjerë si ky i trajton me urrejtje, me përbuzje e nënçmim.

* * *

Gruaja rome mund të jetë goditur e lënduar por, më tepër se kaq, ata që e kanë nxitur sulmin dhe ata që e kanë kryer atë kanë bërë një akt turpi. Me vetëdije të plotë, ata kanë goditur themelet e një shoqërie demokratike, kanë goditur një vlerë që i dallon popujt e qytetëruar nga ata primitivë.

Gruaja rome është viktimë e jona, e secilit prej nesh që në një mënyrë a tjetër kemi kontribuuar që të ndodh akti i turpshëm. Qoftë duke i shtyrë, qoftë duke mos i penguar ata që janë të mbushur me urrejtje e racizëm ndaj tjetrit.

Rasti i së mërkurës tregon mjerimin tonë si shoqëri, tregon se çfarë jemi në gjendje të bëjmë kur na ofrohet rasti. Sidomos ndaj të dobëtve, ndaj të pafuqishëmve, ndaj të gjithë atyre që nuk janë si ne, ndaj atyre që janë “fajtorë” se nuk na kanë pyetur ne, shumicës, nëse mund të vishen e të duken si duan, nëse mund të shëtisin të lirë, nëse mund të marrin frymë lirshëm.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart