Një ditë para zgjedhjeve, kjo është gjendja në veriun e Kosovës


Gazeta Express
18 Maj 2019 21:47

Nesër pritet që në ora 07:00 të mëngjesit të hapen kutitë e votimit ku do të votohen katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti ka treguar se situata është e qetë në veri.

“Në rregull është, nuk ka telashe, situata është e qetë, gjithçka është në rregull. Ne kemi planin për nesër, janë bërë të gjitha përgatitjet sa i përket njësive policore dhe planit veprues dhe nuk presim se do të ketë ndonjë problem”.

Të drejtë vote në këto katër komuna kanë 58 520 votues, ndërsa Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të angazhoi 670 komisionerë në 44 qendra të votimit në gjithsej 87 vendvotime.

Në anën tjetër, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot për mediet serbe se nesër do të tentojë të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, Gjuriq për këtë nuk ka kërkuar leje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Te fundit


Kthehu lart